| Nga ARIF KRYEZIU |
Njeriun që e kam dashtë më së shumti në jetën time ishte Shyqeri Bytyqi nga Studenqani i Suharekës. Shyqa ishte nga ai soj i rrallë i atyre njerëzve që mund të numëroheshin në gishta! Ka njerëz që shquhen nga fisnikëria e tyre, ca tjerë nga bujaria. Shyqa i kishte të dyja, por ajo çfarë e karakterizonte atë, nuk ishte as fisnikëria e pashoqe e tij e as bujaria, por krejt diçka tjetër. Shyqa ishte i lindur për t’i bërë të tjerët të qeshnin por vetë nuk qeshte pothuajse kurrë gjersa rrëfente ndonjë anekdotë, edhe pse i qeshej. Dhe mu kjo të bënte të shkriheshe gazit. Dinte aq shumë anekdota sa kurrë nuk e dija nga i mësonte, pasi për të lexuar nuk lexonte shumë por mbante shumë në mend ato që dëgjonte e nga i dëgjonte gjithë ato anekdota, veç Zoti e dinte. Kishte një mimikë shumë të theksuar. Kishte sy shumë të mëdhenjë, ashtu si të Cimës, dhe duke e ditur këtë, ai i zgurdullonte edhe më shumë me qëllim që të dukej si një palaço. Ndonjëherë ai i kthente qepallat e tij mbrapsht, e kur e bënte këtë, edhe pse ne e njihnim në zemrën e tij të mirë, megjithatë na kallte datën, pasi ashtu dukej krejt ndryshe sa nuk njihej më. Shyqa i takonte një familjeje relativisht të varfër, por aq bujare dhe ata nuk kursenin asgjë për mysafirët e përditshëm që u vinin pandërprerë. Mysafiri më i shpeshtë isha unë, pasi mua më pat’ vdekur nëna, e meqenëse asokohe nuk kisha ende vëllezër nga babai, (ishte koha kur njerka ime ende nuk kishte fëmijë), dhe meqenëse motrat e mia qenë martuar, unë nuk kisha me kë të shoqërohesha në shtëpi, kështu që e vizitoja Shyqen, mikun tim më të mirë. Motra ime e madhe ishte e martuar me vëllaun e tij të madh, Ganiun. E vizitoja pothuajse çdo ditë mikun dhe shokun tim. Dikur u bëra si të thuash, si i tyre. Shyqa kishte një nënë të mrekullueshme. Turshitë më të mira në Studençan, i bënte ajo. Kurrë nuk i harroj disa speca turshi të mbushur me gjizë që merrnin një ngjyrë të verdhë dhe dukeshin sikur të ishin të praruar me ar!
Meqenëse isha jetim dhe ende djalë i vetëm, nuk ma prishte pothuajse kurrë qejfin askush, e nëse kjo ndodhte ndonjëherë, atëherë bërtisja deri në kupë të qiellit: “nëse nuk ma plotësoni këtë dëshirë, unë do të vdes!” E dëshirat e mia nuk ishin çfarëdo dëshirash. Më kujtohet se njëherë, një natë para Vitit të Ri, kisha ëndërruar sikur e pritnim Vitin e Ri me një bredh. Gjë krejt e pazakontë për atë kohë. Nëse e festonin disa, atëherë ata ishin vetëm serbët dhe katolikët shqiptarë, e rrallë, shumë rrallë ndoshta edhe ndonjë shqiptar musliman diku në ndonjë qytet të madh si Prishtina apo Prizreni, por ende jo në Suharekë. Sa zgjohem në mëngjes, nisi e piskas, “E du një bredh për vit të ri!.“ Aq shumë u shtira i vdekur, sa babait nuk i mbeti tjetër, pos të shkonte tek qendra për ta blerë një, por kur ai arrin aty, bredhat e pakët, tashmë ishin shitur. Kur u kthye baba pa bredh në shtëpi, unë edhe pse deri atëherë vetëm isha shtirur sikurse po vdisja, gati vdiqa njëmend. M’u kishte bërë aq pikë bredhi sa nuk mund ta paramendoja vitin e ri pa të. „Dua bredh dhe pikë“ nisa të bërtas pasi u ringjalla nga vdekja ime e stisur. „O nuk ka“, thoshte baba. „Pastaj, na nuk jemi shkije me festu vitin e ri me bredh.“ “Po a!?” “Me demek katolikt shqiptarë kokan shkije që e presin vitin e ri me bredh apo çka?” „Jo nuk janë, po as na nuk jena katolikë.” Unë: „O e du bredhin breeeh. Gjeje ku ka e ku nuk ka.