SHKALLA E JETËS I

| Nga LIRIDON HYSENI |

Në atë mëngjes aq të ndritshëm zgjohet nga zhurma që bën dera e vjetër e dhomës kur hapet, e kush tjetër do jetë përveç…

-Babi, babi zgjohu…

-Çfarë ndodhi bukuroshe? – e afron vajzën për nga shtrati dhe njëherësh i përkëdhel kaçurrelat e kuqërremtë mu si nëna e saj, i puth ballin dhe ia dëgjon zërin e ëmbël që gufon butësi e dashuri.

-Shiko babi, kam vizatuar familjen tonë, shiko ja! Këtu je ti, këtu nëna, këtu motra që po e presim të na vijë, shiko kam vizatuar dhe kaçurrelat tona…

-Ohh, moj bija ime, ëngjëlli im, po a për këto më zgjove moj nektari i shpirtit tim?

-Jo babi se desh harrova, nëna më tha të zgjohesh se mëngjesi është gati, t’a përfundojmë më herët që pastaj të nisemi për në…për në…për… – ndriçimi aq i fuqishëm gati sa nuk e verbon, dhe i jep një seri të të rrahurave të forta të zemrës, nuk ka fuqi asnjë fjalë t’a nxjerr nga goja, vuan për pak frymëmarrje, djersët i shkojnë si lumi, zëri i vajzës i vjen si jehonat e një klithme vuajtjeje, papritmas një sirenë dëgjohet dhe mu n’atë moment një krismë e madhe që e tronditë!

-Ahh, ahh, ahh…Oh Zot, oh Zoti im, përsëri kjo ëndërr…Oh Zot, oh Zot  ohhh… – zgjohet edhe më i lodhur nga kotja që e kishte zënë me kokën e mbështetur në xhamin e shokë-dhomës së spitalit, me sytë e molisur shikimi i parë që takon janë vajza dhe gruaja të shtrira të dyja dhe e vetmja “gjallëri” që i kthehet në atë hapësirë është melodia e aparatit të të rrahurave të zemrës së më të dashurave të tij, të tre shpirtrave në dy trupa!

-Përsëri ky ankth i tmerrshëm, po më dënon Zoti që t’a përkujtoj n’çdo moment se si u bëra shkaktar i shkatërrimit të vet arsyejeve t’mija për jetë…

Për të secili zë i aparatit është një pikë gjak që pikon nga zemra, çdo minutë një hap më afër tretjes së shpresës për rikthim të jetës aq të lumtur, çdo natë një përjetësi e kaluar në ferrin më të ashpër!

Për të gjumi është një iluzion i shkurtër arratisjeje, një kthim i limituar në kohë, një terapi e rrejshme e shpirtit, ku nëpër atë ëndërr të përsëritur sa e sa herë dëgjon zërin engjullor të vajzës për të cilin është përmalluar aq shumë, i kuron për një moment buzët e tij duke ia puthur ballin shërues, kthen forcën e duarve kur ledhaton kaqurrelat e bukura të kuqërremtë si të gruas së tij, e cila mbanë me vete një shpirt të pafajshëm dhe pushon e shtrirë përkrah vajzës, duke i pikturar në sytë e tij një ferr tjetër flaka e të cilit nuk shihet as nuk preket, por djegë e shkrumbon secilat inde të çdo qelize të zemrës, e kështu i dërrmon vazhdimisht shpirtin kur edhe lutet në secilën natë, në secilën herë që zgjohet nga ankthi i njejtë për t’iu pikturuar përsëri e përsëri ai ferr para syve…

-O Zot, unë jam gjallë, por Ti e di dhe unë e di se sa e sa herë kam vdekur, andaj ose na merr me vete, ose na kthe në jetë, të lutem o Zoti im! – vërtetë se ai ka vdekur aq herë sa netë që kanë kaluar në atë altar të lutjeve, pragun e shpirtrave e hollin e vuajtjeve qëkur nga mëngjesi i asaj ëndërre, kur gëzimi i vajzës për një udhëtim, u kthye në pendimin që brenë pandalë qënien e tij.

-Doktor, doktor eja shpejt, infermiere, doktor… – ngrihet shpejt nga karrigeja, n’atë moment pëson marramendje shkaku i mungesës së gjumit dhe ushqimit, duke u mbajtur për mure të korridorit me hapa të çrregullt e me shpejtësi maksimale përshkon katin e spitalit duke thirrur me zërin më të lartë që mund t’a nxjerrë nga fyti i tharë…

-Urdhëro zotëri, ç’ndodhi n’këtë orë të natës!

