GJASHTË RRUGËTIME NË NJË ALBUM PËR BERATIN

| Nga NAZIF AGALLIU |

Andi Papastefani, me Albumin Në Berat duke u endur dhe skicuar, tërë sqimë, me syrin e imtë të artistit, duke përkedhelur me pastel një rikrijim fluid me flamaster, me një hartë mbresëlënëse skicash, kompozon rrathet e gjymtyreve të qytetit, filluar nga kurora e tij, Fortesa. Arkitekti, me këto skica e vizatime si një dritë përmbytëse, lëmon në lëkurën e shekujve thellësinë e egzistencës. Albumi rihap portat e qytetërimit të pengut të përkëdhelur të mijëvjecarëve. Qyteti ka lindur nga mrekullia e tij si një masakër luksi. Epika e hepimeve shkembore me liriken e njëmbinjëdritareve janë hutime halucinative. Berati, komentues i mrekullive, është ngjizur magjishëm me katër elementet natyrore të jetës. Thepimet e frikshme me prerje të çuditshme zbresin me pavetëdije, me finesë dhe adhurim mbi banesat e latuara me drurin e lisit të shenjtë të vizitorët që kapërdijnë kërshëri dhe hutim nën tinguj muzikore të akordeve të ftesës: Ti eja, kushdoqofsh, portat mikpritëse rrinë hapur…

Në këtë qytet, sa dëshirë të ec këmbëzbathur! Qytet imagjinar gliko dhe kafe me aromë të mirë. Verdikt i përsosur hijeplotë i qytetrimit unik. Në Berat duke u endur dhe skicuar prezantohen tablo të së tashmes me përfytyrime elegante në shtigjet e së shkuarës. Si rendje në marrëdhenie me shpirtin e tij egzistencial që ecen brenda dhe jashtë labirintit. Albumi me ndjesi elegante, zhvesh petkun e mëndafshtë të qytetit me emocione habije për vizitoret. Ekzistenca reale e sureale komunikon si shpirt i frymëzuar. Grimi i ëmbel arkitekturor zbulon Kalanë, fillesen e gjenezës së Beratit, të ledhatuar nga qiejt, të freskuar nga Apsusi parak, të mbarsur me zjarrin e diellit të Tomorrit, derdhur metamorfues, si të kuqen  Onufri në ikona, Autori, me përpikmeri urbane, zbret në Mangalem, në mëngen e lumit ose e përfytyruar Kala e Nënkresës. Korelacioni në këtë rrugëtim përmes qytetrimeve shkel hutuar duke soditur një konstrukt unik jetësor endur mbi shtatë mrekulli me elemente më parësore: civilizimin dhe religjionin. Ky qytet që ron sa ulliri mund të preket në shenjtërinë tij të paqtë. Në endje dhe soditje kalohet në një lagje dhe në një portë, duke kapërcyer të tjera, si fqinja më e afert, pa mure ndarës. Qyteti të duket si Zoti i shërimit të syve dhe të zemres. Elegant, mikpritës, spektakel unik, një souvenir i përbotshëm, një karakter jetësor, një gjendje shpirti. Albumi me skicat si mjet eksplorimi rijetëson qytetin, komunikon dhe dokumenton me një informacion argumentues urban dhe, njëherësh, është një udhërrëfim shëtitës. Me 123 skica shfaqet hapsira e derdhjes së dritës nga bërthama e energjise tek elementet arkitektonike. Detajet e ngrehinave përftohen në portat perandorake, e çardakët fisnore, gurët gurgullues të rrugicave të kalldrëmta, mureve heshtarë si altarë, dritareve në montazh kubist dhe ecjen në arteret e identitetit, duke depërtuar në retinën e siluetave në një trill trinie, sa joshës dhe spontan, po aq me finesë dhe elegancë.  Autori realizon nje hyrje trokitese në labirintin e mijëvjecarëve nëpër hullitë hutuese, tërë klithma e kthetra, të një skeleti eshtror. Tjetërsim mbreslënës ngjyrash, pa tjetërsuar asnjë gjallesë sociale e kulti. Një depërtim sporadik tërë harmoni, përmes gjuhës së dritës dhe epërsisë së ngjyrës me një kompozim trillues. Në një enklavë parake qytetërimi, albumi udhëzon vizitorin vendas e të huaj të prekë mahnitë, i ekzaltuar e habitur, në një qytet të çuditshëm që i përngjet një muzeu në natyrë.

Kalaja ose Fortesa nisin 6 rrathë të një shugurimi shumëshekullor. Arkitekti Papastefan ka trokitur 123 herë në porta, rrugica, objekte sociale dhe kulti, duke filluar me bërthamën e qytetit, Fortesën me 30 pamje, ku dalldia e tre elementeve ka shfaqur sens futurist te muret e Kalasë, Porta kryesore, banesa me kamerie mbi portë, harqe, silueta, rrugë në kryqëzime, holle, shtëpi me konsola, galeri, gjer te ato që heshtin e hutojnë, si Kisha e Shën Kostandinit dhe Helenës, Katedralja Fjetja e Shën Mërisë, Xhamia e Kuqe, etj,

Duke u endur në rrethin e dytë të Albumit, rrugëtimi zbret në Mangalem me 33 pamjeskica, duke vallëzuar nga shëtitorja të përballja me Portën e Pashait, nga Sarajet, te Tre Portat, duke parë kënde, shkallë guri, rrugicë në shkëmb, banesat e rralla tradicionale, gjer tre katëshe, nën një kupolë unike kulti si Kisha e Shën Mëhillit. Rrethi i tretë vjen lagja Goricë, me kapërcimin e lumit mbi dy urat: të gurtën me harqe të shek. XVIII dhe urën me konstrukt të hekurt të varur të shek.XXI. 30 pamje të skicuara. Gorica në prehërin dasaret të kodrës së shtatë, ku ndoshta sonda e arkeologut gjen themelet e Kalasë së Antipatreas së Dasaretëve.

Arkitektit, natyrshëm, i mungon kjo prekje e padukshme, larg vëmendjes së vendosjes së qytetit mbi 7 kodra. Banesat model me çardak interior, me kamerie, me pus, të mbyllura, të tërhequra, piktoreske, të dekoruara, në rrugica të shkurtra dhe të harkuara, vizatohen mes kulteve solemne, si: Kisha e Shën Spiridonit, etj.

5 skica të orientojnë në rrethin e pestë të Beratit: Lagjja Murat çelepi. Banesat tradicionale me çardak janë muza e mesjetës. Autori, sigurisht ka mungesë, si pamundësi, trëndafilat dehës dhe frutat e shjshëm të kopshteve që përshkruan nëpunësi i lartë perandorak, kronikani turk Evlia çelebi. Berati mes dy Luftrave Botërore vjen me 9 skica si Postpavarësia në retrospektivë. Një evidencë kuptimplotë dhe dobiprurëse për realitetin dhe fantazinë ringjall banesa Vrionase, të rikonstruktuara, të dekoruara me pilastra, me llozhë të mbuluar, të Stilit Racionalist. Numëri 123 i vizatimeve mendoj të jetë thjesht numerik, por numërat 6, 9, 33 asesi s’janë rastësi. Këto simbole të shkoduara, mendoj janë parabola të pikasura nga autori që shënojnë e shenjtërojnë vlerat universale mijëvjecare të qytetit të Beratit. Papastefani, me Albumin për Beratin, të duket sikur thotë: Merreni, ua dhashë. Vozitni këtë qytet duke u endur dhe skicuar.

LËRE NJË KOMENT

Your email address will not be published. Required fields are marked *