Dibran Demaku u lind në Abri të Epërme, komuna e Drenasit (Kosovë), ku mbaroi shkollën fillore, ndërkaq shkollimin e mesëm në Prishtinë. Shkollimin universitar gjithashtu në Prishtinë, ku studioi në Degën e Letërsisë dhe gjuhës shqipe në Fakultetin Filozofik.. Gjatë kohës së studimeve për tri vite me radhë udhëhoqi Grupin letrar “Jeronim De Rada”të fakultetit në fjalë. Dhe mbase ky ishte ai momenti vendimtar që Demaku t’i përkushtohej veprimtarisë së krijimtarisë letraro-artistike. Pra, veprimtarinë letraro-artistike e kishte nisur që në bankat e shkollës fillore, për të vazhduar me shkollën e mesme dhe sidomos gjatë viteve të studimeve, kur do të shkruante e botonte pothuajse në të gjitha gazetat dhe revistat të asaj kohe në Prishtinë, Shkup e Podgoricë. Pas përfundimit të studimeve, për shtatë vite me radhë do të punonte në Radiotelevizionin e atëhershëm të Prishtinës, si gazetar në Programin për fëmijë. Pas ngjarjeve të vrullshme të viteve të nëntëdhjeta, do të shkonte në Gjermani, ku jeton e punon. Edhe pse në kushte e rrethana krejt të tjera, Demaku, nuk do të ndalonte aktivitetin letraro-artistik duke ushtruar rolin si udhëheqës të Lidhjes së shkrimtarëve, artistëve dhe krijuesëve shqiptarë në Gjermani. Veprat e tij letrare janë: Vogëlushë dhe shtatore (vjersha për fëmijë); Rrëfimet e kalasë së vjetër (poemë për fëmijë); Gjeografia e klasës sime (vjersha për fëmijë); Ëndërr e bardhë (poemë për fëmijë); Shpirtra të shitur (novela dhe tregime për të rritur); Jetë në ikje (novela dhe tregime për të rritur Dardha ka bisht(poezi satirike për të rritur. Në tokën tonë(novelë për të rritur); Larg (poezi për të rritur) Vetmi(novelë për të rritur)Rrëfime jeta(tregime dhe ngjarje të vërteta); Gjeografi e shpirtit (poezi,shqip-gjermanisht); Gjeografi e shpirtit (poezi, shqip-anglisht); Rrëfimi i njërës nga ato (tregime). Në dorëshkrim ka dhe disa vepra në poezi e prozë si dhe një roman.

Krijimtaria juaj është e ndarë në dy kategori: për fëmijë dhe për të rritur, çfarë ju frymëzon zakonisht për secilën nga këto dy kategori?
REVISTA HESHTJE
Unë mendoj se kjo ndarja Letërsi për fëmijë dhe Letërsi për të rritur, është më shumë ndarje imagjinare dhe fiktive sesa reale. Mbase ata që merren me studimin e letërsisë kanë bërë një ndarje të tillë vetëm e vetëm që ta kenë një siç e ceka edhe më lartë, për lexuesit e moshave të ndryshme.
Ndërkohë, kur autori bën hapat e parë në lëvrimet letraro-artistike, atëherë kur shumica syresh janë të rinj (të mos themi fëmijë), frymëzimet e para domosdo që do t’i vijnë nga jeta dhe bëmat fëmijërore, pastaj me kalimin e moshës autorin fillojnë ta preokupojnë tema dhe bëma, të themi kushtimisht, të të rriturve.
Personalisht, të gjitha krijimet e mija (të para) letraro-artistike kanë pasur si temë jetën e fëmijëve dhe bëmave të tyre. Në ndërkohë, gjatë studimeve kur m’u dha rasti që të njoh edhe personalisht shumë krijues për të rritur fillova që edhe unë të krijoj diçka të atij niveli.
Kur fillova punën në Programin për fëmijë, të them të drejtën frymëzimet e mija u rikthyen sërish për këtë kategori. Gjatë asaj kohe pothuajse çdo ditë do të takohesha me poet e shkrimtarë që shkruanin kryesisht për fëmijë, andaj edhe frymëzimet do të më dërgonin në atë drejtim.
Dhe jo vetëm kaq:në atë kohë takohesha dhe kaloja shumë kohë me shkrimtarin për fëmijë Rifat Kukaj, dhe domosdo që ndikimi dhe këshillat e tij do të më orientonin në atë drejtim.