“ Ai: „E, s’ka valla.“ Unë: „Ani atëherë po vdes pra.” Ai: „Ani vdis pra, se nuk ka.“ Baba kur e merr vesh se s’është punë të hjek dorë nga bredhi, më thotë, „n’dash bredh, shko preje nja tek Mali i Biraqit.“ Unë: „Shko në Sallagrazhd tek katolikt e ata ta bajnë qaren.“ Ai: „ Si me shku në gjithë këte borë, o bir?” “Ti e di qysh.” Mali i Biraqit ishte së paku një orë larg shtëpisë sonë. Plus, ai duke e ditur se unë nuk guxoja të dilja vetë as në nevojtore jashtë, bindet se me kaq mbaroi puna e bredhit. Dhe këtu ndodh mrekullia. Sikur me e pasë thirrë unë Shyqen me celular, edhe pse atëbotë nuk kishte celular, vjen Shyqa bash në atë moment kur unë e kisha çuar mendjen tek ai. Shyqa, kur më sheh ashtu të hakaresur e të sarrakuqur, më pyet “shka u ba breh!” Unë i tregoj atij e ai ende pa hyrë brenda veç e ka ndarë mendjen me mua dhe “he bir, me një teslicë në dorë marrim udhë për në Biraq.” Njerka i thotë babës. “O nali se mërdhihen fmijt, o ti njeri.” Baba: “O kurr’ mos mbetshin pa u mërdhi oj ti gru, a po don bredh, atëherë le të shkojnë vetë, ta presin nja. Hajt se shkojnë veç deri te Zabeli i Elshanve dhe kthehen mavi.” Kur e dëgjojmë atë duke thënë kështu, vetëm i shtrëngojmë dhëmbët dhe nisemi të inatosur, ashtu siç dinë të inatosën vetëm fëmijët. Po po, nisemi sikurse për në luftë! Shyqa vetëm me do këpucë të gomës që u thonin “qysele” unë me çizme të gomës!
Bënte një dimër shumë i egër. Binte borë me metra atëkohë! Në një kohë kur unë ende nuk isha rritur as dhe një metër. Një borë me do fjolla tepër të mëdha. Binte pa pra edhe pse kishte rënë aq shumë më parë e nuk ndalej së rëni. Sikurse nuk dinte të ndalonte së rëni borë! Shyqa printe i pari, pasi ai ishte më i madh se unë. Nuk kishim as dorashka me vete. Ashtu duke e çarë borën, ecnim ne, por edhe bora shkonte gjithnjë e duke u rritur e dikur ajo mua gati më mbuloi të tërin! Një qiell gri por që dikur nisi të merrte një ngjyrë paksa të kuqërremtë e ashtu papritur filloi të merrte edhe ngjyra tjera. E di se dritat polare shfaqen vetëm në Pol të Veriut, por nuk ka bir nëne që mund të më bindë as sot e kësaj dite se ato nuk shfaqen hera-herës edhe diku gjetkë. Së pari nisi të dalë një jeshile si ajo jeshile që mbulon varret e dervishëve nëpër tyrbe, pastaj një e kuqe si ajo e kuqja e Onufrit e kështu me radhë, derisa erdhën edhe të gjitha ngjyrat tjera në shprehje që dilnin nga horizonti duke u ngjitur përpjetë në lloj-lloj ngjyrash të para apo ende të papara kurrë. Dikur pushoi të binte borë e edhe dritat u zhdukën, por jo magjepsja jonë fëmijnore që na shtyri të mos dorëzoheshim, për t’i treguar një të rrituri se fëmijët nganjëherë ua kalojnë madje edhe atyre (të rriturve). Bredhi i parë për një fëmijë është sikurse dashuria e parë për një të rritur. Nuk harrohet. Kishte rënë aq shumë borë sa edhe nuk mund të binte më shumë, si të thuash. Të lodhur në trup e në shpirt, unë dikur gati u dorëzova por fjalët e babës që i tha njerkës „hajt se shkojnë deri te Zabeli i Elshanve e kthehen“, më tingëllonin në vesh e kështu, dorëzimi më vinte si një dezertim e kjo nuk guxonte të ndodhte. Shyqa, për të më motivuar, sa herë rrëzohesha ma tregonte ndonjë anekdotë e kështu, unë, edhe pse pothuajse i alivanosur, shpërtheja gazit dhe ngrihesha. Kështu disa herë. Pastaj, pas