Brunilda Basha është Arkitekte, studiuese dhe poete. Studimet universitare për arkitekturë si dhe Masterin në “Restaurimin dhe Ruajtjen e Trashëgimisë Arkitekturore”, i ka kryer në Kuala Lumpur. Më vonë u shpërngul në Stamboll ku edhe ka dhe përfundoi studimet e doktoraturës në fushën e Historisë dhe Teorisë së Arkitekturës.
Jeta e saj profesionale është zhvilluar ndërmjet Malajzisë, Turqisë dhe Shqipërisë. Brunilda ka vite që punon si arkitekte në studio të ndryshme ndërkombëtare dhe lokale. Aktualisht punon si pedagoge ne Universitetin Barleti në Tiranë. Krahas profesionit, Brunilda është e apasionuar pas letërsisë dhe fotografisë. Në vitin 2018 publikoi librin me poezi: “Pikturë e Shkronjëzuar” të shoqëruar me një ekspozitë grafike në Tiranë. Po ashtu, poezi të saja janë të publikuara në gazeta dhe revista letrare në Shqipëri dhe treva.

Brunildë, pse shkruan?
REVISTA HESHTJE
Hm… do kishte të njëjtën përgjigje nëse do të më pyesje: Pse dashuron? Pse ke mikesha? Pse lexon? Pse dëgjon një këngë? Pse të pëlqejnë kaq shumë çokollatat? Pse në darkë sodit hënën? Shoh hënën, shkruaj dhe mbushem me frymë!
Kur dhe si lindi ky talent për arkitekturën dhe për letërsinë, cili lindi i pari dhe sa të lidhura janë këto dy fusha për ty?
REVISTA HESHTJE
E para rezulton të ishte letërsia, ndonëse jetë konkrete si fillim mori arkitektura, pasiqë dhe studimet që ndoqa lidhen me këtë të dytën. U desh të përfundoja studimet universitare, të rikthehesha në Shqipëri, që më pas të guxoja për t’i mbledhur copëzat e shkruara aty këtu, e të ruheshin në një format të printuar si libri.
Nëse përpiqem të kthehem pas në kohë, fillesat lidhen me adoleshencën, shkollën e mesme, specifikisht lëndën e letërsisë, hartimet dhe esetë të cilat i kishim detyrë shkollore, apo dhe konkurset midis shkollave të mesme (në të cilat shkolla jonë rrëmbente gjithmonë cmimet e para). Më kujtohet si vegim vlerësimi i vazhdueshëm që merrja mbi faktin se kisha imagjinatë në ndërtimin e historisë më tepër sesa në përdorimin e figurave letrare le të themi. Nuk e kisha të vështirë të shkrihesha me një personazh imagjinar dhe të shkruaja nën lëkurën e tij në vetën e parë. Tani që e mendoj, shumicën e rasteve shkruaj në vetë të parë, edhe kur historia mund të mos ketë lidhje me ngjarje timen, por një ndodhi apo histori e përjetuar nga një person tjetër. Normalisht, kur shkruan mbi një temë të caktuar instiktivisht e vendos ngjarjen në një skenë reale apo imagjinare të vendit, kohës, dhe cdo detaji të mundshëm. Në mënyrë të pavetëdijshme ne lidhemi që herët me konceptin e shprehjes së anës sonë të brendshme nëpërmjet fjalëve, dhe hapësirës e cila na rrethon në ato momente. Po ashtu, nëse analizojmë arkitekturën ajo nuk është vetëm për t’i shërbyer njeriut por ajo shkon më tej: të prekë ndjenjat.
Pra, të dyja krijojnë emocione; e para nëpërmjet dritës, e dyta nëpërmjet shkronjave. Arkitekti organizon format në harmoni me shpirtin, dhe nëpërmjet këtyre formave e vijave stimulon emocion tek përdoruesi; Ndërkohë poezia lidh fjalët e shpirtit dhe provokon ndjesi tek lexuesi.

A mund të na flasësh pak për librin e parë për të gjithë ata që nuk kanë pasur mundësi ta kenë në duar?
REVISTA HESHTJE
Libri im i parë, të cilit nuk i dhash kohën dhe trajtimin që meritonte pas publikimit të tij, pra, ndonëse tirazhet mbaruan shpejt nuk kam arritur t’a risjell sërish dhe t’a shpërndaj në libraritë në Shqipëri apo kudo ku ka shqipëtarë për shkak të angazhimeve. Jam mjaftuar me njoftimin se kopje të tij ndodhen në bibliotekën kombëtare dhe ndjehem vërtet borxhlie karshi tij.
Libri i parë ka qenë një kurorëzim i ndjesive kryesisht vetjake. Ka tematika të ndryshme, mbi besimin, të bukurën, mallin, stinët, kujtime të vendeve apo njerëzve të ndryshëm. Preket po ashtu dhe bota e femrës apo e nënës.