-Lëvizi, lëvizi e pashë unë, për Zotin i lëvizi gishti, për Zotin…

Infermierja me shikim të dhimbsur por të përsëritur sa e sa herë deri tash, sa e sa netë rresht duke dëgjuar iluzionet e këtij burri të shkretë,

të dobët, tash e sa javë, bëhet kinse dëgjon me kujdes ato që thotë dhe i përgjigjet butësisht – Ja do vij unë me ty zotëri.

E me cilën pasuri do e këmbeje pamjen e fytyrës së atij burri, si një lule që qel në pranverë, një shpresë e kulluar në mirësi të pafundme, një ndriçim verbues i gëzimit kur mendon se ferri po mbaron! -Shiko infermiere, shiko i lëvizi gishti ja nga këtu po shikoja, nuk guxoj të hyj brenda unë, por dua të bëni tani diqka, e shihni ja lëvizi po të them, a nuk duhet të zgjohet ajo?

Nuk ka zgjidhje tjetër përveç se t’ia shkatërroj po sa i ndërtoj parajsën… -Zotëri, jeni lodhur shumë, dhe nga lodhja keni pasur ndoshta edhe këso reflektimesh, më dëgjoni mua dhe ejani në dhomën tënde që kemi ndarë për ju që të pushoni, nesër me shpresë se Zoti do të t’gëzoj e do i pranoj lutjet tua! – e kap për krahu dhe me hapa të vegjël të këmbëve që i tërheq zvarrë, të mbathura me ca pandofle pambuku jo fortë të ngrohta, i veshur me një mantil të hollë nate i gjatë aq sa i prek zogun e këmbës, ngadalë e pa dëshirën e tij, i dorëzohet urdhërit të infermieres dhe drejtohet tek dhoma – Por…Por unë e pashë, e pashë…Lëvizi…

  -Zotëri ja arritëm, tani pushoni ju lutem është bërë shumë vonë dhe mos më bëni të inatosem me ju që s’më dëgjoni dhe vazhdimisht ikni nga dhoma, ju lutem të paktën këtë natë pushoni!

Shtrihet ngadalë dhe i turbullosur të duket se fjalët e infermieres po i hyjnë për njërin vesh e i dalin për tjetrin -Unë e pashë, e pashë për Zotin lëvizi…

Dëshpërimi i zakonshëm i kësaj infermiereje që edhe për një natë tjetër përcjell pacientin e saj të spitalit psikiatrik, të ardhur ca javë më parë shkaku se humbi familjen në një aksident rrugorë, teksa shikon burrin e gjorë që e zë gjumi menjëherë nga ajo lodhje e fortë duke përsëritur ato fjalë të njëjta, përsëri dera e vjetër e kësaj dhome bën zërin e zakonshëm teksa mbyllet që i është fiksuar infermieres si shenja që lajmëron fundin e një rutine të punës në ndërrimin e natës, gjersa kupton tash e sa kohë se sa vlerë mund të ketë për dikë veç mendimi, veç iluzioni t’cilat zhvillohen e jetësohen në një hapësirë të vogël të metrave katrorë, në dritaren e murit të jashtëm të korridorit në t’cilin realisht shihet vetëm një pyll i mveshur me bardhësi bore, por hipotetikisht për këtë burrë aty qëndron arsyeja e vetme që i ka mbetur për jetë!

-Të kam thënë t’a mbyllësh një herë e mirë Agronin! – I thotë e mbushur me frymë pasi “rehatoi” pacientin.

-Nuk ma bën zemra Selve, ç’të bëj? A të hiqem sikur nuk e njoh fare, sikur nuk e di se ç’borxh kam ndaj gruas së tij të ndjerë, të refuzoj të kujtoj dhembshurinë, mëshirën, dashurinë e afërsinë që ma falën për kaq shumë vite, më mbajtën pranë e më ujitën me dëlirësinë e tyre shembullore derisa në fund I pashë ata si diell në kohë eklipsi…

-Mos fillo tani unë mendova për të mirën tënde – ia preu Selve.

-Jo mos më ndërprej tash, se po vazhdon për sa e sa netë të panumërta tanimë dhe më e keqja, duhet t’a vëzhgoj e dëshmoj çdo moment vuajtjeje e terrori të këtij eklipsi mortor. – shfryu me dënesë Gona.

