| Nga HAMDI NUHIJU |
Fjala e cila nuk del nga zemra është e egër, të ngec në fyt. Po nuk ndërhyn me diçka mund që ta pësosh. Trupi nuk e pranon. Nuk e pranojnë ndjenjat, jeta dhe shikimi përtej dritares. Njeriu hedh shikimin e tij mbi botën. Shikon në horizontin e kaltër idenë e cila në formë zig-zage përshtjellon mendimet. Çdo turbullirë krijon imazhin e kaosit. Kaos që krijohet në rrethanat dhe ambientin e ujqërve.
Fjala e cila shpon në zemër si shigjetë e mjeshtreve japonez, është e pamenduar. Fjollat e saj janë të njëjta si të borës, pesha e saj është sa një pikë uji në oqeanin Atlantik. Bie pandërprerë deri në momentin e thumbimit të madh.
Fjala e cila rrjedh mbi lumin Nil duket e shkurtër. Lumit më të gjatë në botë. Vdekje! Heshtje! Qetësi! Madhështi! Por nuk është fjalë. Është naze gruaje. Rri para portave të saj si një lypsar duke kërkuar mëshirën e ditës.
Fjala e cila kthehet në zemër, është dhimbje. Është fjalë e pathënë që përvetësohet si urtësitë popullore ndër shekuj. Popujt gjenë prenë e tyre tek urtësia. Përmes shtegut të saj mundohen që të zgjidhin problemet e ndryshme fisnore, shoqërore, ekonomike e fetare. Por, urtësia e përvetësuar është thesar, fjalë e pathënë e cila zihet në zemër.
Fjala që nuk të zbutë, është zhurmë, e cila krijohet nga çakordimi i mendjes. Notat e saj nuk janë në harmoni me njëra tjetrën. Janë fiks si ajo molla japoneze e freskët.
Mollët japoneze sa më të buta janë më të ëmbla. Freskojnë trupin dhe mendjen e njeriut.