Cilët janë shkrimtarët tuaj të preferuar, jo vetëm ata prej të cilët frymëzohesh, por edhe ata që thjesht dëshiron t’i lexosh edhe pse kanë një stil ndryshe me stilin tënd të të shkruarit?
REVISTA HESHTJE
Më shumë se shkrimtari më pëlqen poezia, ajo copëza e cila ka përjetim të sinqertë, të vërtetë, pa sforcime dhe që të godet sapo e lexon. Ajo poezi për të cilën Robert Frost do thoshte: “Poezia është kur emocioni ka gjetur mendimin e tij dhe mendimi ka gjetur fjalët”
Patjetër që kam të preferuar dhe i lexoj me endje disa më tepër se të tjerë. Shkrimtarë të cilët me ngacmojnë imagjinatën dhe më bëjnë të përjetoj me ta ndjesi të forta.
Lehtësisht mund të udhëtoj sa me Ervin Hatibin, Dritëro Agollin, poashtu edhe me Emily Dickinson, Edgar Allan Poe. Nazim Hikmet, poeti modern turk, gjithashtu është ndër të preferuarit e mi.
Ndër elementët kryesorë të poezisë tënde sidomos këto të pabotuarat akoma janë gratë, qytetet, dhe Hëna. çfarë simbolizojnë këto elementë dhe si e pasurojnë poezinë tënde (ose pse janë të rëndësishëm për poezinë tënde?)
REVISTA HESHTJE
E para lidhet me qenien tonë, vetë jetën, me njeriun human, dhe padyshim cdokush njeh më tepër botën e tij. Gruaja u bë rastësisht tematikë kryesore e shumë poezive. Lindi në mënyrë të natyrshme duke lëvruar botën time, si nënë, bashkëshorte, bijë e nënës time, motër, por më vonë me plagët sociale që prek femrën vazhdimisht, me dhunën që i imponohet, me paragjykimet, me sakrificat e heshtura të saj, morri një këndvështrim më të gjerë dhe lindi tashmë si nevojë për një trajtim më kritik dhe jo rrallë herë. Nisur nga lajmet e kobshme më të cilat përballemi cdo ditë, më bëri ta nxjerr në pah këtë dhimbje nëpërmjet poezisë.
Ndërkohë, qyteti! Qyteti ështe vetë jeta!
Njeri-qytet; një binom i cili ndërvepron që nga lindja deri kur mbyll ciklin.
Qyteti është ai vendi ku merr trajtë çdo ndodhi, aty ndodh dinamika, drama, tragjedia, aty është mentaliteti, shoqëria, por edhe arti, kultura, fryma që ne marrim. Qyteti është vetë ritmi i jetës, tiktaku i zemrës. Në qytet rrethuar nga muret e tij, ne të gjithë ecim, rrëzohemi, ngrihemi, qajmë, përqafojmë, njihemi, ndahemi. E ku ka më bukur se kur të gjitha këto çaste të forta emocionesh, të shkruhen dhe të përjetohen nën dritën e hënës. Unë përnatë shoh hënën, përditë mahnitem nga ajo, përditë frymëzohem, dhe nën atë efekt magjik kujtoj njerëz, momente e çdo gjë.
Duke qenë se keni jetuar në tre shtete të ndryshme, dy në mërgim dhe tashmë në mëmëdhe: a janë reflektuar këto copëza realiteti në poezinë tënde?
REVISTA HESHTJE
Realiteti në të cilin ne jetojmë si shtysë e vetvetishme për veprime të pavetëdijshme, na rrëmben duke na vënë në lëvizje të gjitha mekanizmat e duhura për t’iu përgjigjur atij. Shpesh na mahnit, na lëndon, na dhuron mbresa, emocione, ndjenja të përkoshme apo të përheshme të cilat lenë gjurmë të dukshme. Njeriu është fenomen i jashtëzakonshëm që formësohet nga fragmente të rastësishme apo të mirëmenduara në tërësinë e kozmologjisë së jetës. Poezitë e librit janë shkruar gjatë kohës që kam jetuar në Malajzi dhe Turqi. Qëndisja e tyre ka marrë jetë edhe nëpërmjet e imazhit piktoreskt përqark meje, i cili të ndihmon të shprehësh dhe ta bësh më të prekshme brendësinë tënde, ashtu sikurse një melodi e cila shoqëron një interpretim të caktuar. Pas kthimit në Shqipëri, më ka rezultuar se të qenit larg, dhe ajo ndjesia e mungesës për cdo frymëmarrje të jetuar atje, (Kuala Lumpur apo Turqi) paska patur një ndikim dhe shtysë signifikante në poezinë time.
Kanë kaluar pak a shumë pesë vjet nga libri i parë dhe besoj se shumë mund të pyesin se kur do të dalë libri i ardhshëm dhe çfarë lloj tematike do përmbajë apo në cilin zhaner?
REVISTA HESHTJE
Nuk e kam me nxitim, ndoshta dhe për faktin se synoj ta shijoj të bukurën në ato caste poetike, dhe kaq. Ndaj libri në realitet nuk ka qenë dhe nuk është një qëllim në vetvete. Por, nëse është për të mirën time dhe të lexuesit për të dalë në dritë mbi një letër të shtypur sërish, uroj të realizohet në kohën dhe vendin e duhur.
Poezitë e pabotuara momentalisht kanë tematikë të gjerë; copëza jete dhe problematika të përditshme, por, sigurisht kryeson lidhja shpirtërore e njeriut me qiellin, ëndrrat, Hënën.