Një heshtje e zymtë mbizotëroi në zyren e vogël të dy infermiereve, Selvete dhe Antigona që sonte si shumë netë të tjera punonin në ndrrimin e natës.

  Agronit iu rrëmbente mendja më rrallë ditëve fillestare. Është e çuditshme t’a mendosh se ai është krejtësisht I vetdijshëm për vdekjen e gruas dhe fëmijëve, por gjithashtu edhe krejtësisht i ç’orientuar në aspektin e asaj se çka dhe kë të besoj, besa kjo dhe po e huton Gonën që asesi s’po arrin t’a rekomandoj Agronin si pacient që ka nevojë të mbyllet. Por e ka të vështirë edhe për faktin tjetër që të gjithë janë ose direkt ose tërthorazi në dijeni, Agroni ishte si një baba për Antigonën jetime, e gruaja e tij herë si një nënë e herë si motër e madhe, por edhe s’është që dallojnë shumë këto dy afërsi.

  -T’është ftohur kafeja – u kthjellua nga dehja e mendimeve – mos të mbetet hatri nëse u nguta pak me llomotitje si zakonisht, por netët kur më zgjaten kësisoj ç’akordohem fare. Por meqë ra fjala, kurrë s’të kam pyetur se si dhe pse e ke kaq të afërt Agronin, gjithmonë me disa shkurtesa je gjegjur duke shpërfillur shumicën e ndodhive të kryqëzuara.

-Një natë tjetër- duke mbështetur mjekrrën në pëllëmbë psherëtiu Gona – por kësaj radhe t’a kam borxh vërtetë dhe të betohem se nuk do harroj.

-Mirë , mirë – sikur nuk I kishte dëgjuar Selve sa e sa herë këto justifikime.

“Du me njeh’ deri n’pesëmbëdhjetë, çokolada ku m’ka mbetë. Një, dy, tre, katër…

-Buuu…!

-Babi pse fshihesh kaq kot unë t’a ndjej frymën – gufonte ëmbëlsi me fjalëçkat e vogla.

-Jam plakur dhe s’vrapoj dot të fshihem si dikur, por e di çfarë, argëtimi i vërtetë është se unë do të vë kurth ty që mamaja të mund t’a djeg lojën.

-Jo, largohu – dhe me vrap të rrufeshëm u kthye te muri i syve (ashtu thirrej pjesa e murit ku mbylleshin sytë dhe bëhej numrimi).

-Mos dil zemër se po të kërkon Esma.

-Fshihe pula kryet, se po vie me t’lyp!

-Fshihe pula këmbën, se po vie me e ngrënë! – këndonte ngacmueshëm Agroni.

-Të pa… mos ik… pështy… për të gji… edh… lo…!!!”

-Ka përsëri krizë vrapo! – brofi në çast Gona dhe me vete mori qetësues të tjerë që I mbante në një pjesë të veçantë të dollapit që t’I gjente shpejt e shpejt saherë nevojitej. Kjo ishte rutinë për Agronin, por kohëve të fundit ka lëvizje të çuditshme kryesisht psikologjike. Sa është një moment duke biseduar krejt normalisht me Gonën, sa është duke përjetuar holograme abstrakte të kujtimeve at’hok e të rastësishme ku vihet re nga fjalët e sikleti trupor se ka të bëj me problem nervor më shumë se shpirtëror. Ai nuk pati mundësinë as të qaj për vdekjen e tyre. Ishte në komë ditën kur u bë varrimi i të ndjerës Lenë dhe vajzës Esma.

-Fshihu se të gjeti, fshihu se të gjeti, fshihu, fshihu, fshihuuu… – duke qpurthur si I pushtuar nga shpirtërat për disa çaste të shkurtëra, për fat infermieret arritën t’i mbërthenin me sukses këmbët e duart deri sa të qetësohej sadopak.

-Jo, jo, jo jo jo mos e kafsho dorën, jo jo ktheje kokën drejt meje, më shiko, më shikooo…! – papritmas ndërmendet, I shthurur tërësisht nga aktiviteti paranormal mendëror e fizik i para disa sekondave – Gona, s’jam fare mirë. – i thoshte i mbushur me frymë e ankth.

– S’ke fjetur mirë gjë? – pyeste ajo e përmbajtur dhe kinse kurioze.

– Nuk di në është gjum, apo unë po vdes saher mbylli sytë dhe po zgjohem si në një cikël ekzistencial dhe vazhdoj t’a jetësoj e ndërveproj të njëjtin aktivitet vetëm se në mënyra të ndryshme.

