| Nga ARBENITA MAZREKU |
Sa t’gjata i ke netët
kur i mbështjellë vetmia…
Heshtjen s’e prishin as përqafimet,
që thyejnë kocka.
Monotoni që zvjerdhë, m’prangos mërzia,
Qytet pa lumë,
t’zbehta i ke mbramjet.
Trotuaret ruajnë gjurmët e hapave,
as shiu që sonte s’pushoka s’i zhdukë dot.
M’tremb bubullima që derdhet nga qielli pa hanë.
Fytyra papritur laget,
s’di në është shi,
a lot?!
{ Prishtinës }