“SHKRIMTARI MES BOTËS LETRARE DHE AKADEMIKE”

Albin Mehmeti lindi më 26 prill 1992 në Skenderaj, aty ku përfundoi edhe shkollimin fillor dhe të mesëm. Më pas vazdhoi studimet për letërsi në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, ku dhe përfundoi studimet Master në Letërsi Shqipe. Deri më tani është pjesëmarrës në disa konferenca shkencore, në Kosovë dhe në Shqipëri. Përveç fushës së studimeve, ai merret edhe me krijimtari letrare, kryesisht në prozë. Në vitin 2018 botoi librin e tij të parë me tregime “Telegrami dhe tregime të tjera”, më vonë dhe libri i dytë “Hipnoza”.  Në vitin 2019 ishte pjesëmarrës i festivalit ndërkombëtar të prozës “Fiction fest”.  Tregimi i tij “Shfaqja” tani është botuar edhe në Greqi, si pjesë e “Antologjisë së tregimit ballkanik”.  Disa nga tregimet e tij janë përkthyer edhe në gjuhën turke. Jeton dhe vepron në qytetin e tij të lindjes, Skenderaj.  

A mund të na flisni pak shkurtimisht për librat tuaj “Telegrami dhe tregime të tjerë” dhe “Hipnoza”, dhe cilit lexues i përshtaten më së shumti?

REVİSTA HESHTJE

“Telegrami dhe tregime të tjerë” dhe “Hipnoza” janë dy vëllime me tregime, të cilat së bashku përmbajnë tridhjetë e pesë tregime. Si në të parën, ashtu edhe në të dytën ngjarjet zhvillohen në qytetin fiksional të Dashamirit. Në këtë qytet, që ka emër shqiptar, por që nuk mëton të jetë asnjë qytet i caktuar në hapësirat shqiptare, pasi ai mund të jetë çdo qytet i botës, ndodhin krime nga më të ndryshmet, prej vrasjes për hakmarrje për mikun, vrasje për pushtet e deri te vrasjet për ta fituar rolin në teatër apo për ta fituar konkursin e më të mirit në letërsi. Personazhet kanë emra shqiptarësh, por nuk kanë identitet etnik, kjo pasi që krimi i tyre nuk ndërlidhet me hapësirën gjeografike ku ata jetojnë. Në disa nga tregimet miti çmitizohet dhe këto histori nga rrëfimet legjendare shndërrohen në vepra kriminale, të cilat mund të kenë ndodhur në të kaluarën, por që janë fshehur nën petkun e një narracioni mitik. Të dy vëllimet me tregime mund të lexohen edhe nga lexuesi semantik, i cili kënaqet me ngjarjen e me zbulimin e një krimi, por edhe nga lexuesi semiotik, i cili veneron referencat e remenishencat dhe vëren lojën narrative brenda tregimeve. 

Kohët e fundit keni përmendur në lidhje me një projektin tuaj të ardhshëm mbi të cilin po punon aktualisht, dhe që bëhet fjalë për romanin e parë. Në çfarë faze është, në vija të përgjithshme për çfarë flet dhe kur do ta ketë lexuesi në duar?

REVISTA HESHTJE

Nga planet e afërta, romani ka kaluar në planet e mia afatmesme. Disa angazhime profesionale dhe personale kanë bërë që romani të stagnojë, por jo të mbetet në harresë. Ajo çfarë punoj me roman është përpunimi i idesë, ngjarjeve dhe gdhendja e cilësive të personazheve. Romani do të trajtojë një ngjarje në një kohë krize në Dashamir, ku njeriu do të jetë në gjendje të vrasë njerëz të shumtë, vetëm e vetëm që ta marrë pushtetin. Ideja e romanit ndërlidhet me luftën mes dijes dhe padijes dhe shembjen e idealeve, të cilat njerëzit i lartësojnë pa qenë të tilla.   

Nëpër rrjete sociale keni ndarë me miq disa poezi. A mendoni të botoni në të ardhmen një përmbledhje me poezi?

