| Nga HAMDI NUHIJU |
Në fillim të kohës ishte fjala. Po, fjala të dua. Fjalë e shenjtë dhe e ëmbël e cila ngre të gjitha sfidat mbi nivelin e detit. Oqean? Jo det, po liqen. Te liqeni i Prespës nis rrëfimi. E dini, Prespa është ndarë midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Marrëveshje kompromisi. Edhe liqeni i Prespës është i ndarë, njëjtë si fati i dashurisë së të rinjve shqiptarë. Liqeni dhe mollat kanë ngelur në Maqedoninë e Veriut. Aty kanë ngel edhe disa shqiptarë! Pak, për të mos thënë hiç. Presparë shqiptarë ka në tërë botën, jo pse nuk e duan Prespën, por sepse iu është bërë e pamundur jetesa si shqiptarë në Prespë. E gjeni dot logjikën, të kesh liqe, molla që furnizojnë Evropën Perëndimore dhe të mos kesh mundësi të jetosh?
Para disa dekadave, te liqeni i Prespës ishin takuar dy të rinjë shqiptarë. Fisnik për nga fisnikëria prindërore, të rinj, të zellshëm dhe të dashuruar për jetën. Dy të rinj që kishin shumë ëndërra për jetën. Djaloshi që quhej Krosi, donte që të bëhej violinist i njohur. Gjatë tërë kohës dëgjonte muzikë klasike si dhe ishte i dashuruar tmerrësisht pas violinave. E kishte ëndërr që ta vizitonte Filharmoninë e Vjenës. Njëherë me babain e tij kishin qenë deri në kryeqytet dhe ishte irrituar pse nuk e kanë lejuar që të futet në sallën e Filharmonisë së Shkupit.
Vajza, Arbëresha ishte tmerrësisht e dashuruar pas letërsisë, sidomos asaj ruse. Kishte lexuar Tolstoin, Dostojevskin, Pushkinin, Shollohovin e shkrimtarët e mëdhenj rus. Njëherë për ditëlindjen e Krosit, Arbëresha kishte blerë librin Ana Karenina dhe ia kishte dhuruar. Dy të rinjtë takohen te liqeni i Prespës dhe i japin besën njëri-tjetrit se as vdekja nuk do t`i ndaj. Do të takohemi edhe pas vdekjes, thoshin njëzëri Krosi dhe Arbëresha .
Rrethanat e jetës, i detyrojnë prindërit e Krosit që të shpërngulen në SHBA. Kalojnë, muaj, vite e dekada. Asnjë lajm nga Krosi dhe Arbëresha! Asnjë fjalë nga premtimi që ia thanë njëri-tjetrit. Pas disa dekadash, Krosi kthehet në vendlindje, në Prespën e tij të dashur, në Prespën e lënë shkret pa zërat e fëmijëve shqiptarë. Viziton shtëpinë, varrezat, rrugët e rrugicat, kalon edhe tek rruga e saj. Zemra fillon t`i rrah, sikur t`i shkundet nga vendi, por e mban veten, nuk dorëzohet. Niset në drejtim të liqenit, tempullit të zemrës së tij dhe prej aty në këmbë futet në kaçuba e shkaba deri në zbulimin e një kasolleje. Në atë kasolle të vjetër, në tavolinë gjen një fletore të vjetër të Arbëreshës, fletore e cila ishte e mbuluar me pluhur. Ia fshinë pluhurin, fillon të qaj, e hap dhe lexon:
– I dashur, prej se kur ti ike në Amerikë, unë për çdo ditë fillova të vdes. Kam vdekur, jam tretur, jam humbur në errësirën e varrit të cilit gjurmët nuk do të kesh mundësi t`ia gjesh. Ushqehesha me dashurinë tënde për çdo ditë, për çdo sekondë. Shpresa se një ditë do të shoh përsëri më mbante në pragun e jetës. Por ti ike, ika edhe unë, ikën edhe puthjet e munguara që nuk u realizuan kurrë. Lamtumirë!