| Nga MEDADIN LIMANI |
Hija e kështjellës sa herë që binte mbi qytet, kujtesën ndante në dysh; disa strehoheshin te e kaluara, të tjerë mbanin peshën e së tashmes.
Selim Bullari, i rritur në një nga shtëpitë e vjetra të Elbasanit, e kaloi jetën në një vend ku malet nuk e ndryshojnë vendin e tyre. Njerëzit vinin e shkonin, shtëpitë zbrazeshin, emrat harroheshin; por shpatet ruanin të njëjtin vështrim. Pesha e kohës mbetej në gurë, ndërsa ajo e njeriut grumbullohej brenda tij.
Në mëngjes, kur hapte derën, përballë i qëndronte sërish i njëjti shpat. Vija e ashpër e maleve në veri, sikur nuk mbante njeriun, por kohën. Shiu lagte, bora vinte e ikte; pronat ndryshonin, jeta ishte një ardhje e shkuarje e vazhdueshme. Por ato maja të thepisura shikonin gjithmonë njësoj. Zverdheshin, heshtnin; megjithatë nuk lëviznin nga vendi.
Kur ishte i ri, e kishte marrë për qetësi. Më vonë mësoi se ishte një lloj mbylljeje. Në ato vite, edhe ceremonitë nuk llogariteshin si dasma të vërteta. Në fillim shkohej në kooperativë, numri i të ftuarve shkruhej me shifra, regjistrohej kush do të vinte. Aty përcaktohej sa miell, sheqer, vaj dhe mish do të jepeshin. Era e tavës së Elbasanit, për një ditë të vetme të bënte të harroje frikën; më shumë të kujtonte pritjet sesa dasmat. Nëse nuk kishte leje, nuk kishte as gëzim.
Në ato vite, ata që kundërshtonin ose pushonin së foluri, ose zhdukeshin. Selimi, me kalimin e moshës, u tërhoq në heshtje. Pas martesës me Bedrije Hakën, nga një nga familjet e vjetra të të njëjtit qytet, shtëpia u mbush me njerëz; por zërat u pakësuan. Perdet ishin gjithmonë të mbyllura, edhe drita hynte me masë të caktuar. Njerëzit nuk qeshnin me zë të lartë; sepse ishte një kohë kur edhe e qeshura mund të keqkuptohej.
Kur lindi vajza e parë, Selimi u ul nën pemën e fikut. Gëzim kishte, por ishte i kujdesshëm; sikur edhe gëzimi i tepërt tërhiqte vëmendje. Në këto troje, të rrisje fëmijë nuk ishte vetëm ta mbaje gjallë, por edhe të mësoje si ta bëje të padukshëm gjatë rritjes.
Mësuesit i mbingarkonin fëmijët me pyetje për shtëpinë: kush vjen, çfarë flisni, çfarë bën babai, dhe nuk i linin të qetë; nuk u mbetej vend as për frymëmarrje as për lojë! Fëmijët i çonin këto pyetje në shtëpi si zogj lajmëtarë.
Në shtëpi nuk jepej përgjigje. Babai shikonte malet. Majat nuk flisnin; vetëm dëgjonin.
Në ato vite, brenda shtëpisë ekzistonte një jetë e fshehur; jashtë funksiononte një rend tjetër. Disa fjalë nisnin në kuzhinë dhe mbeteshin përgjysmë te dera. Në ditët kur fati i atyre që donin të iknin qarkullonte në heshtje nga goja në gojë, larg mureve, edhe fjalëve u matej pesha më parë; nuk zgjidhej ajo që do të thuhej, por ajo që do të heshtej. Disa emra nuk shqiptoheshin kurrë. Gruaja e shtëpisë e zbehte dritën, burri dëgjonte derën. Edhe era ishte kthyer në diçka që mund të keqkuptohej në ato ditë.
Frika në këtë vend nuk shkruhej në mure. Ajo hynte në brendësi të mureve dhe linte një ndjesi vëzhgimi, ku edhe shikimi mbante kuptim.
***
Disa njerëz u zhdukën nga qyteti. Një natë u morën dhe u larguan. Nuk u kthyen më. Imami i xhamisë u var; prifti i kishës u pushkatua. Askush nuk pyeti ku. Ata që guxuan të pyesnin nuk qëndruan gjatë. Selimi mësoi të vështronte pas tyre. Të shohësh ishte më e sigurt se të flisje. Kështu, me kohë, mësoi të dallonte ata që shikonin nga ata që shiheshin.
-Njeriu nuk mund ta mbajë shtëpinë me vete, apo jo?!
-Nëse e mban, kështu jeton!
Bedrija rrudhi supet, “Jeta nuk është e njëjtë, more burrë,” tha; zëri i ulët, u tërhoq në kuzhinë.
Jashtë, malet ishin në vend. Zhurma kishte ndryshuar, rrugët ishin hapur. Njerëzit shkonin më larg. Disa heshtje mbetën në shtëpi. Disa rrugë ishin ende brenda.
Ajo fjali, vite më vonë do të zinte vend ngadalë në mendjen e tij, por atëherë vetë kuptimi do të kishte ndryshuar; edhe mendimet nuk do të qëndronin me të njëjtën peshë.
