| Nga PUNTORIE MUÇA-ZIBA |
Dhe:
thanë se, në arkën e drunjtë
në pajë të madhe ruajte fishekun
ah, pajës i vinte era barut
por gjaku nuk shkonte për gisht.
Thanë se, me linçuar një grua
nuk bie n’gjak
nuk merr hak
ose merr gjysëm haku…
Thanë se trarët qajnë kur lind femër
meqë era ia fërfëllon flokun si duaj
ia fërfëllon shpirtin
dhe bie n’mëkat.
Thanë se hise në oborr t’kullës s’pati,
llafet e largëta fatale
e thanin në kurm.
Thanë se tagër s’pat
me u ankue
me u vesh e me u mbath
me zgjedh për fat atë që t’pëlqen për sy
me e ruajt n’logje të zemrës.
( fjalët nëpër kohë)
Bëj t’kap armën
nga sënduku i vjetër me dërrasa
e t’i vras fjalët nëpër kohë,
bëj t’i gëlltis e n’fyt më ngecin…
Nga marazi që më ha
ta nxjerr hënën lakuriq
të pëlcet tufa hamshore
gjersa shkuma nëpër gojë
t’i gjunjëzojë llafemëdhenjtë.
Sa i thellë, i skëterrshëm varri grave,
sa i zgripët, sa i ndritur varri i tyre.