ZËRI

| Nga NADA DOSTI |

Jam mësuar tashmë me të parpiturat e shumta gjatë udhëtimeve të mia. Kohët e fundit isha mësuar të udhëtoja lehtshëm, por këtë herë duhet të mësohesha të udhëtoja edhe pa gjë. Njëjtë si ai populli që është detyruar të lërë shtëpinë vetëm me plaçkat e trupit.
Valixhja ime, si gjithmonë çapkëne, merr udhën për një tjetër vend e unë për një tjetër. Ndalem në aeroportin e vendit me mot gri dhe gjevrekëve brezel. Aty marr autobusin për të shkuar drejt vendit të kruasantëve. Ku djem e vajza, bardhoshë dhe zeshkanë, udhëtojnë me biçikleta dhe janë gjithmonë në formë. Njerëzit shumëngjyrësh, flasin vetëm atë gjuhën romantike të famshme, aty këtu edhe ndonjë fjalë të huaj.
Lumi dhe trami përshkruajnë qytetin mes përmes. Bëjnë garë me njëri tjetrin se cili do mbërrijë më parë në destinacion. Janë aq të përqëndruar tek gara sa nuk e kuptojnë se nuk ka të bëjë me destinacionin por me rrugëtimin.
Në mëngjes zgjohem nga aroma e gjalpit të shkrirë mbi gjevrek dhe kruasan. Kafja është e hidhur edhe këtu. I duhet shtuar pak shqeqer ose duhet shoqëruar me Bignè apo tarte.
Në fakt kudo është kafja e hidhur, përveçse në shtëpi.
Dielli këtu është shumë nazeli, del kur t’i dojë qejfi dhe rrin zgjuar deri natën vonë. Mua më merr gjumi, më hapet goja herë pas here por nuk mund të flej para tij.
Teksa shëtis nëpër rrugët pa kalldrëma një dy largoj kufjet nga veshi pasi herë pas here më bëhet sikur e dëgjoj Zërin. Por Zëri nuk dëgjohet asgjëkundi. Nuk e kisha kuptuar se kishte nisur të më marrë malli për të. E pësova dhe unë si gjithë të tjerët duke rënë në grackën e të vlerësuarit dhe munguarit të diçkaje vetëm atëherë kur e humbet.
-Do të shoqëroj unë ta dëgjosh Zërin, më tha Sara nga Kosova.
Me siguri edhe ajo e ndjen të njëjtin mall, dhe kështu më kupton edhe pa folur. Sëbashku përshkruajmë një pjesë të mirë të qyteti duke u përballur me vende dhe njerëz të ndryshëm. Derisa mbërrijmë aty, përballë saj. Ndërtesës madhështore me mure të bardha. Edhe pse në ndertesë e sipër, iu bënte karshëllëk të gjitha ndërtesave të tjera, jo vetëm të lagjes por të gjithë qytetit. As aty nuk e dëgjuam dot Zërin, sepse ndërtesa ende nuk kishte përfunduar. Shkuam në një tjetër pjesë të qytetit ku gjendej kutia e madhe prej argjendi që shkelqente si diamant duke verbuar me bukurinë e saj të gjithë kalimtarët. Por kishim ardhur shumë herët dhe duhej të prisnim me orë të tëra për ta dëgjuar Zërin. Kujdestari ndërtesës na kërkoi me shumë mirësjellje në gjuhë sa të huaj aq dhe të njohur për ne. Edhe pse nuk e flisnim mirë gjuhën e tij e kuptonim shumë mirë se çfarë po thoshte. U larguam dhe prej aty dhe secila u kthye në banesë të vetë. “Zërin nuk e ke larg. Mjafton një gjysëm ore rrugë në këmbë dhe do ta gjesh shumë lehtë. Mjafton të ndjekësh rrugëtimin e lumit. Illi ka për të të qënë udhërrëfyesi yt, nuk ke nevoj për hartë apo të pyesësh njerëzit për drejtimin.” më tha ajo si të fundit fjalë. Teksa u përqafuam duke i uruar njëra tjetrës që të takoheshim shumë shpejt. Jo këtu, por në një Vend të Shënjtë. Ku Zëri vjen tek ty dhe ti nuk duhet ta kërkosh me kaq shumë dëshpërim.
Ashtu veprova, ndoqa shtratin e Lumit dhe i kërkova të më shoqëronte deri tek Zëri. Ishte e premte para dreke. As vapë as ftohtë. Pak freskët, siç bën gjithmonë buzë lumi.
Dhe ja! Mu përballë meje Kutia e bardhë prej reje. Prej saj doli Zëri i cili kumboi nëpër të gjithë vendin përreth. Mua më pushtoi e tëra, dhe filloi të lundronte nëpër çdo qelizë të qënies sime. Sapo mbylla sytë lotët rrodhën në një protest çlirimi. I kisha mbajtur të burgosur për aq shumë kohë dhe i torturoja në errësirat e shpirtit të dëshpëruar për pak dritë. Dhe kur dolën në dritë filluan të vraponin si të çmendur poshtë faqeve deri në mjekërr, pastaj derdheshin si lum mbi fustanin tim. Më në fund u ndjeva në shtëpi. Jo në shtëpinë ku gjenden plaçkat dhe librat e mi, as në shtëpinë ku kam familjen, po ku jetojnë shpirtrat tanë.