Ndërkaq tash më shumë shkruaj dhe krijoj për të rritur se sa për fëmijë.
Lufta dhe mërgimi janë dy tema që më së shumti preferoni të lëvroni, çfarë tema të tjera trajtoni gjithashtu?
REVISTA HESHTJE
Tek populli ynë është një shprehje e mrekullueshme e cila thotë:”Tregomë me cilin rri të të them se cili je!”
Vizavi kësaj perle të popullit tonë, unë do të shtoja:kur autori në jetën e tij ballafaqohet me probleme jetësore, që nuk i përkasin vetëm atij, por një etnie të tërë, siç jemi ne shqiptarët, domosdo që muza krijuese e tij do të orientohet në atë drejtim.
Dhe domosdo që muza letraro-artistike e krijuesve nuk do të guxonte kurrësesi ta tejkalonte atë katrahurë të luftës, pa e nxjerrë nga zemra dhe shpirti si dëshmi edhe për gjeneratat që vijnë.
Edhe pse nuk isha pjesë e luftës për liri dhe mbijetesë, shpirtirisht isha ma ata që na shpëtuan si komb dhe që na e sollën lirinë.
Dhe domosdo që lufta e atyre trimave do të zër vend meritor në krijimtarinë time. Më së miri kjo do të vërehet do tek libri im me titull:”Rrëfime jete”.
Ndërkaq krijimtaria ime për mërgimin, është pothuajse e tëra e vërtetë. Kjo plagë shekullore e kombit tonë, e cila është edhe sot aktuale dhe siç duket do të jetë edhe për kohë të gjatë domosdo që i preokupon dhe do t’i preokupojë edhe në të ardhmen, të gjithë shkrimtarët. Mbase plaga e mërgimit do ta gërryej e gërryej edhe për shumë kohë kombin tonë…

Prej shumë vitesh jetoni në mërgim. Sa sfiduese është për një shkrimtar të veprojë dhe të ketë suksese në veprimtarinë e tij larg atdheut?
REVISTA HESHTJE
Kur shkrimtari ballafaqohet me mërgimin, në fillim duket si i humbur. I gjendur dhe i rrethuar nga njerëz që nuk i ka njohur ndonjëherë, si fillim ai mbyllet në vetvete, dhe për bukur kohë e lë anash krijimtarinë letrare. Personalisht këtë e kam përjetuar edhe në lëkurën time.
Por, fatmirësisht, nganjëherë në jetën e njeriut ndodhin edhe mrekullira.
Në jetën time këto mrekullira ndodhën kur në mërgim takova autor që i kisha njohur edhe më parë, si dhe që nuk i kisha takuar asnjëherë në jetë, por i njihja nga shkrimet e tyre.
Dhe kur shkrimtarët ritakohen rrinë e bisedojnë për preokupimet e tyre jetësore dhe krijuese. Dhe në ato takime japin e marrin edhe ide reciproke. Në një takim të tillë ishte njëri që e hapi idenë e tij për një lloj bashkimi. Sepse siç kemi mësuar nga jeta bashkimi bën fuqinë. Dhe ai që e hodhi idenë për një bashkim krijuesish, nuk do të pushonte deri në realizimin e idesë së tij.
Kështu pra u bashkuam nën një “kulm” me emrin “Lidhja e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë në Gjermani” ku para dy vitesh u zgjodha në rolin e udhëheqësit.
Në vija të përgjithshme për çfarë flet romani juaj i parë, dhe kur do ta ketë në duar lexuesi?
REVISTA HESHTJE
Mund të them se i takoj atij rrethi letrar që nuk flet shumë për krijimet e veta. Kjo,me pak fjalë do të thotë se më me dëshirë i dëgjoj mendimet e lexuesve.
Megjithate Romani im në dorëshkrim, që besoj dhe shpresoj se në duart e lexuesve do të arrijë në vitin që vjen, temë kryesore e ka Luftën e fundit dhe katrahurat e saj.
Me gjithë këtë pasuri letrare që mbani mbi shpatulla,çfarë këshille do u jepnit shkrintarëve të rinj që dëshirojnë të botijnë sa më shumë dhe sa më shpejt?
REVISTA HESHTJE
Në këtë kontekst do ta përmendja një këshillë të Rifatit të madh që në një bisedë me ne krijuesit e rinj thoshte: “Para se të filloni të shkruani, lexoni, shumë lexoni…dhe para se të botoni shkrimet tuaja jepjani t’i lexojë dikujt që di t’i vlerësojë!”