Lysien Disha lindur më 23 maj 1988 në Tiranë. Piktor dhe shkrimtar, autor i librit “Jetë të humbura” dhe gati për botim librin e dytë “E kuqja”. Jëtë të humbura, është një novel gati 300 faqëshe qe flet për shumëçka: për dashurinë, luftën, shpresën, ëndrrat etj.
Si nisi rrugëtimi yt artistik, sidomos drejt letërsisë?
REVISTA HESHTJE
Jam lindur në një familje libradashëse tiranase. Babai si një poet dhe një lexues i rregullt ka patur një dëshirë tepër të madhe që djali i tij të lexonte. Leximin e rregullt e kam filluar rreth moshës pesëmbëdhjetë vjeçare, ku brenda një viti kam lexuar shtatëdhjetë e pesë romane të ndryshme. Dashuria ndaj librit vetëm se shtohej nga libri në libër derisa u bë pjesë e pandashme e jetës sime. Leximi i titujve të ndryshëm më bëri që të veçohem në një zhaner të caktuar dhe e bëri të pamundur shfletimin e çdo libri që më binte në dorë.
Cili është zhaneri yt i preferuar?
REVISTA HESHTJE
Letërsia klasike është zhaneri që e gjej veten dhe aty ku etja për të lundruar në botën e disa burrave që përjetuan gjithçka që mund të ndjehet. Si autor të preferuar mund të veçoj Dostoevskyn dhe si libër të preferuar mund të veçoj “Iluzjone të humbura” të Balzakut. Por titujt e librave që i kam lexuar më shumë se pesë herë janë të shumtë.
Na fol pak në lidhje me pasionin tënd për pikturën?
REVISTA HESHTJE
Sa i përket pikturës, do të dëshiroja të ndaj një rrëfim të shkurtër me ju dhe ndoshta një mësim të mirë që mund t’i shërbejë të rinjëve të sotshëm në ndjekjen e ëndrrave të tyre. Që në vegjëli jam veçuar me një pasjon të madh për pikturën. Çdo kush mahnitej nga talenti që më ishte dhuruar nga Zoti dhe për të ndjekur këtë rrugë. Sërisht babai im ishte shtysë që të vazhdoja më tej në zhvillimin e aftësive të mia profesjonale në liceun artistik. Duke qenë që askush nga familja nuk kishte ndjekur një degë të tillë, babai informohet dhe lajmërohet që hyrja në “liceun artistik” bëhet e mundur vetëm nëpërmjet një konkursi. Pas marrjes së kësaj përgjigje babai më rregjistron në konkurs dhe më thotë që një miku i tij, piktor, mund të të jap disa leksjone para se të futesh në konkurs. Piktori që na priti atë pasdite në shtëpinë e tij, është një piktor me titullin “mjeshtri madh”. Shkova atë pasdite me babain në shtëpinë e “mjeshtrit”, kur hyra në atë derë, hyra me një ëndërr të madhe, ëndrra për t’u bërë artist. Babai i tregoi arsyen e ardhjes dhe ai më pa në sy. “më trego punimet e tua” ishin fjalët e tij të para. “Nuk kam punime” u përgjigja. Ai me një shikim të ftohtë më tha “ti kurrë nuk ke për t’u bërë piktor.” Nëse do t’i futesha përpunimit të kësaj përgjigje ndoshta do të nisja një libër të tërë por gjithësesi, në “liceun artistik” nuk mora pjesë dhe vazhdova studimet në një tjetër drejtim. Por sot jam krenar që ia dola, pa arsimin përkatës por me dëshirë dhe punë kam arritur të nxjerr me qindra piktura dhe të bëj të lumtur me qindra njerëz që muret e tyre kanë preferuar t’i zbukurojnë me krijimtarinë time. Andaj mesazhi im për lexuesit është: “Mos lejo kurrë të tjerët të të thonë se çfarë je, por bëhu ai që ti ke dëshirë të bëhesh.”
Si janë të ndërlidhura tek ty piktura dhe letërsia? A frymzohesh nga piktura për të shkruar apo e kundërta?
REVISTA HESHTJE
Piktura dhe letërsia e shkruar kanë shumë pak gjëra të përbashkëta me njëra tjetrën për mendimin tim. Pjesa më e vështirë e të shkruarit është të ulesh dhe të marrësh penën në dorë, ndërsa tek piktura është e kundërta, është tepër e lehtë të ulesh dhe të hedhësh vaj në telajo: ti mund të zgjedhësh atë që i përshtatet shpirtit tënd në ato momente dhe e ngjyros atë me ngjyrat e shpirtit, por këtë nuk mund ta bëj dot në të shkruar. Ti ke ngecur me personazhin tënd në një pikë ku mendja të bllokohet dhe nuk di as nga ta shpiesh dhe as si ta nxjerrësh nga ajo situatë, dhe ky është pikërisht momenti kur unë mbyll laptopin dhe ulem të pikturoj
Arti si pasion apo si profesion?
