NJË MBRETËRI E TËRË

| Nga JUNUZ XHAXHAJ |

” Kush largohet, kujtohet me të bëmat e tij. “

Një i ri, i cili kapet fort pas idesë që i shfaqet si rruga e vetme e shpëtimit, shkon jashtë vendit larg qytetit të tij, për qëllime arsimore. Ishte vetëm pesëmbëdhjetë vjeç! Pesëmbëdhjetë vjet pra: shkolla e mesme.. fakulteti.. e kështu e treti rininë në atë qytet të zhvilluar.

-Edhe pse jo me aq dëshirë, vjen dita dhe kthehet në vendlindje.

E ndau të kaluarën e tij në dysh, ashtu sikurse qyteti i ndarë në dy pjesë nga Gryka e Bosforit. Edhe pse s’ia kishte ënda, para se të fillojë udhëtimin e tij, dëshiron që disa nga kujtimet t’i mbesin atje. Një ditë para largimit, atë mbrëmje të fundit, i mblodhi të gjitha kujtimet që nuk dëshironte t’i merrte me vete. I mbështolli në një fletë gazete. I lidhi fort me litar që të mos hapen dot. Në të gdhirë, kur ende nuk kishte njerëz përreth, doli buzë detit dhe i hodhi në të. I la mu në mes shkumës së krijuar nga zemërimi i valëve, duke i fshehur edhe nga vetja, dhe më pas u largua.

-U nisë për udhë. Drejt vendlindjes, kuptohet.

Mbërrin në Shkup. Në mëngjes herët, pranë stacionit të vjetër të trenit, i cili u shkatërrua në tërmetin e vitit 1963. Në fakt, udhëtarët zbritën para ndërtesës, jo brenda stacionit të autobusëve. Pas tërmetit, mbeti vetëm muri ballor i asaj ndërtese dhe një orë e madhe, ku në të akrepat e tregojnë gjithmonë orën “06:17”. Qëndron i tillë prej vitesh. Ua kujton njerëzve atë moment. Harresa e bën të vetën, andaj pra!Sidoqoftë! Më në fund është në Shkup!

Mbërriti në qytetin ku grumbulloheshin kujtimet e fëmijërisë. Por këtu ndeshet përsëri me atë që fundosi në detin e qytetit të madh që ia zbukuronte ëndrrat. Madje në vendlindje s’kishte det. Kishte vetëm lum, Vardarin! Edhe pse ky lum nuk kishte valë. Ndonjëherë edhe kundërmonte. Gjëja më e dhembshme është se gjithë ato kujtime që i la pas në atë qytet që e deshi aq shumë, i sheh të reflektuara te njerëzit e lagjes tek e cila u rikthye dhe të cilët prej vitesh vazhdojnë të jetojnë në një përpjekje të vazhdueshme për mbijetesë.  E quanin me krenari “luftë për mbijetesë”.

-Ç’luftë ishte!

Nuk dinte se si duhet të sillej përballë kësaj. Pastaj iu kujtua se kur ishte student kishte lexuar diku në një libër vargjet e poetit“…jeta jonë përsëritet”. Po të mos i kishte lexuar ato fjalë, a do t’i kishte bërë vetë të njëjtat gabime?

Prandaj, këshillat që mori nga përvojat e atjeshme, kur u gjend në të njëjtat ngjarje apo të ngjashme në vendlindjen e tij, iu shmang këtyre gabimeve të përsëritura dhe nuk e lejoi trurin të plaket, kësaj s’i dihet kurrë. Ndoshta vërtetë beson se e shmang. Madje ende këmbëngul për këtë. Kjo është arsyeja pse ndoshta ka qendruar gjithmonë i ri ose ia merr mendja se është energjik.   

Ah po! Ekziston një pikë e rritjes së brendshme të cilën nuk e arriti dot kurrë, edhe pse grumbulloi përvoja të shumta duke jetuar në mesin e një shoqërie të gjerë: nuk ia doli kurrë të ndërtojë mure përballë situatave që sjellin dhembje. 

Fatkeqësisht, nuk mundi ta arrijë këtë pikë sepse rrugëtimin e bënte i vetëm. Për këtë arsye, çdo ditë që kalonte, sikur i shterej fuqia. Sikur të mos mjaftonte kjo, ky udhëtim ia shtonte dhembjen. Nuk mund të mos i mendonte shigjetat e helmuara që rrinin gati për t’ju hedhur. Kjo gjendje e pavullnetshme shkaktonte më shumë rëndim dhe shtrëngim në shpirtin e tij. Kur pleqëria troket, as trupin e vet s’mund ta bart dot.

-Po njerëzit?

Tërë ato ngulçime të përjetuara deri më sot në zemër gjatë kësaj aventure njerëzore; A përsëritet jeta e njeriut?

-Kështu duket! Ndoshta!

Ndoshta disa lloj njerëzish duan që kjo të ndodhë. Kam përshtypje se ka akoma njerëz të tillë që  bëjnë përpjekje të vazhdueshme dhe serioze për t’iu mundësuar të tjerëve t’u përsëritet jeta. Megjithatë njerëzit e dinë më së miri, se nuk do ndalen kurrë derisa të marrë fund kjo botë.

Ky pra është njeriu: trupi, mendja dhe shpirti, një mbretëri e tërë. Në fund të fundit, edhe në këtë botë është i huaj! 

Fatkeqësisht, vetëm durimi dhe qetësia i mbetën teksa u përfshi në këtë aventurë “hidh e prit” të varësisë së njeriut ndaj përsëritjes së jetës. Deri atë ditë, i varur mes dy degëve: frikës dhe shpresës, pret përballjen e tij me Zotin. Edhe pse ky kërkim sjell dhembje, njeriu  vazhdon me bindje të qëndrojnë në radhët e engjëjve të heshtur pavarësisht gëzimeve të jetës, përkushtimit ndaj shpresës dhe thirrjes që të afron më shumë drejt shpëtimit.

Për fat të mirë ka njerëz; me frikëra, shpresa, mirësi, dhe të buzëqeshur gjithashtu.

* Fotografia: Tony Luciani

LËRE NJË KOMENT

Your email address will not be published. Required fields are marked *