| Nga DRITAN SKENDERI |
E pyeta qiellin për dertin që ka
Pa shtylla, pa mbajtëse lart ç’e mba
Buzëqeshi me dhimbje, në sy më shikoi
Dukuritë, të gjitha, përnjë mi sqaroi
Ia nisi me retë, mjegullat të gjitha
Rrënjë t’kanë ty, tha, në mua janë sytha
Janë gjethet e laprat e trungut të zgjatur
Të pemës së turbullt drejt meje zhvatur
Mendimet, gjykimet, smirat, zilitë
T’rrezikshme, të frikshme për zemrën dhe sytë
Rrufetë, vetëtimat në mua përçuar
Janë plagët dhe djegiet e zemrës përvluar
Gjëmimet, bubullimat s’janë zëri im
Ofshamat e tua, janë, miku im
Britmat nga vuajtjet që ti i lëshon
Në mua përplasen dhe kthehen jehon’
Shirat, bornat e breshëri sa ka
Kondenzim i lotve që derdh pa nda
Ernat, furtunat, puhizat sa fryjnë
Janë frymët që nxjerr zemrimin, qetësinë
Nga mua t’gjitha si rrezet n’pasqyrë
Kthehen mbi tokë, formojnë lyrë
T’gatimeve tua që vetes servon
Mua lutjet, ankesat mi drejton
Fara, përgjigja e t’gjithave ësht’ një
Në tokë mbjellur, ndaj fjalën ia lë
Më zbriti në tokë, mbi mjegull ngadalë
Tokës ti flas, tha, drita pa dalë
Pa një pa dy, aspak nuk prita
Iu drejtova tokës, pa zbardhur dita
E pyeta për dertin dhe hallin që ka
N’orbitë, në ajër atë, vallë, ç’e mba
Si robi i Zotit me dije, urtësi
Q’i shfaqi Musait veç tri fshehtësi
Ashtu dhe mua toka mu drejtua
S’ke sabër, durim, të flasësh me mua
Sekretet, thesaret, të fshehtat që mbaj
Të djegin, të shkrijnë, të tretin në vaj
Tuat të gjitha n’të thënsha që janë
Kam frikë hutohesh, pa kthehesh më shanë
Ndaj dhe shkurt diçka të tregoj
Sekrete të trupit, dy-tre ti zbuloj
Kto male e kodra, shkëmbinj sa jan’
Brengat që n’gjoks dhe n’supe i mban
Vullkane, llava e zjarre bashk’
Shpërthime t’zemrës n’urrejtje a n’ashk
Detra, vërshime, lumenj e burime
Për ty janë ngjallje, janë dhe shkatërrime
Kur ashkut me zemër e shpirt ti dorzohesh
Me ujt’e burimit t’përjetshëm pastrohesh
Për ego e mllef n’ujra po u zhyte
Faraonin takon, për hallin pyete
Kaq nga toka, më tepër s’tha gjë
Me veten të merresh, më tha, po të lë
Të gjitha përgjigjet e derteve tua
S’i gjen në qiell e as në mua
Nga fjalët e qiellit dhe t’tokës bashk’
Kuptova që derti e halli janë ashk
Për t’qenë e qetë, e bindur zemra ime
Zotit në fund, me lutje, përgjërime
I kërkova qetësi për shpirtin tim
T’ma thotë sekretin e dertit tim
T’më thotë në jetë ç’më mba mua
Ç’ësht’ ashku, sekreti i fjalës të dua
Me dhimbje, buzqeshje më pa në sy
Heshti, s’tha gjë, m’takoi me ty…
Foto@DanielleClaudeBelanger