aq shumë peripecish më në fund arritëm në Biraq. Bredha sikurse në filmat e “ëalt Dizney-it” rriteshin atëkohë aty. Pasi ia vumë sytë një bredhi, nisem ta godasim me teslicën tonë, e që edhe më i pasë rënë dikujt në krye më të, as shenjë nuk kishte për të ia lënë! Aq e pamprehur ishte ajo. Msho ai, msho unë, po s’ishte punë me e rrëzu bredhin, e megjithatë nuk dorëzoheshim. A dorëzohen fëmijët? Jo, nuk dorëzohen. Bredhi dikur u dorëzua, por jo ne të dy që e kishim bërë mendjen qykë për ta pritur Vitin e Ri me një bredh. Dhe kështu duke e tërhequr zvarrë, dikur ashtu me mish e me shpirt, arritëm në shtëpi aq të mavijosur sa, po të na kishte parë dikush duke kaluar përmes varrezës, kishte për të na parë si dy kufoma të sapongritura nga varret! U kthyem sikurse kthehet dikush nga fronti! Gjyshja kur e pa se ne vetëm sa nuk kishim dhënë shpirt, ngrohi ujin dhe ashtu me ujë valë, na shkriu neve dy dordolecëve. Çizmet më ishin ngjitur lëkurës së këmbëve dhe asaj iu dasht kohë për të m’i hequr pa lëkurën time. Bredhi ishte ngrirë gjithashtu duke e tërhequr dhe filloi të shkrihej mbrenda, e avulli që lëshonte e bënte atë edhe më magjik. Baba kur e ka vënë re se ne nuk po ktheheshim nga Zabeli i Elshanve, kishte marrë udhë duke na ndjekur pas, po i ka rënë një udhe krejt tjetër dhe për këtë arsye nuk u patëm takuar, duke qenë se edhe bora që nuk pat pushuar së rëni, i kishte mbuluar gjurmët tona. Pas një ore, ai kthehet dhe habitet kur e shef se ne jemi kthyer me një bredh si dy fitimtarë! Ai pastaj e drejtoi bredhin duke e sajuar një kryq me dy dërrasa, por ashtu pa stoli, nuk na kënaqte ne dyve. Gjyshja i pruri e para do molla rrakaqe, (kështu i thonin një molle atëkohë e që bënte do mollë shumë të shijshme e të hijshme). Njerka i pruri disa arra të lidhura për peri. Mungonte vetëm pambuku. Ishte bërë vonë e shitoret tashmë ishin mbyllur. Pambuku nuk gjendej lehtë në atë kohë. Posedonin vetëm mjekët. Ne e kemi pasë një kojshi shumë të mirë, afër nesh. Hamzi Berisha, ishte mjeku ma human i asaj kohe në Suharekë dhe për këtë, atij i vinin shpesh pacientët edhe pas orarit të punës, e edhe në shtëpi e ndonjëherë, sipas hallit të tyre, edhe në gjysmë të natës e bile edhe gjatë Vitit të Ri. Unë që e dija këtë, marr turr dhe shkoj tek oborri i tyre dhe ashtu si një hajn shikoj tek një vend ku ai pastaj e gjuante atë pambukun e mbetur nga injeksionet. Atë natë, si duket ai kishte pasur më shumë pacientë se rëndom dhe kështu unë u ktheva me aq pambuk sa për ta stolisur bredhin tonë që ndërkohë veçse ishte stolisur, pos pambukut që i mungonte. Njerka kur e pa ashtu pambukun paksa të gjakosur, e lau dhe pastaj ashtu të terur e vumë mbi degë të bredhit dhe ai filloi të shkëlqente si askund tjetër më parë! Pambuku edhe pse ishte larë, megjithatë ishte ende paksa i kuqërremtë nga gjaku i fshirë prej varrëve dhe mu kjo e bënte më përrallor bredhin. Ndërkohë, gjyshja tashmë e kishte përgatitur një qervish. Një qervish e çfarë qervishi se! Nëse ka me m’u kujtuar diçka nga gjellërat e kësaj jete edhe pas vdekjes, ai qervish ka me m’u kujtue. Kjo natë e Vitit të Ri, do të mbetej njëra ndër netët më të bukura të Vitit të Ri gjatë gjithë jetës sime. Asgjë nuk janë ato tregimet nga „Charles Dikens“ mbi Vitin e Ri në krahasim me ngjarjet e asaj nate që ne patëm fatin t’i përjetonim në atë mënyrë.
