| Nga DRITAN SKËNDERI |
Kurrë më parë kështu s’jam ndier
I pafuqishëm, i nënshtruar
Qaj, lotoj sa sytë i nxjerr
Një pikë loti pa m’pikuar
–
Ofëshaj sa kam fuqi
Shurdhëmemec thua jam
M’gjakojnë plagët si furi
Pikë gjaku n’venë nuk kam
–
Ulërij, bërtas, vajtoj
Kumboj heshtje tmerrësisht
Sytë qiellit ia drejtoj
Nga unë qielli më i trisht’
–
Thellë frymoj, thith gjithë ajrin
Botës djegur pa oksigjen
Me një gllënjkë i pi gjithë ujin
Rrjedhës shterrë pa hidrogjen
–
Përqaf dhembjen me buzëqeshje
Lumturia më vë flakë
Vuajtjet m’vallëzojnë me heshtje
Vdekja lehtë m’pëshpërit: jakë…