REVISTA HESHTJE
Mund të them që pa pasion nuk ka profesion. Sigurisht që pas vitesh të tëra pune në telajo, vjen natyrshëm që aftësitë të kthehen fitimprurëse. Por arti më i mirë është ai që bëhet pa u cënuar ana ekonomike
Sa e rëndësishme është letërsia në jetën tënde dhe cili është raporti yt me të?
REVISTA HESHTJE
Jam një lexues, por edhe një shkrues i rregullt. Nuk është e rëndësishme për mua koha që do të më duhet për të mbaruar një libër, ajo që ka rëndësi për mua është që kur ta kem mbaruar, të kenë mbetur shenja nga ky libër tek unë. Shkëputja nga libri për një kohë të gjatë për arsye udhëtim-pune bën që librit t’i rikthehem nga e para edhe nëse jam në gjysëm të tij. Sa i përket shkrimit, e kam një limit për minimumin e të shkruarit ditor dhe ai është gjashtëqind fjalë për ditë. Nëse e arrij këtë atëherë ndjehem i lumtur në fund të ditës.
Sa e vështirë ka qenë për ju të shkruani një libër të tillë dhe kujt ia dedikoni?
REVISTA HESHTJE
Versioni i fundit i librit që keni në dorë është dashur tri vite të plota për t’u shkruar. Në versionin paraardhës më është dashur një kohë më e gjatë, ku pasi e përfundova vendosa ta gris dorshkrimin dhe të fshij çdo dosje në kompjuter për ta zhdukur përfundimisht. Nisa sërisht shkrimin e tij dhe jam i kënaqur në rezultatin por, lexuesi është kritiku më i mirë. Libri është i ndarë në dhjetë kapituj, ku çdo kapitull është një vit dhe fillon në vitin 1933 deri në vitin 1943. Çdo e dhënë historike është e vëertetë.
Librin ia dedikoj gjyshit tim. Në moshë shumë të vogël shikoja biblotekën modeste familjare që gjyshi kishte krijuar në dhomën e ndenjes dhe për çdo herë që e vizitoja ulesha pranë saj dhe me një dashuri të pafund shfletoja librat që mbante ai raft. Gjithmonë i bëja të njëjtën pyetje “a do m’i japësh mu o gjysh?” dhe ai duke buzëqeshur çdo herë më përgjigjej “sapo të rritesh janë të tuat” dhe vertetë sapo i mbusha dhjetë vjeç ai mi dhuroi. Kjo ka qenë dashuria ime e parë me librin, ndoshta nga mosha gjashtë vjeçare
Cili është frymzimi yt kryesor?
REVISTA HESHTJE
Frymëzimi im është libri. Sa herë shikoj një libër, e lexoj apo edhe sikur vetëm ta shfletoj, mund të ulem dhe të nis shkrimin. Dashuria për libra jo në pak raste më ka lënë dhe pa para. E kam të pamundur të ndaloj së grumbulluari libra
Për çfarë flet “E kuqja” dhe kur do ta ketë lexuesi këtë libër të dytë në dorë?
REVISTA HESHTJE
“E kuqja” është një histori e vërtetë. Historia e një djali që heroina i mori jetën. Ngjarje që zhvillohet në vitet 97-2002. Këtë libër e kam nisur me të vetmin qëllim që të mund ta shpërndaj në të gjitha shkollat e mesme, ku të jetë një mësim për të rinjtë tanë që kalojnë në udhën e drogës për çdo ditë duke harruar dashurinë për njëri tjetrin dhe dashurinë për vetveten. Jeta është gjëja më e shenjtë që është besuar në duart e njeriut. Besoj që brenda këtij viti në dashtë Zoti libri do të dalë në shtyp
Si e perceptoni nocionin heshtje?
REVISTA HESHTJE
Për sa kohë që mund të dëgjoj nocjonin heshtje, dëshira për të folur bëhet më e madhe. Tek unë si individ, është e pamundur të hesht përveçse në një rast, kur para meje ndodhet një njeri injorant, them injorant dhe jo i paditur sepse një person i paditur është një person që nuk di por që ka dëshirë të mësojë, por një injorant është një person që është i paditur dhe është i kënaqur me padijen e tij, kështu që unë hesht. Heshtjen mund ta ndajmë në dy llojesh, në heshtje të drejtë dhe heshtje të padrejtë. Në të parën bëjnë pjesë të gjitha llojet e heshtjes që nëpërmjet fjalës mund të shkaktojnë një dëm i pandreqshëm si vetiak ose kolektiv. Në të dytën bëjnë pjesë ndalimet e këtij dëmi që arrihen vetëm nëse ti nuk hesht.