| Nga DASHURIJE BAJRAMI |
Dëshironte me forcë të më fuste në kthetrat e vetmisë,
Me këmbëngulje të mbetesha i njohur si veteran i dashurisë,
as vetë s’e kuptonte se kah shkonte,
fillonte, s’pushonte, thjesht t’më provokonte!
Çfarë shpirti je ti kur vrapon e s’di të ndalesh fare?!
S’dorëzohesh edhe kur të thurin kurthe tinzare!
Më fal por, si mund të qeshesh kur të gjallë të varrosin,
edhe atëherë kur shpirtin aq thellë dinë ta plagosin!
Çfarë shpirti je ti kur pikturon kaq shumë dashuri?!
Bota e palodhur s’ndalet duke përgatitur tradhëti,
më thuaj veç pak por, ama nga zemra më thuaj,
pse i do kaq shumë ata që të lan anash si të huaj?
Të deshën nga shpirti disa që kurrë s’i kujtove,
të shkaktuan plagë ata që fare s’e mendove,
të shurdhër mbeteshin kur ty dhimbjet të bërtisnin,
strukeshin në një cep e me heshtje të vrisnin!
Nga çiltërsia shpirtërore e kuptoj se shumë i doje,
e mora me mend se pritshmëria të shtyri t’ju besoje,
por ti edhe si i rraskapitur ngriheshe s’dorëzoheshe,
i pëshpërisje në vete çështjes se ti do t’përmirësoheshe!
Dhe tani ndoshta me një fjalë do të jap përgjigje,
qetësia e jashtme në dukje tek ata, brenda ka pëlcitje,
unë asnjëherë dhe asgjë nuk humb nëse botës i qëndisë,
me shkronja të arta emrin e bukur, mbetur si veteran i dashurisë!