“SHKRIMTARJA E RE POR ME KRIJIMTARI TË PASUR LETRARE”

 Marigona Krasniqi u lind në dhjetor të vitit 1993, në Drenas. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme të mjekësisë në Gjakovë. Aktualisht studion Mjekësinë e Përgjithshme në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. “Zëri i mbytur i gruas” është romani i parë i Marigonës, gjithashtu libri i dytë i saj pas “Trëndafili kërkon shi”, një pëmbledhje poetike. “Zëri i mbytur i Gruas” roman që flet për vuajtjet e popullit të Kosovës gjatë luftës, duke u fokusuar te sakrificat e grave e vajzave kosovare disa nga të cilat i dhanë fund jetës për t’mos u bërë “gjah”, e të tjera përfunduan viktima të brutalitetit seksual. 

Sa e rëndësishme është letërsia në jetën tënde dhe cili është raporti yt me të?

REVISTA HESHTJE

Ndonëse letërsia nuk është dega që unë kam studiuar, është një fushë që më ngacmon dhe më zgjon shumë kërshëri. Ndaj edhe interesimi im për letësinë nuk mungon. Dhe me publikimet dhe librat e mi, përpiqem t’i kontriboj letërsisë shqiptare, duke e pasuruar një mënyrë të veçantë të të shkruarit. 

A ke ndonjë shkrimtar/e prej të cilit/cilës frymëzohesh dhe motivohesh?

REVISTA HESHTJE

Është e vërtetë që një lexues me apo pa vetëdije frymëzohet dhe motivohet nga librat që lexon. Personalisht, duke qenë një lexuese shumë kritike, nuk ndjek verbërisht ndonjë autor. Por sigurisht që jam shumë selektive në përzgjedhjen e librit dhe autorit. Dhe nga secili prej tyre marrë atë çka dua dhe e flak tutje atë që nuk më pëlqen.

Cili është vizioni që të ka shoqëruar gjatë rrugëtimit tënd deri në këtë fazë të jetës tënde?

REVISTA HESHTJE

Dëshira për të ndarë me të tjerët çdo mirësi me të cilën jam begatuar ose e kam fituar gjatë rrugës. Si rezultat ndihem përplot, kam gjithmonë diçka për të thënë, një këshillë për të dhënë apo një mesazh për ta përçuar.

Na flit pak për personazhet e librave të tu, apo për tematikat kryesore dhe mesazhet që ata mbartin!

REVISTA HESHTJE

Personazhet e mi janë kryesisht njerëz të thjeshtë por me ambicie të mëdha, që shpesh gjenden në mesin tonë. Njerëz të paisur me çiltësi, ndershmëri, etje për dije e shumë dashamirësi, që parakalojnë trimërisht nëpër sprova e vështirësi.

Këta personazhe shkrihen e lakohen në forma dhe trajta të ndryshme, duke prekur pothuajse çdo pore jete.

Në librat e mi kryesisht dominojnë shkrimet motivuese, poashtu shkrime në mbrojtje të të drejtave njerëzore, me theks të veçantë grave, shkrime që zgjojnë brenda lexuesit dashurinë, atdhedashurinë, guximin, këmbënguljen etj. 

Sa përqind e librit “Zëri i mbytur i gruas” është realitet dhe a do të ketë një vazhdimësi të librit apo e ke mbyllur me kaq kapitullin mbi luftën?

REVISTA HESHTJE

 “Zëri i mbytur i gruas” është libri që e kam ndjerë më së shumti gjatë të shkruarit. Kjo për faktin se është rrëfim real i një të mbijetuare nga dhuna seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, ndaj duke filluar gjatë intervistes me të mbijetuarën, emocione të forta më kanë përcjellur gjatë gjithë fazës së dorëshkrimit. Sa i përket idesë për një vazhdimësi të këtij librit, thënë të drejtën ende nuk e kam një vendim fiks për këtë, por për një gjë e di me siguri që do të ketë një ribotim.

Dhe në fund, si e percepton “heshtjen”si koncept? 

REVISTA HESHTJE

Heshtja është një armë, ku fishekë ka mijëra fjalë. Duhet ditur përdorur në kohën dhe vendin e duhur, në të kundërten ajo pamëshirshëm vret.