***
Kur regjimi u shemb, Selimi tashmë ishte plakur. E kaluara i kishte dhënë nder, maturi dhe qëndrueshmëri; drejtësia e tij e bënte fjalën të mjaftueshme. Në rrugë njerëzit bërtisnin, fjalët që për vite ishin pëshpëritur tani thuheshin me zë të lartë. Të nesërmen në mëngjes ai shkoi sërish në arë. Sepse për disa njerëz, edhe kur sistemi ndryshon, jeta mbetet e njëjtë; frika ndryshonte vetëm njeriun. Megjithatë, ai e dinte se brenda tij nuk kishte një çlirim të plotë.
Vajzat u rritën. Kur u erdhi koha, dolën nga shtëpia. Disa shkuan në Greqi, disa në Itali, njëra në Shkup, dy mbetën në Elbasan. Shtëpia u zbraz nga njerëzit; por u mbush me një qetësi që vinte nga larg. Mbeti heshtja, pastaj u vendos malli. Pritja u kthye sërish brenda shtëpisë. Në këtë kohë, njëra nga vajzat erdhi; tha me drojë se donte të ndiqte një rrugë në një vend tjetër për të ndërtuar veten. Babai heshti gjatë. Në këto troje, heshtja shpesh ishte vendimi më i prerë.
Pastaj tha vetëm: Shko!
Ishte një fjalë e vetme. Por brenda saj ishte frika e viteve, heshtja e një jete nën tërheqje. Në atë çast, ai dukej sikur po dilte jo nga një rend, por nga hijet që i ishin vendosur prej kohësh brenda.
Më pas Bedrija u sëmur papritur. Vajzat ishin në vende të ndryshme; nuk arritën të mblidheshin për herë të fundit. Kjo mungesë mbeti me të njëjtën peshë tek të gjitha. Fjalët e pathëna, përqafimet e mbetura përgjysmë, dashuritë e pashprehura, pendesat e pashlyera, lamtumirat e vonuara u bashkuan diku; u kthyen në një plagë që e kaluara nuk e mbylli dot. Si zogjtë shtegtarë, ajo u largua me frymën e fundit; përtej dritares nuk kishte askënd.
Që nga ajo ditë, shtëpia nuk ishte më një vatër. Muret qëndronin njësoj. Por brenda kish mbetur jetim. Selimi vazhdonte të qëndronte në këmbë; shikonte tryezën si dikur kur uleshin të gjithë, dhe e mbante heshtjen brenda vetes.
Vetmia këtu nuk ishte ndonjë kuptim romantik. Në këtë vend, vetmia ishte të shikoje një karrige të zbrazët dhe të pyesje pse ajo ende qëndron aty.
***
Kur u plak, shtëpia filloi sërish të mbushej me njerëz. Vajzat e tij, nga vendet ku jeta i kishte shpërndarë, vinin e shkonin me radhë. Disa vinin nga vende të largëta, disa nga qytete të afërta. Me vete sillnin edhe fëmijët e tyre që flisnin gjuhë të ndryshme. Të gjithë ishin degë të shumta nga gjaku i tij, nga jeta e tij.
Babai i dikurshëm, tani ishte bërë gjysh. Selimi e pushonte lodhjen e jetës në shtratin e tij. Në krye të krevatit i rrinin gjashtë vajzat e tij, të renditura sipas moshës. Në fund të këmbëve, siç e kishte dashur vetë, qëndronin dhëndurët. Në dhomë endej zëri i nipërve; shtëpia që dikur ishte zbrazur nga frika dhe ishte bërë e heshtur, tani ishte mbushur me gëzimin e fëmijëve.
Ndoshta për herë të parë ndodhej në një turmë kaq të hapur. Nuk kishte më nxitim për t’u fshehur në kuzhinë, as zakonin për të kthyer kokën kur dilte jashtë. Megjithatë, kujdesi i mësuar ndër vite nuk largohet lehtë nga njeriu.
Në atë çast një nga dhëndurët iu afrua dhe i pëshpëriti në vesh fjalët që besonte në heshtje. Selimi mbylli sytë. Këtë herë i mbylli me qetësi. Sepse frikë nuk kishte. Frika ishte mësuar gjatë jetës; tani ai po e ndjente shijen e lirisë.
Në cepin e syrit të djathtë iu mblodh një pikë loti. Me një rëndesë të ngjashme me jetën e tij, ajo rrëshqiti në faqe.
Malet mbetën në vend!
Pas një jete të kaluar mes nxitimesh të pafundme, ai u ndal në atë çast qetësie që njeriu e arrin vetëm pas shumë përpjekjesh. Në rrëmujën e jetës, kjo frymëmarrje e thellë ishte e para e vërtetë. Pastaj, gjithë lodhjen, gjithë heshtjen dhe gjithë jetën e tij i mblodhi në një fjali të vetme:
Ne nuk ndryshuam vend… na shtyu vendi ynë…
Fjalët qëndruan për një kohë në dhomë. Pastaj shikimi iu largua. U përqafua me gjumin dhe mbylli sytë. Jashtë malet ishin në vend. Brenda, një burrë që kishte jetuar për vite me frikë, më në fund u tërhoq në një qetësi ku frika nuk arrinte më.
Foto@YM