-Por edhe flisni shumë ama – me mimikat e zvetnuara ajo mban ritmin e qetësisë së kontaminuar me ankth të mbërthyer.

-Po ma ndale gojën më mbetet vetëm të pëlcas. Një plaku nuk i thuhet po flet shumë së është më keq se t’a qortosh fëmijën për kuriozitet. Fundja pse më rri ende mbi kokë, ma sill kafenë dhe një cigare nga ato të zezat – Gona vetëm po priste t’a zinte gjumi, por habitej se si ndodhi që “u kthye” Agroni me të injektuar qetësuesin, në vend se të kolapsonte direkt në gjumë të sforcuar.

  E dhimbshme të shohësh një qënie të luhatet në mes realitetit konkret dhe mjegullës shpirtërore. Ishte e çartë se mendja e Agronit kishte tashmë disa pronarë tinxar! Mos kjo, rrëfehet në rrudhat e tij të shtuara se bota është duke u lëkundur periodikisht në surealën dhe realën, fjetja nuk është pushim e as heshtja dënesë. Morti për Agronin nuk është trishtim e as ëndrra hare. Agroni është skaji i komplekseve kohore, lufta mes bindjes dhe pasigurisë në të njëjtën kohë një jehonë jete e kurthuar në vakuum ekzistencial. Por çfarë është ekzistenca? Vrasje apo pasojë?! Ajo ditë që mishëroi tërë këndvështrimin ciklik të kohës, ku në duart e tij rrotullohej timoni e prapa shpinës atomet ndaheshin, energjitë shpërthenin dhe jetërat kapërcenin pragjet e së panjohurës. Kjo qe dita e mishërimit të Agronit. Njeri apo shpirt?! A thua ç’na qenka ekzistenca? Mure të bardha bosh që rrethojnë horizontet vëzhguese dhe lënë hapësirë për manovrime iluzionesh, thërrmija dialogjesh të hamendura në salla pritjesh e kotjesh, mjegull e dendur konceptesh në dyshimet e vazhdueshme ndërgjegjësore? Vetëm ajo kornizë mbeti definim për ekzistencë, apo thjesht duhet të jetë më kurioz?

-Nuk e di Gonë, nuk e di! – pëshpërinë Agroni, duke iu mbyllur sytë avash avash.

Edhe një natë e gjatë në parajsën dhe ferrin e tij, një natë që posa kishte filluar!

  Për herë të parë që nga rehabilitimi Agroni zgjohet plotësisht i vetdijshëm nga gjumi pa bërë asnjë zhurmë të pazakontë, pa alarmuar gjysmën e spitalit dhe pa sforcuar trupin nëpër shtretër e dysheme joadekuate.

-Ç’na qe kjo natë adrenalinash – njihej për frazat poetike qysh në rini e sidomos frymëzimet kryesisht abstrakte. Zhurmat e ambientit, reflektimet e rrezeve të diellit, dekoncentrimet spontane e sidomos bisedat e thelluara. Ishte i çuditshmi I klasës që nga shkolla e mesme; arti nuk e braktisi Agronin, ngaqë Agroni kurrë nuk e braktisi artin. Të mësuar ishin personat që e rrethonin me reflektimet kontradiktore e ndonjëherë edhe absurde.

  Duke kapur veten për dore ngrihet në qarkullim të mjegullt nëpër kthinë e fillon të këndoj aq ulët sa mos të kapen fjalët nga veshi njeriut. Seç i zënë sytë një të çarë të zbehtë nën dollapin e lavamanit. Me t’u afruar zë të habitet me veten dhe gjendjen thuajse kockore të fytyrës që mund të improvizohej si mostër anatomie, kështu mendonte si për shaka gjersa fërkonte mjekrrën e mbushur me qime të ashpërta e të shkurtëra duke u shikuar në pasqyrën e vogël.

-Ende jo, miku im misterioz – bredhjet paranormale e shpjernin herë pas here edhe nëpër halucinacione të shkurtëra, me monologje (mjaft interesante) por që në thelb kishin mjerimin që po e përjetonte në një ambient anormal të tillë si në atë spital.

