ÇORAPET E GRUAS

| Nga HAMDİ NUHİJU |

Grua, më fal të lutem! Kur ti nuk ishe në shtëpi unë kisha shumë ftohtë. Djersët më rridhnin rrëke, dridhesha e strukesha prapa jorganit të jorgovant. Atë natë kujtova të dridhurat e trupit dhe momentin kur trupi ndahet nga shpirti. Çfarë është ajo ndjenjë? Si përjetohen ato momente? Për ku udhëton ai shpirt? Pse ja dimë emrin shpirtit, por nuk e shohim?

Grua, shpirt, unë ti mora çorapet. Fillova të qetësohem. Pjesët e trupit nisën të ngrohen, zemra filloi të më qetësohet, ndërsa trupi, si një foshnje në prehrin e nënës ra tek pikat e gjumit. Gjumë i thellë si ai i djelmoshave të shpellësh.

E di se të vjen rëndë, ndoshta edhe po turpërohesh. Po thua në vete: ç`janë këto burra që në çorape të grave gjejnë ngrohtësi? Janë Mexhnun që vrapojnë pas gjurmëve ku ka shkel këmba e Lejlasë. Janë filiz i aromës së dashurisë e cila në kandarin e veprave të mira dhe të këqija, rëndon vetëm dashurinë.

Grua, e di se të kam lënduar, të lutem më fal. Njëherë kur ti tentoje të trokitje në dyert e zemrës time, të lash të presësh dy sekonda. Isha i shpërqëndruar, me vështirësi merrja frymë. Atë ditë, lagështia e mendimeve ma turbulloi sensin e humorit, u humba, fillova të qaj.Edhe sot jam duke qarë. Jam penduar! Më fal! Ti nuk guxon të presësh as edhe një sekond para dyerve të zemrës time. Do t`i thyej ato dyer që janë shndërruar në mure betoni pa kuptim. Kam porositur mjeshtrit e botës për ta lënë terrenin hapur dhe në çdo centimetër për të mbjellur nga një filiz.

E di, thënien profetike, edhe po qe se vjen Dita e mbrame dhe t`i ke në dorë një fidan, mbille! Bota le të shkatërrohet, yjet le të shpërthejnë si bombë atomike! Zemra ime është e ytja. Mbill në të saherë të duash fidanet e dashurisë.

LËRE NJË KOMENT

Your email address will not be published. Required fields are marked *