VRASËSI

| Nga GENT MARKAJ |

Çeli sytë! E di që nuk do, por të paktën provo. Shikoje drejt në sytë e pajetë dhe pyete veten nëse të pëlqen çfarë ke bërë! Sodite mirë veprën tënde dhe analizo çfarë ndien. E di që nuk të mundon ajo që sheh, as gjaku, as trupi i pajetë e i palëvizshëm i tjetrit; madje nuk të bezdisin as duart e përgjakura, të cilat në mënyrë mjeshtërore kryen veprën. Por ky s’është faji yt. Me kalimin e viteve, zemra e çdokujt dalëngadalë kthehet në gur dhe nervat bëhen të hekurta, saqë nuk ndien më as shqetësim, as frikë. Duket e çuditshme si njeriu pak nga pak mësohet të mos preket më nga vdekja e tjetrit. Tronditëse duhet të jetë, me siguri, vetëm hera e parë — përballja e parë me vdekjen e tjetrit, sidomos kur është faji yt. Ndoshta as e dyta e as e treta nuk janë më të lehta. Vetëm pasi të humbasë një numër i madh njerëzish, fillon të pajtohesh me fatin dhe, çuditërisht, të pajetët pak nga pak humbin tiparet e njeriut në mendjen tënde dhe kthehen në numra, në statistikë — asgjë më shumë.

E ti, a do të bësh vallë atë që do të bënte çdo njeri tjetër: të arsyetohesh se s’ishte faji yt dhe se ti vetëm kreve punën tënde, apo do të gjesh një arsyetim më interesant, më të veçantë? Sido që të jetë, me naivitetin tënd fëmijëror nuk do të mashtrosh askënd. Shfajësohu sa të duash, siç shfajësohen fëmijët pasi kanë bërë gjëra për të cilat presin ndëshkim. Ashtu siç e tradhtojnë fëmijën buzët e përlyera me çokollatë, ashtu të tradhtojnë edhe ty duart që të kullojnë gjak. Bëhu burrë dhe pranoje: ishte faji yt dhe i askujt tjetër!

Me shpërfillje ia kthen shpinën trupit të pajetë dhe largohesh i qetë, sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Në sy të bie dielli, i cili ka filluar të ulet dhe duket se shumë shpejt nata do t’ia zërë vendin ditës. Në agoninë e tij sizifiane, ai lëshon mbi ty rrezet e fundit për sot, ndoshta që të vezullojnë pikat e gjakut dhe t’i shohin të gjithë, edhe pse ngutesh të arrish te çezma për t’i shpëlarë. I shpëlan me kujdes, si një Pilat, derisa të duket se nuk të ka mbetur më asnjë pikë gjaku, pa e ditur se të ka mbetur një njollë e madhe — dhe atë, edhe nëse nuk e sheh vetë, e sheh i Gjithëpushtetshmi, në sytë e të cilit ti je sikur ke vrarë gjithë njerëzimin.

Jashtë, nën dritën e zbehtë të diellit, të duket se askush nuk të kushton vëmendje. E heq maskën dhe prapë dukesh si njeri, si gjithë të tjerët, si të pafajshmit; ndoshta thellë në vete mendon se maska ishte ajo që të bënte monstër. I kthehesh normales, përditshmërisë së mërzitshme, halleve e vuajtjeve që të ndjekin pandarë. Ndien lodhje dhe një dëshirë për t’u ulur diku, për të pushuar pak dhe për ta njomur gojën e tharë me ujë. Ecën mendueshëm dhe shkëmben shikime me njerëz, sytë e të cilëve kryqëzohen me të tutë. Sikur harron se diçka ka ndodhur pak më parë — ose vetëm shtiresh. Por pikërisht atëherë ndodh diçka që të tremb.

Ndihet një zë femre që i jepet kujës — një vaj therës që të shpon zemrën tënde të ngurtë. Një grua ka vënë duart mbi fytyrë dhe dënes me gjithë shpirt. Në trupin tënd ndien një forcë të padukshme që të tërheq drejt saj.

– A thua ç’ka vallë? – mendon, i kapluar nga dhembshuria.

Këmbët të çojnë drejt saj, por nga goja të del vetëm një shprehje e mbytur. Ajo tund kokën në përgjigje.

– A mos do ujë? – vazhdon ti. – Të ndihmon të qetësohesh.

Ajo tund kokën përsëri.

– Ç’është ajo që të mundon?

Ajo dënes dhe me zë të dridhur, thotë:
“Ma morën shpirtin… zemrën time… ma vodhën…”

– Kush? Çfarë?

– Ma morën birin!

Në vajtim e sipër, ajo mallkon. Mallkon atë që ia bëri këtë të zezë.

– Kurrë mos paftë ditë të bardhë! Ia ktheftë Zoti në fëmijët e tij!

Fjalët e saj të godasin. Ajo, pa e ditur, të ka mallkuar ty. Dhe ti e kupton: ke përballë nënën e atij që vrave.

Gjaku të ngrin. Ndihesh si mbi prush, por je i ngrirë.

“Mos u brengos… tani është në një vend më të mirë,” thua, i zënë ngushtë.

Ikën. Vetëm ikën.

Më pas, çuditërisht, gjithçka fillon të shuhet. E harron. Gjen një mik. Buzëqesh. Kthehesh në shtëpi. Përqafon fëmijët.

Dhe pastaj, natën, i vetëm, pyet veten:

“Ç’profesion i mundimshëm… të vrasësh njerëz.”

Por është vonë. Zaret janë hedhur.

Dhe nesër do ta bësh përsëri.

Fli pra i qetë, fort i nderuari kirurg — dhe lute Zotin që nesër ato duar të arta të mos vrasin, por të shpëtojnë.

Foto@OzkanGuner