TI BUZËQESH

| Nga DRITAN SKENDERI |

Të deshta, shumë të deshta
Një Zot e di se sa
Tu dorëzova qenësisht, plotësisht
Në ty përjetësinë gjeta
O Zot, në çast të besova, për gjithçka
Frymë e uj të konsiderova
Aq thjesht, aq çiltër…
As në imagjinatë s’gjeja dot një si ty
Frymoja ti, jetoja ti, shihja e buzëqeshja ti…
Kaq rëndë e kishe t’ma thuash të vërtetën në sy?
Hë shpirt?
Kaq rëndë e kishe të më “vrasësh” përnjëherë?
Po ç’plage shërove me mua, xhanëm?
Ç’vuajtje mjekove me mua?
Ma thuaj të paktën cilën ta shkaktova unë
Që unë duhej ta paguaj
Përse zgjodhe këtë rrugë…
S’e durove dashurinë time?
Përkushtimin tim ndaj teje?
Apo isha më i kuptueshëm se ç’duhej
Më i matur, më i sjellshëm
Të pengoi që të shihja e të trajtoja me delikatesë
Me përdëllim…
Si Mbretëreshë
Hë, shpirti im?
Prandaj zgjodhe t’më vrasësh dhe ti me delikatesë, ngadalë
Të ma marrësh shpirtin akoma nga trupi pa më dalë
T’më qëllosh me plumb torture
Por të mos bie përdhe
T’më hapësh plagë që gjakojnë dhimbje e jo gjak
Si ndjehesh që tani vdes nga pak…
Hakun e kujt e more nga unë
Më thuaj të lutem…
Por, kujdes të lutem, kujdes…
Mos më shih për të ngratë e të mjerë
S’jam duke bërë ankesë
As shpresë për jetë kam humbur, jo
As nga jeta jam dorëzuar a të jem mbaruar
Thjesht, të deshta çiltër e tu hapa shtruar
Të fola nga shpirti
Me zemër të pata përqafuar
S’ishin të mjaftueshme për ty, në rregull
Ose ti s’ishe vërtetë e interesuar
Si do qoft, mbase për njëri-tjetrim s’jemi të destinuar
Të ofrova, shtëpi, nder dhe familje
Të ofrova strehë, ngrohtësi, dashni
Nam, itibar, vlerë aq sa kam
S’ti lash veç në duar, ti lash dhe nën kamë
S’pendohem aspak, dhe kjo s’ka rëndësi
Ajri dhe uji për mua janë dashni
Nëse ajri i një vendi është i ndotur
S’rrihet pa frymëmarrje, vendi duhet ndërruar
Nëse gota është e prishur, a e helmuar
S’duhet vdekur etshëm, gotën duhet ndërruar
Fundja, jeta s’është veç kopësht me lule
Dhe në qoft e tillë, çdo stinë s’është pranverë
Lulet s’janë vetëm zbukurim, a për tu marrë erë
Na mësojnë se jeta s’lulëzon përherë
Megjithatë, të lutem, thjesht dua ta di
Të paktën ma thuaj tani që je e çliruar
Ndjehesh vallë e lumtur, nga unë e liruar…
Të betohem që s’do të të mba mëri, jo
Kurrë…
Ma bëj vetëm edhe këtë nder
Ma thuaj, je e lumtur, kam nevojë ta di
Të të buzëqesh dua, gjer në përjetësi
Të paktën matanë të gëzohem për ty…
Se dashninë e vërtetë nga fëmijët e mësojmë
Qajnë, bërtasin, hidhërohen, por sërish përqafojnë
I mësova nga prindërit, dashni e lumturi
Kur fëmijët u largohen, për një jetë më të mirë
Ata me shpirt të djegur, pa gkak në fytyrë
Gjejnë forcë e kurajo, nga zemra i urojnë
Fshehin dhimbje e lot, me buzëqeshje i mbulojnë
Gjë nga ta s’duan, veç zanin e mirë tua ndëgjojnë
Lumturinë e tyre me gjë s’e kushtëzojnë
Ja pra, kështu dhe unë të deshta vërtetë
Ndaj dhe pres t’më përgjigjesh drejt, qoftë njëherë në jetë
Më thuaj, je e lumtur shpirt, vërtetë dua ta di
Ti buzëqesh lumturisë sate, gjer në përjetësi

Foto@JacquelineMunguia