TALIT’HA KUMI

| Nga NADA DOSTI |

Qytet me shtëpi prej guri. Emri i qytetit do të thotë “Shtëpia e Bukës”.

Konvikti im gjendet në qytezën Beit Jala. Emri i qytezës do të thotë “Qilim prej Bari”. 

Kur mora vesh se do rrija në konviktin e një shkolle evangjeliste luteriane, gjëja e parë që më shkoi në mendje ishte se për kujdestare dhe punonjëse do kishim me siguri murgesha. Imagjinata ime e çmendur më çoi të përfytytoj dhoma të errëta më një kryq në krye të krevatit, këmbana që binin kudo nëpër kampus, një menzë ku për çdo vakt të këndoheshin lutje të përbashkëta duke puthitur pëllëmbët e duarve me njëra-tjetrën.

Por në fakt nuk ndodhi ashtu. Konvikti ishte si të gjitha konviktet e tjera që kam qenë më përpara, pra njëjtë si në Tiranë, Ohër, Beograd dhe Ankara. Vetëm se ky në Beit Jala ishte me mure prej guri dhe dekorime mermeri që të jeptë një ndjesi të një lidhje të fortë me historinë dhe antikitetin.

Konvikti e kishte emrin “Talitha Kumi”. Sapo e dëgjova këtë emër më tingëlloi këndshëm dhe fillova të hulumtoj për historikun e saj. Në mendje më erdhi ndonjë grua lidere, apo misionare ose edhe ndonjë një shenjtore, pse jo. 

Në lashtësi, na ishte një vajzë shumë punëtore, e zgjuar dhe e shkathët. Vajza quhej Talitha. Nuk dihet gjë për nënën e saj, por babai i saj ishte një punonjës shteti i asaj kohe, një njeri i rëndësishëm por jo dhe aq i pushtetshëm dhe i pasur sa të mund të shëronte të bijën e vetë e cila vuante nga një hemoragji e vazhdueshme. Pas dymbëdhjetë pranverash, Talitha ndërron jetë. Një burri i urtë, i madh, i mençur, me fjalë të tjera mrekullia vetë, me fuqi të Zotit e paska rikthyer edhe njëherë në jetë. Pasi e sheh të atin të zhytur në lot dhe dëshpërim, e ngushëllon dhe i jep kurajo, ndërsa të bijës i drejtohet dhe i thotë: Talitah Kumi  (Talitha çohu moj bijë! Çohu vogëlushe!) Përqafohen babë e bijë dhe asnjë bela nuk i kaplon më, vetëm se mirësitë i shoqërojnë derisa kanë jetë!