NË TETOVË BIE SHI

| Nga NADA DOSTİ |

Libri me poezi “Në Tetovë bie shi”

Kur e mora në dorë librin “Në Tetovë bie shi” të autorit Daim Ilazi, binte shi edhe në Ankara. Aty ku u takova dhe me autorin e librit i cili ma pa në dorë një kopje prej biblotekës, teksa kisha nisur ta lexoja, dhe ta përfundoja në një ditë.

Që ta kuptosh dhe ta përjetosh më mirë këtë libër duhet ta kesh vizituar Tetovën. Qytet të cilin autori e cilëson si “një panoramë me shpirt bardh e zi” (Në Tetovë Bie Shi, fq.34).

Metaforikisht, sepse Tetova ka ngjyra plot. Ka ngjyrën e kuqerremtë të çative kur e sheh prej Kodrës Diellit. Ka ngjyrat laramane të Xhamisë së Pashës mozaiku i së cilës “reflekton nur motesh” (Anatema e Shkumbinit, fq.37). Ka ngjyrën e gjelbërt të Sharrit dhe të kaltrën e Banjës. Duhet ta kesh vizituar Kalanë mjerane që rënkon e vetmuar në majë të kodrës “e ngujuar në një kënd qielli”( Kalaja e Tetovës, fq.36). Duhet të kesh udhëtuar në kohë nëpër sarajet e Arabati Baba Teqe, të kesh kaluar mbi Urën e Gurit të Shkumbinit, breg i cili “heshtazi ia gërryen themelet” (Anatema e Shkumbinit, fq.37)

Hamamit të vjetër.

Mbi Tetovë

Ndër shekuj

shpërndahej mjegull e rëndë…. (Mbi Tetovë dielli në litar, fq,39)

Mund ta shohësh kurdoherë këtë mjegull teksa ngjitesh me ashensor drejt katit të fundit të qendrës tregtare. Aty ku është një taracë me njerëz shumë, muhabet akoma më shumë, muzikë me zë të lartë, atmosferë e cila reflekton më së miri mentalitetin e tetovarëve të cilët nuk duan që tavolina përbri të dëgjojë se çfarë po flitet në ndejën tënde. Teksa ashensori na dërgon lart, prej xhamave zbulohet pak nga pak i gjithë qyteti. Zgjas dorën sikur për ta prekur dhe pastaj e mbyll grushtin për të treguar sa qytet i vogël që është. Pastaj, për të ngacmuar ndjenjat patriotike të miqve të mi, iu them: Ohri ka liqenin, Struga jetën europiane, Manastiri gjelbërim dhe antikitet, Gostivari harmoni bashkëjetese, Kumanova gjallërinë, Shkupi dy botë të ndryshme në një qytet të vetëm, por ju çfarë keni?  Ende pa e përfunduar pyetjen, pa u menduar fare, më kthehen me një përgjigje rrufe “Njerëz të mirë, me zemër të mirë!”.

Çaj, muhabet, derte plot dhe njerëz të mirë. Kështu e mbaj mend Tetovën.

Bie mbrëmja dhe ne përgatitemi për një dasëm, është fundjavë dhe ka plot gjallëri, trafik, muzikë popullore. Veshi më zë gjuhë të huaja të ndryshme, me siguri janë mërgimtarët që janë kthyer për pushime që ndoshta nuk duan të kuptohen nga vendasit.

Përshëndetjet pas dasme kryhen nën drita vezulluese bubullimash, nis një shi i rrëmbyer shoqëruar me kuku-të e grave të cilat ankohen për inertsi sepse në fund të fundit shpëtojnë leht nga ky shi: një këmb në pellg dhe tjetrën në veturë. Nana e zotit të shpisë sigurohet t’i sajdisë të gjithë mysafirët deri tek i fundit. Grua e fisme e cila i përcjellë të gjithë një nga një plot urata ndërsa gjuha e saj kurrë nuk u lodh prej duave.

Me një mike bashkërebele vendosëm të ecnim nën shiun e korrikut. Çfarë do të na bënte në fund të fundit një shi vere? Në Tetovën e njerëzve të mirë, bie shi edhe në korrik…

LËRE NJË KOMENT

Your email address will not be published. Required fields are marked *