Poezi shkruaj herë pas here. Për mua poezia është pasqyrim i ndjenjave të brendshme, andaj edhe nëse e shihni, poezitë e mia janë të shkruara gjithherë në dialektin gegë, aty ku ndjenja arrihet të pasqyrohet si ndjenjë. E ndiej që poezia nuk është arma ime e fortë, por e kam bërë një premtim që poezitë e shkruara për dy dashuritë e mia, Kosovën dhe bashkëshorten time, një ditë, mbase jo larg do t’i botoj.  

Dimë që, sa i përket letërsisë shqiptare vlerësoni dhe frymëzoheni nga Qosja, Podrimja, Fishta dhe Shkreli. Po nga letërsia e huaj, përveç Borges kë do të veçonit?

REVISTA HESHTJE

Padyshim se autorët shqiptarë që ju përmendët, por edhe autorë të tjerë kanë ndikuar që ta dua letërsinë. Por një pjesë e madhe e ndikimit tim dhe dashuria ime për letërsinë ndërlidhet me autorët kulminantë që njeh letërsia botërore, që nga Homeri, Dante, Shekspiri, Dostojevski, Tolstoi, Kafka e Kamy e deri tek autorët postmodernë, të tillë si Eko, Roth e Vunnegut. Përveç tyre do ta veçoja edhe autorin iranian Sadek Hedajat, i njohur për publikun shqiptar me veprën “Bufi i verbër”, si dhe Agatha Christie, e njohur për tregimin dhe romanin kriminalistik, zhanër të cilin mundohem ta aplikoj në tregimet e mia.   

Duke qenë se keni përfunduar studimet master për letërsi, dhe jeni pjesë e botës akademike, me punime shkencore dhe analiza e kritikë letrare, si ndodh tek ju ky procesi i kalimit nga një botë në tjetrën (asaj akademike në atë letrare)?

REVISTA HESHTJE

Gjithherë e shoh se vija ndarëse mes shkrimtarit dhe kritikut është një vijë e vogël, herë-herë e padukshme. Në një formë apo në një tjetër edhe kritiku në vetvete është artist. Andaj, edhe kalimi prej një bote në një tjetër është i lehtë, pasi që bota akademike i ndihmon botës fiktive në perfeksionim, si dhe bota fiktive i mundëson gjallërinë botës akademike letrare. Mendoj se shkollimi im për letërsi dhe njohja ime me teori të ndryshme letrare më ka ndihmuar në letërsinë fiktive, të cilën e shkruaj. Prandaj, kur shkruaj letërsi fiktive gjithherë pas veti mundohem ta kujtoj bagazhin që kam nga bota akademike, dhe kur shkruaj kritikë mundohem ta përjetoj sikur jam duke shkruar letërsi fiktive. 

Në tregimet tuaja dënoni padrejtësitë shoqërore (social injustice), thumboni politikën, dhe përpiqeni të ndërgjegjësoni masën. A do të thotë kjo se e shihni letërsinë më shumë si një mision se sa profesion (zanat, art…)?

REVISTA HESHTJE

Letërsia duhet ta ketë misionin që ta fisnikërojë njeriun, por ajo nuk duhet të jetë mjet për ta dirigjuar masën. Letërsia duhet t’i godasë fenomenet, por jo të përdoret si instrument që në vete bartë ngarkesa ideologjike që kanë mision edukimin e njeriut. Letërsia duhet të mbetet letërsi, e cila si qëllim ka njeriun ta bëjë njeri, por në asnjë mënyrë ta veshë njeriun me petkun e një ideologjie dhe në asnjë mënyrë ta zhveshë atë nga njerëzillëku.   

Çfarë nënkupton për ju nocioni HESHTJE?

REVISTA HESHTJE

Heshtje do të thotë që përmes saj të flasësh më shumë sesa me zë. Të heshtësh do të thotë ta dëgjosh zërin tënd, i cili mund të jetë zëri që do ta ndryshojë botën. Të heshtësh do të thotë që me heshtjen tënde ta arrish ta mahnitësh tjetrin. E ku ka heshtje më të mirë sesa fjala e shkruar?!