-Ah sikur të isha I lirë. Sikur të merrja frymë njësoj si gjithë të tjerët, të kujtohesha e përmallohesha si qënie njerëzore. Ku më kanë mbetur pandoflat?! – shtrihet e përpëlitet në kërkim e sipër për rreth gjysmë ore – Kam ftohtë dreqi e marrtë, ku janë ?! – at’hok ndjen gërvishtje të lehta në thembrat e këmbëve të zbathura dhe rrufeshëm tërhiqet me forcën e krahëve të dobët mbrapa deri sa i prek shpina murin. – Kush je ti ?! – nuk ka përgjigjje, e njëherazi i tmerruar të bëj edhe lëvizjen më të vogël – Mu përgjigj vagabond, se për besën e Zotit me kaq pak forcë sa më ka mbetur t’a ngulfas fytin e të bëj të më lutesh për mëshirë! – nuk ka përgjigjje, ajo hije, ajo shkrepje e imët, ai sentiment I shkurtër e huton deri në atë masë sa… – Ja pra, e dija nuk qenke vetëm. Jo jo, më njeh ti mua aq mirë sa e di se s’përballesh dot i vetëm, por nuk frikësohem jo, jam I vetmuar por jo dhe për shumë kohë moj pjellë e djallit… Jo dhe për shumë kohë. Vetëm edhe pak orë, mbase dhe ditë por përsëri pak do jenë. Do hapen ata sy të vegjël, do gjallërojnë stinët, e malet do këndojnë e buqasin epin e kaqurrelave të tyre, aq të bukura sa nuk do shuhen deri sa të ketë bukuri toka e dheu. – me zërin e ngjitur duket sikur I flet vetes për kurajo por realisht ai flet për bindjet e qelura si therra ferri në zemrën e përgjakur që pikon sekond pas sekonde.

  -Nuk do ketë vargje që t’a mjaftojnë rrezatimin e fytyrave qiellore, të zjarrta për nga ndjeshmëria ato zemra të çiltëra, ahhh Zot… Po ku dreqin janë ato pandofla?! Shiko se si u njollosa, s’kam si t’u dal përpara engjëjve të mi me këso paturpësi. – Niset drejt lavamanit, por nuk ka ujë. Ai nuk e vëren; vazhdon e fërkon duart, krahët, fillon e “pastron” mantilin e gjatë, këmbët, rregullon flokët e befas tani edhe fytyra nuk ishte më me kocka. -Kështu pra ju nuk më besoni kur them se sapo të zgjohet gonxheja, pranvera do çeli në trupin tim të sëmurë, e kjo sëmundje është më e dobët se një kokërr rëre përball fuqisë hyjnore të më të dashurave të mija. Ore frikacak, pse tërhiqesh, pse fshihesh?! Eja eja, në strofullën e prekur me nur parajse. Eja në piramidën tënde ti faraon nënshtrues, ku do të të balsamosim e të mbetesh shembull se si djalli tenton por kurrë s’fiton. As madje kundër një trupi të dobët si timin, duarbosh e këmbëzbathur…këmbëzbathur…këmbë… o për Zotin kam shumë ftohtë!

  -Hero i mërdhirë – qesh lehtazi mëvete – Ore ç’është kjo, si s’ke turp të më afrohesh kinse s’ka ndodhur asgjë? Të më mbashë ngrohtë? Ti?! O mos më bëj të plas së qeshu… mu largo, mu largooo, mu lar… – mbështillet i tëri me një valë të nxehtë që i ngjethë shqisat e harruara të kënaqësisë – Fundja ferri s’qenka dhe aq djallëzor – humori kishte mbërritur nivele hollivudiane për Agronin – Zjarri i krahëve të pjellës sate më shpëtoi nga ngrirja. Respekte për ju, ferr i mëshirshëm!

Shpesh jam argëtuar në orvatjet artistike kur mishërohesha me gurët e shkëndijat tuaja, por nuk do ketë shpresë për ne kur të ketë ardhur pranvera, dhe nuk po flas për stinën ti e di mirë. Kam sakrifikuar aq shumë sa mos të ketë mundësi as mendimi për ndryshim sado minoren. Më fal, dhe faleminderit!

 “Ata” u ndanë në paqe, krenarë e miqësisht. Agroni ende në këmbë, i shtohet kurajoja për të çarën e zbehtë poshtë dollapit të lavamanit shterpë, saqë kur afrohet fillon t’a nuhas – nuk ka aromë ferri këtu, nuk e kam hasur kaq të rëndë ndonjëherë. Mjeshtëëër – thërret mjaftë butë sa të mos alarmoj korridoret – a ka njeri, apo djall, apo kushdo! – errët, shumë errët për sytë e molisur. E pikëlluar qe kureshtja e tij që përfundoi me një pasthirrmë – Më vrit e më bëj nder!