Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” organizoi më 4-6 gusht 2023 edicionin e 31-të të manifestimit letrar Kalimera Poetike “Basri Çapriqi”, i cili iu kushtua letërsisë shqipe. Gjatë tri netëve u mbajtën mbrëmje autoriale me shkrimtarët Nazmi Rrahmani, Nurie Emrullai dhe Primo Shllaku.
TRI NET TË LETËRSISË SHQIPE – U MBAJT EDICIONI I 31-TË I MANIFESTIMIT LETRAR “KALIMERA POETIKE – BASRI ÇAPRIQI”

Mbrëmja e parë autoriale i është kushtuar shkrimtarit Nazmi Rrahmani, njërit ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë realiste klasike. Për krijimtarinë e tij ka folur shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë Prof. dr. Anton Nikë Berisha, ndërsa mbrëmja është udhëhequr nga shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë Mr. Anton Gojçaj. Një fragment nga romani “Rruga e shtëpisë sime” e ka lexuar nxënësja Liriona Mehmeti.
Mbrëmja e dytë autoriale i është kushtuar shkrimtares së re Nurie Emrullai, e cilësuar nga kritika si një “zë i veçantë i poezisë së sotme shqipe”, që me krijimtarinë e saj dëshmon se letërsia e mirë mund të shkruhet kudo. Për krijimtarinë e autores ka folur gazetarja Rita Behadini, kurse mbrëmja është udhëhequr nga poeti Argëzon Sulejmani. Vargje nga krijimtaria e poetes ka deklamuar aktorja e Teatrit “Migjeni”, Merita Smaja.

Mbrëmja e tretë autoriale i është kushtuar shkrimtarit Primo Shllaku, i cili ec hapave të letërsisë më të mirë të traditës letrare gege. Në bisedë me udhëheqësen e mbrëmjes Dr. Sabina Osmanoviq, ai ka folur për krijimtarinë e tij dhe çështje të ndryshme që lidhen me gjuhën dhe letërsinë shqipe. Për të pranishmit autori ka lexuar vargje nga krijimtaria e vet.
Krahas letërsisë, tri mbrëmjet autoriale janë ndërthurur me muzikë të instrumentistëve nga Shkodra – Anton Kaftalli në violinë dhe Ares Fani në kitarë.

Edicioni i sivjetshëm u mbajt në tri vende të ndryshme me qëllimin për t’i ardhur sa më pranë publikut. Ceremonia e hapjes dhe mbrëmja e parë autoriale është mbajtur në sheshin në Muzeun në Kalanë e Ulqinit, mbrëmja e dytë në Muzeun Etnografik – Draginë, kurse mbrëmja e tretë në Librarinë “Ulqini”.
Ky edicion u organizua falë mbështetjes së donatorëve dhe sponsorëve: Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave, Organizatës Turistike Ulqin, Ministrisë së të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave, Komunës së Ulqinit, SHPK “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Ulqin, Bashkësisë Lokale – Ostros dhe Kallaba Company, si dhe partnerëve: Qendrës së Kulturës – Ulqin, Muzeut Etnografik – Draginë dhe Librarisë “Ulqini.
Art Club | Fotografitë: Ardian Taipi & Allmi Suka