Më vonë, kur u rritëm, na ndau fati, por kur shkoja nga mërgimi në Kosovë, ndodhte shpesh që, para se të shkoja në shtëpinë time, së pari të shkoja ta vizitoja mikun tim më të shtrenjtë, Shyqen. Një herë, kur u patën hequr vizat për në perëndim, Shyqa me një shok të tij, Mahmutin, vendosin t’ia mësyjnë perëndimit pasi fabrika „Ballkani“ ku ata dy punonin, kishte nisur ta merrte teposhtëzen. Dhe kështu vendosin me ardhë në Grac të Austrisë, tek Arifi, po ku me e gjetë Arifin se! Unë atë vit kisha emigruar. Ishte viti im i parë në mërgim, ende pa zënë as vend as rrënjë, askund. Askush nuk e dinte as ku banoja në Grac. Kur ata arrijnë në Grac, Mahmuti i thotë atij, “e tash Shyqë, ku me ba hallin ne, ha! Ku me e gjetë Arifin në gjithë këtë qytet?” Shyqa i përgjigjet atij: “Aaa, shumë lehtë kena me gjetë!” “Si?” “Hypim në tramvaj dhe t’i shikon nga dritarja në anën e majtë, unë në anën e djathtë dhe ai që e shef dikë duke kërcyer me një këmbë, ai ashtë Arifi dora vetë.” Unë asokohe e kisha një tekë dhe sa herë ndjeja stres emocional, më vinte të kërceja ashtu, pa e vënë re. Ishte një huq i imi. Dhe kështu, ata hipin në tramvaj dhe pas dy-tre minutave, Shyqa e shef dikë duke kërcyer më një këmbë, ashtu përpjetë siç kërcen një gjel. “Qe Arifi, Mahmut! A t’thashë se e gjajmë Arifin!” Aty zbresin dhe ai ma ngjet për krahu e unë kur e shoh atë ashtu, më rrok një e qeshur ngërq e nuk mund të pushoj së qeshuri, sa nga gëzimi, sa nga mërzia që kisha për mikun tim. Më vonë, pasi ai qe kthyer nga mërgimi, qe sëmurë rëndë dhe kur pat vdekë, gati pata vdekë edhe unë pas tij. Aq shumë e kam dashtë këtë njeri. Ai ishte ndër ata njerëzit prototipa që rrallë hasen ndër njerëz këtej dhe siç duket, mu të tillët edhe rrojnë më pak sesa ata të zakonshmit, por kur ata ikin, lënë pas diçka që gjeneratat e reja tani mbase mund t’i i gjejnë vetëm në romane, pasi ajo kohë ishte ndryshe nga kjo e jona, tani. Ju moshatarët e mi e dini për çfarë e kam fjalën këtu, pasi vërtetë, pa e tepruar fare, atë kohë edhe pse ishim të varfër, kishte më shumë marifet e muhabet ndër njerëz e sytë u qitnin xixa kur flisnin, por jo vetëm sytë e tyre por edhe gjithçka tjetër përreth sikur vezullonte më ndryshe se sot. Shyqes nuk i shkëlqenin vetëm sytë, po mbi të gjitha i shkëlqente edhe shpirti i tij, edhe më i bardhë se vetë bora. Asokohe kur Shyqa dhe Mahmuti më patën vizituar në Grac, unë banoja në një bujtinë të Karitasit dhe aty pranë gjindej një lokal ku edhe ushqeheshim ne. Sa herë që ne uleshim aty, vinin punëtorët dhe punëtoret e Karitasit e na rrethonin pasi atyre u dukej interesant ai, ashtu me atë mimikën e tij që shpesh të bënte të qeshesh hiç pa folur fare, e lëre më, kur fliste. Atij i qenë zbardhur flokët shumë herët dhe sa herë që vonohej të kthehej nga qyteti, ata punonjësit më pyesnin se kur vjen ai “njeriu i bardhë”. E donin edhe pa u marrë vesh më të pasi Shyqa nuk dinte gjermanisht, por ata megjithatë kuptoheshin më mirë mes vete sesa me mua që e dija gjermanishten!
Ka kohë qe Shyqa nuk është më këtupari, por kur më merr malli për të, shkoj hera herës te ajo kafeja e Karitasit e ulem në atë tavolinën ku uleshim ne atëherë, vetëm e vetëm që disa nga punonjësit e atëhershëm të Karitasit që ende punojnë aty, të më pyesin: “Kur vjen sërish ai njeriu i bardhë?” Dhe unë u përgjigjem: “Ai vjen vetëm atëherë kur bie borë me metra e dritat polare shfaqen jo vetëm në Pol të Veriut por edhe aty ku ai hap shpirtin e tij më të bardhë se edhe vetë bora!” Ende nuk u kam treguar se ai ka vdekë. Vetëm që të më pyesin për të çdo herë kur shkoj aty, për ta kujtuar mikun dhe shokun më të mirë të jetës sime, Shyqen.
Foto: http://nietakrozowo.pl/