| Nga ALBIN MEHMETI |
Agu i parë filloi ta zdriste qiellin e ai s’kishte vënë gjumë në sy. Ai s’e shihte atë pasiqë edhe drAgu i parë filloi ta zdriste qiellin e ai s’kishte vënë gjumë në sy. Ai s’e shihte atë pasiqë edhe dritarja e vogël e qelisë ishte kah perëndimi. Ai s’e pa, por unë e pashë. Edhe ti ndoshta e ke parë atë ag në horizont. Ndoshta e ke parë, por s’e mban në mend, sepse nuk kishte rëndësi të madhe për ty. As për mua s’pati ndonjë rëndësi, por për personazhin tim pati. Madje, shumë. E kishte kaluar gjithë natën duke menduar se çfarë të bënte, ta vriste atë apo të jetonte i përulur. Shtrihej në anën e djathtë dhe sa herë mendonte ta vriste i dilte parasysh fëmijëria, kur më dhjetëra herë e kishte shpëtuar nga sherret e mëhallës. Ju kujtohej rinia kur shpeshherë e kishte shpëtuar edhe nga vdekja. Mendonte se si ta vriste atë që ia shpëtoi jetën. Kthehej në krahun e majtë e thoshte me vete, mbase vetëm mendonte pa lëshuar psherëtimë se si mos vriste atë që e pengonte të ngjitej në piedestalet e historisë së Dashamirit dhe më tej. Ai ishte pengesa e fundit që e ndante nga arritje e qëllimit të tij, mbase qëllimit jetësor. Do të mjaftonte një veprim i vogël dhe ja, emri i tij do të përjetësohej.
Edhe për mua si narrator, Alberti është personazh kompleks. Pak arrita të njoh e të mësoj për karakterin që ka nga veprimet e tij. Më shumë mësova nga rrëfimi i narratorit pararendës që kishte rrëfyer për të, mbase para disa muajsh, të cilin e gjeta në sirtarët e autorit, rrëfim i mbetur në gjysmë, ndoshta për njëmijë e një arsye e mbase edhe pa arsye. Kur e pyeta autorin se pse është ndalur në gjysmë rrëfimi, vetëm ktheu kokën e s’u përgjigj. Shumë lehtë mund të kenë pasur konflikt mes vete. Ndoshta do të qortohem nga autori se pse rrëfimin e përgjysmuar të narratorit pararendës po e paraqes para jush. Le të bëhet si të bëhet, unë nuk do t’ju lë në terr informativ.
Lopatat kishte mbetur në vendin e ngjarjes, me qëllim apo pa qëllim ku ta di. Ujku mund të ikën, por gjurmët gjithnjë i le prapa. Nga shenjat shihej se dikush kishte gërmuar një varr, bile atë natën.
Në Dashamir kishin filluar të përhapeshin thashetheme. Dikush tha se ishte krijuar një sekt i ri që adhuronte varret. Dikush tha se nga Palumi kishte ardhur një magjistar, i cili me dheun e varreve donte t’i bënte magji kryetarit të Dashamirit. Vetë kryetari nuk besonte atë se çfarë thoshin zgjedhësit e tij, por thoshte se kundërshtarët e tij politikë po i bënin këto veprime vetëm e vetëm për t’ia prishur imazhin atij dhe për ta shkatërruar atë politikisht. Kështu mendonte populli dhe udhëheqësi i tyre, por krejt ndryshe mendonte hetuesia, policia dhe shërbimi inteligjent që ato ditë kishte zbarkuar në Dashamir.
Përsëri lopata në varreza. Ndryshe nga hera e parë, besimtarët e sektit të ri, magjistari apo kundërshtarët politikë të kryetarit nuk kishin arritur të mbaronin punë. Ndanë lopatave ishte një varr gjysmë i hapur, të cilin e kishin rrethuar më shirita zi e verdhë. Afër rrethojave të varreza kishte policë të shumtë që s’e lejonin askënd të hynte. Edhe mirëmbajtësi i varreza atë ditë u kthye në shtëpi. Nga llafet e përhapura gjithandej thuhej se dikush ishte arrestuar. Të gjithë dashamirasit e kishin parë këtë skenë arrestimi, por asnjëri nga ta s’e di se çfarë ishin ata, besimtarë, magjistarë apo politikanë. Mbetej të shihej e të pritej raporti zyrtar i policisë. Aty do të kuptohet e vërteta, por deri atëherë do të krijohen aq versione sa ka banorë i gjithë Dashamiri, ndoshta ndonjëri do të gjejë kohë të krijojë dy, tre e më shumë versione.
“Sot në orët e hershme të mëngjesit, në “Mahallen e vorreve” në Dashamir janë arrestuar katër persona nën dyshimin se i kanë shkatërruar varrezat për të arritur deri tek përfitimi material dhe pasuror. Hetimet do të vazhdojnë deri në zbulimin e pistave të reja të dyshimet dhe të implikuarve të tjerë.”- thuhet në njoftimin e Policisë së Livdohovës.
Agron Shpejta, Blerim Leku, Albert e Mendim Fisheku gjenden para gjyqtarit, prokurorit dhe një kallaballëku të mediave. Në seancën e parë gjyqësore, të katërtit u deklaruan plotësisht të pafajshëm dhe se e gjithë kjo fushatë e ligë po bëhet për t’ia ulur autoritetin e tyre. Agroni dhe Blerimi ishin biznesmenë që merreshin me ndërtim, kurse vëllezërit Alberti dhe Mendimi punonin si punonjës ligjorë në kompanitë e Agronit dhe Blerimit.
