| Nga DASHURIJE BAJRAMI |
S’është më ajo e vjetra shtëpi,
kur pranë dritares lumturohesha,
s’qëndron më as e njejta çati,
ku si fëmijë asaj ngrohtësie i gëzohesha!
S’është më ajo shtëpia e vjetër,
por s’janë më as njerëzit e saj,
m’duket se qëndroj krejt diku tjetër,
sa herë shkoj e vizitoj prandaj!
S’është më ajo shtëpia e vjetër,
s’qëndron më aty as ajo dritarja ku pranë saj ulesha
me një laps dhe një letër,
as gjyshja që më thoshte shkruaji nga unë t’fala!
S’është më ajo e bukura shtëpi,
edhe pse ishte e ndërtuar
nga balta,
aty s’janë më as prindërit e mi,
më aty s’janë të njejtë as dita dhe nata!
S’është më as ajo buzëqeshja,
as gropat në faqe që m’kishin hije,
s’qëndrojnë më as ato gërsheta,
që m’i thurte nana me aq shumë shije!