| Nga LIRIDON HYSENI |
Sidoqoftë s’flas, edhe kur e teprojnë,
S’i dëgjoj dot, s’bërtas kur sulmojnë,
Strehohem në heshtjen time t’ngritur,
Me shpresë mbrojtjen e Zotit kërkoj!
Një fillim i mbarë i një dite të re,
Plot befasi priten e gabime pa fre,
Plot rrethana që na habisin e na ngatërrojnë,
Por piedestalet i ngrisin pushtetarët tonë!
Në fund jemi ne populli që aprovojmë,
Atë çka është vendosur me kohë,
Jemi një vulë druri që vulosim,
Shtetit tonë kukull i japim rol!
Gozhdojmë moralin duke e ngritur,
Pastaj synojmë tolerancën për t’a nxitur,
Angazhojmë shpërqëndrime me vetdije,
Por kurrë s’harrojmë t’ankohemi pa arsyje!
E duam aq shumë njëri-tjetrin,
Secilin detaj të jetës e respektojmë,
Dashurojmë ndjenjën e interesit,
Njohim tjetrin më shumë se veten tonë!
Pikë të fortë kemi kuriozitetin,
Nëpër punë e teprojmë me seriozitetin,
Në drejtësi nuk i lëmë vend kriminelit,
Se destinimin e ka n’karrigen e pushtetit!
Bartim barrën e krenarisë me traditë,
I kushtojmë këngë magjisë së dashurisë,
Gjersa udhëtojmë në lëndinën e mallkimeve,
Shpirtërat gjallë rrinë veç në kulmin e varfërisë!
Të gjithë shpirtërat vdesin, për t’u jetuar trupat,
Kur vie koha e moshës së suksesit e pjekurisë,
Kur të jemi gati t’i themi po mendjes e Botës,
Ato do të jenë humbur në harresën e historisë!
Se në fund ky popull çdoherë e vulos,
Atë çka me kohë, e shumë më herët…
Është vendos!