Akuza me të cilën akuzoheshin nuk ishte aspak e lehtë. Madje, e padëgjuar më parë. Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria e Qarkut të Dashamirit thuhej:
“Grupi i Agron Shpejtës i përbërë nga Agron Shpejta, Blerim Leku, Albert Fisheku dhe Mendim Fisheku në bashkëkryerje me qëllim të përfitimit material dhe pasuror kanë bërë shkatërrimin e varrezave dhe zhvarrosjen e të vdekurve.
Grupi i Agron Shpejtës për një periudhë dyvjeçare kanë bërë zhvarrimin e mbetjeve mortore të individëve, të cilët nuk kanë lënë prapa trashëgimtarë. Më pas, brenda natës kanë mbetur mbetje mortore të dikujt tjetër, që në fakt janë mbetje mortore të baballarëve të bashkëpunëtorëve të tyre. Më pas, këta bashkëpunëtorë me dokumente të falsifikuara do të paraqiten kinse janë të rritur në jetimore dhe se kanë dyshimet se janë fëmijë biologjikë të njerëzve të pasur. Kjo do të krijonte mundësinë që të bëhej testi i ADN, i cili më pas do të përputhej dhe kështu ata do të fitonin të drejtën e trashëgimisë, kryesisht toka dhe shtëpi luksoze që kishin mbetur pazot. Kjo është evidentuar në katër raste, ku të gjitha këto raste ndërlidhen me toka në zonën kadastrale dy dhe tre të qytetit. Në të katër rastet, toka u është shitur ose gjoja u është shitur biznesmenëve Agron Shpejta dhe Blerim Leku, të cilët më pas kanë filluar ndërtime të larta në këto toka. Ka dëshmi të forta që dy punonjësit ligjorë Albert Fishku dhe Mendim Fisheku kanë falsifikuar dokumentet e jetës në jetimore të bashkëpunëtorëve të grupit të Agron Shpejtës.”
Të katër shokët gjendeshin në paraburgim pasiqë Gjykata e Dashamirit kishte arsye të fuqishme se të akuzuarit mund t’i ikin drejtësisë dhe mund të ndikojnë në dëshmitë e dëshmitarëve.
Alberti afroi afër vetes Blerimin dhe Mendimin dhe u tha se është rrezik i madh që Agroni të pranonte fajësinë dhe të shpikte shumë gjëra, të cilat do t’i fundosnin. E vetmja rrugë ishte eliminimi duke i hedhur helm në ushqim, i cili do t’i shkaktonte sulm në zemër. Agroni që nga fëmijëria vuante nga problemet në zemër. Kjo s’do të hidhte asnjë dyshim për vdekjen e tij. Ashtu edhe u bë. Agroni vdiq.
Me vdekjen e Agronit nuk ndryshoi asgjë në aktakuzë, përveç largimit të emrit të Agronit dhe ndryshimit të emrit të grupit, nga grupi i Agron Shpejtës në grupi i Blerim Lekut.
Albertit nuk i zihej vendi vend. Thirri të vëllain Mendimin dhe i tha se Blerimi po i tradhtonte. Kishte dëgjuar teksa fliste me shefin e burgut dhe i tregonte detaje që s’i dinte as prokuroria. Blerimi vuante nga tensioni i lartë dhe ndryshimi i disa hapave mund të shkaktonte sulm në tru dhe vdekje të menjëhershme. Ashtu si menduan, ashtu edhe vepruan. Plani u realizua. Blerimi vdiq.
Me vdekjen e Blerimit ndryshoi aktakuza. Përveç kësaj, ndryshoi edhe emri i grupit, nga grupi i Blerim Lekut në grupi i vëllezërve Fisheku.
Këtu mbaroi rrëfimi i narratorit pararendës. Tash po rikthehem unë, ai që filloi rrëfimin e këtij tregimi.
Mendimet e Albertit nuk ndaleshin. Mendonte si ta vriste vëllain Mendimin. Me vrasjen e tij në aktakuzë do të shkruhej vetëm emri i tij, s’do të ishte më grupi i vëllezërve Fisheku, por aktakuzë për Albert Fishekun. Vuante të ishte emri i tij, pasi që gjithë ideja e këtyre zhvarrimeve ishte e tija. Vuante të ishte vetëm ai.
Teksa mendonte se si t’ia bënte filloi t’i zihej fryma. Vuante nga astma e rëndë. Zgjati dorën ta merrte aparatin e frymëmarrjes, por s’ishte aty. E thirri Mendimin, por ai s’përgjigjej, vetëm e ndërronte krahun. Duke u munduar ta gjente aparatin, ra përtokë. Filluan t’i errësoheshin sytë derisa iu mbyllën për mos t’i hapur më.
Me vdekjen e Albertit, tani kishte mbetur vetëm Mendimi. Prokurori e ndërroi aktakuzën nga grupore në individuale. Tani Mendimin e njihnin të gjithë, i madh e i vogël. Tani po e njeh edhe ti që e lexove e dëgjove rrëfimin.
Foto@NeilKami