Pranvera Nevzadi shkrimtare nga Kosova, e cila shkruan qoftë poezi por edhe prozë, tregime dhe romane. Ka përfunduar studimet e nivelit Master në Administrim Biznesi dhe Ekonomi. Në vitin 2016 ka nxjerrë edhe përmbledhjen e parë me poezi “Agimi është afër”, duke e përcjellë edhe me botime të tjera më pas romanin“Thyerja e fundit”, si dhe librin me tregime “45 minuta”.
Një hapsirë e vaçantë në botimet e saja i është dedikuar edhe shëndetit mendor tek të rinjtë i cili mbetet ende tabu dhe i padiskutueshëm në shoqëri, si dhe çështjes së grave, luftës dhe vështirësive që kombi ka kaluar gjatë këtyre dekadave.

Si lindi pasioni juaj për letërsinë dhe të shkruarit dhe sa të lidhura janë këto më profesionin tuaj apo pasione të tjera?
REVISTA HESHTJE
Edhe pse për kualifikimin tim profesional kam zgjedhur tjetër fushë dhe tjetër drejtim, shkrimi ka qenë pasioni im që në vegjëli, dhe si fëmijë më është dhënë rasti që herë pas here të botoj poezi të ndryshme në revistat mujore të asaj kohe. Si fëmijë, për shkak që besoja se përmes shkrimit unë po jepja një kontribut sado modest për vendin në atë kohë të zymtë, shkrimi u shndërrua në pasionin tim që më ka përcjellë vazhdimisht. Ndonëse profesioni që unë kam zgjedhur nuk kërkon me patjetër një frymë estetike letrare për të shkruar, ky pasion vetëm sa i ka pasuruar njohuritë e marra gjatë studimeve.

Cilët autor vendas dhe të huaj preferoni më së shumti dhe prej të cilëve frymëzoheni?
REVISTA HESHTJE
Është e vështirë të dallosh apo të zgjedhësh disa autorë në një karvan kaq të madh autorësh të suksesshëm dhe të mrekullueshëm që ka pasur dhe ka letërsia shqipe dhe ajo botërore. Meqë poezia si gjini letrare është ajo që pëlqej më së shumti, poezitë e Dritëro Agollit për mua mbetën vargjet që më flenë më së miri në shpirt, e që e bëjnë autorin tim të preferuar. Nga autorë të huaj, që e prek thellë kuptimin e jetës me vargjet e tij, shkrimtari turk Nexhip Fazël Kësakyrek, mbetet autori im më i pëlqyer.
Për çfarë dhe kujt i shkruani më së shumti?
REVISTA HESHTJE
Njeriu ka një lidhje të pashmangshme me dashurinë për jetën, është gjithmonë në kërkim të lumturisë, dhe në luftë me atë që na sjell jeta deri në vdekje. Këto në shpirt lënë gjurmë dhe mbi supet tona janë përjetime. Një poet shpesh niset nga kjo pikë. Por në anën tjetër është edhe bota që na rrethon. Janë goditjet dhe përkëdheljet e jetës që të inspirojnë. Nuk kam një motiv të caktuar, frymëzohem nga momentet, ngjarjet që i dëgjojmë apo edhe ato që vet i përjetojmë. Pra, nuk i përmbahem një tematikë e caktuar kur shkruaj, por, për mua është e rëndësishme që përmes asaj që shkruaj, të lë një mesazh domethënës për lexuesin.

A mund të na flisni pak për librat tuaj dhe tematikën e tyre?
REVISTA HESHTJE
“Agimi është afër” është botimi i parë dhe për mua ka qenë emocion i veçantë. Është një përmbledhje me poezi që përçon shumë ndjenja të fiksuara në vargje. Ndonëse si libër i parë, mund të ketë shumë ngecje artistike, por është shkruar me një përpjekje të çiltër dhe për mua, kjo e bënë më të veçantë.
Sa i përket romanit “Thyerja e fundit”, romani në vete përmban ngjarje dhe përjetime reale të personazheve dhe teksa e shkruaja, ndjeja se po përjetoja ato vuajtje të atyre grave fisnike që shprehin pakënaqësitë, mërzinë dhe dhimbjet e tyre. Për mua ka qenë një zë protestues për realitetin e grave që janë viktima të rrethanave, traditave të vrazhda por edhe abuzimeve tjera.
Ndërsa “45 minuta” është një libër që përmbledh disa tregime. Ky libër ka një qasje sociale që trajton tema shumë të ndieshme në lidhje me kategori të ndryshme njerëzish. Secili tregim shtjellon një ngjarje që prek direkt apo indirekt jetën reale në vend. Një hapsirë e vaçantë i është dhënë edhe shëndetit mendor te të rinjtë i cili në shumë raste mbetet tabu dhe i padiskutueshëm në shoqëri.

Cili do të jetë projekti juaj i ardhshëm, a mund ta na flisni pak shkurtimisht?
REVISTA HESHTJE
Tani për tani kam disa dorëshkrime të cilat janë duke pritur momentin e duhur për t’u botuar, mes të cilave edhe një libër për fëmijë. Do të më pëlqente t’i jepja përparësi këtij libri i cili përmban rregulla edukative për fëmijë dhe ngjarje motivuese për vetëzhvillim. Mendoj se fëmijët kanë nevojë për një “udhëzues praktik” se si t’i kanalizojnë qëllimet e tyre dhe idetë për të ardhmen.
Si e perceptoni nocionin HESHTJE?
REVISTA HESHTJE
Për mua, heshtja është një përgjigje. Shpesh herë, është përgjigja më e mençur që mund t’ia japësh dikujt. Në kuptimin e figurshëm, disa gjëra që nuk i thonë fjalët, heshtja i flet më së miri. Kur ne përballemi me njerëz që nuk vlerësojnë fjalët tona, heshtja është ajo që na nderon karshi tyre. E shoh si simbol të pjekurisë. Heshtja na lejon të lidhemi me ndjenjat tona më të thella, na ndihmon ta gjejmë paqen dhe qetësinë që na duhet shpesh në jetën tonë.