TRIADË PËR ETËRIT

| Nga NAZIF AGALLIU |

Ëndrra e kukullës në shtëpizën e lodrave
mbesës Paris

Kukulla futur në shtëpizën e lodrave
Në një folezë ëndërrash e ngjashme me një pirogë
E lëvizur me duar me një shportë yjesh virgjëreshe
E ngritur me flatra për një udhëtim të ri të Noeut.
Jo mes ujërave me fatin pikëpyetje nga akullnajat
Me tinguj të rinj e kode që zili do t’i kishin vetë perënditë
Imazh i urdhëruar a skicim i lehtë i një sugjestioni të beftë
Kërkon të përzgjatojë jetën deri aty ku banohen planetët a më tej ku hapërisa ka mbyllur sytë
Më ka rënë pjesë lumturia e saj
Heshtja e saj që duket sikur thotë
Kjo botë si thurimë është monotone
Në skaj të gjithësisë nis një udhëtim balone mes pluhur meteorësh
Kërkon të prekë diellin që të përzë
Të shkelë në hënë si në një vezë argjendi
E qeshura e saj e mitur dhe kukullat kanë lidhje me misionin e saj të mistershëm
Arinjtë, ketrat, delfinët, drerët janë plotësia e ëmbël e pirogës së saj
Edhe kukulla Barby e Krishtlindjes si më e favorizuar
Gjithë arsenali muzikor gati dyvjeçar i shekullit të saj
Është i pranishëm dhe me terapinë e diellit lëviz
E veshur me fustan prerë nga buzëqeshja e luleve
Me këpucët nina – nana të mijëvjeçarit nëpër planete troket
Pikërisht kërkon atë që vogëlushë mirëpret banorë
Me dashurinë tonë po përkëdhel frymëmarrjen
Ky është një himn i pazakontë ëngjujsh miturakë
Pa plagjiaturë biblike e imitacione përrallash

Qielli ulet në zemrat tona
Një grusht yjesh të munguar erdhën nga uria e fëmijërisë sime
Të vazhdojmë, thotë lëvizja e qiejve të saj
Të hutuar ne themi edhe njëherë nga fillimi.