| Nga NADA DOSTI |
Të udhëtuarit të dhuron një botëkuptim të veçantë që ata që vendosin të qendrojnë në rehatinë e shtëpisë nuk mund ta përjetojnë dot. Përveç dobive me njohjen e kulturave të reja, me mrekullitë natyrore që Zoti ka krijuar në shërbimin tonë si dhe njohjen me një rend në harmoni të plotë, udhëtimi na fal edhe shumë mirësi të tjera. Ndër bekimet më të mëdha është dhe ndërgjegjësimi se në këtë botë jemi udhëtarë dhe nuk jemi krijuar për këtu.
Të udhëtosh, por për ku? Të udhëtosh por drejt çfarë-je, apo drejt kujt? Përgatitje valixhjesh..netë pa gjumë ..orë të tëra pritjesh ..radhë të agjata nëpër sportele pasaportash..kaplim ankthi për të marrë një copë vulë..valë stresi në rast shtyrjesh apo anullimesh fluturimi ..! Dhe ta mendosh që ka njerëz që tërhiqen prej këtyre torturash sikurse insani tërhiqen prej një mëkati fatal, fillimi i të cilit është i ëmbël por fundi i dhimbshëm, e megjithatë ashtu sikurse flutura që tërhiqet prej ngrohtësisë së dritës mashtruese, përfundon duke u djegur, përsëri e përsëri. Përshembull: a ju ka ndodhur ndonjëherë të udhëtoni dhe papritmas të ndjeni mall për shtëpinë, e ndërsa kur jeni në shtëpi dëshironi të udhëtoni diku tjetër? Apo, kur jeni duke u argëtuar dhe relaksuar në ndonjë vend fantastik, përsëri e ndieni se ka diçka që ju mungon. Një lloj ndienje boshllëku dhe malli të pashpjegueshëm të cilën shkenca e psikologjisë e njeh si fenomeni i “krizës në mes të udhëtimit”. Kjo, sipas disa filozofive fetare ndodh sepse shpirti, që bashkëjeton me trupin në këtë botë, në fakt është krijuar për Tjetrën, andaj herë pas here rebelohet kur udhëton sepse zhgënjhet prej pritshmërisë se po shkon drejt “shtëpisë përfundimtare” mirëpo e gjen veten skutave në ndonjë cepi të botës..
Disa udhëtojnë me shpresë se do ikin prej derteve, se duke u shtirur për pak kohë se nuk ekzistojnë, se duke mbyllur sy e veshë papritmas do ç’bëhen, apo papritmas do bëhen pishman që erdhën dhe duke i ardhur keq për këto përpëlitje të tua për t’ja mbathur prej tyre, do kthehen andej nga kanë ardhur. E vërteta është se: shko ku të duash, shtoja sado kilometra të duash udhëtimit tënd, shko nga njëri cep i botës në tjetrin, mirëpo kudo që të shkosh do i marrësh me vete të gjitha ato prej të cilave po ikën. Si disa copëza të thyera xhami të cilat s’ke ku t’i hedhësh dhe i mbart me vete në xhep dhe të vrasin sa herë që e strehon dorën. Dhimbja është aty, edhe nëse nuk i kërkon me dorë, zhurma që vjen prej përplasjes së tyre me njëra tjetrën ta kujton se ato copëza janë ende aty. Apo si disa guralecë që depërtojnë nëpër këpucë dhe ta nxijnë jetën, sado që të ndalesh për të shkundur këpucet, mbeten gjithmonë disa grimca aty sa për të ta rikujtuar ekzistencën e tyre. Dhe kur të kthehesh, dertet në fjalë të presin mu aty në prag dere, me një nënqeshje ironike si për të ta përplasur fytyre naiviten tënd se me ikjen në ndonjë udhëtim, do mund t’ia mbathje prej tyre përgjithmonë.
Po të mos ishte udhëtimi, rrahja e krahëve drejt sëpanjohurës nuk do të ishte kaq magjepsëse, do thoshte i pavdekshmi Akif Emre! E ndoshta insanit do të duhej të gjente mënyra të tjera për të ikur nga vetja tek vetja! Sepse nuk nisesh dot drejt një udhëtimi duke shmangur takimin me veten. Ashtu sikurse nuk e shmang dot faktin se në kthim tek vetja do gjesh një person të ri. Një “vete” të re, ndryshe nga ajo kur u nise. S’ka më kthim mbrapa prej momentit që e hedh hapin drejt të panjohurës dhe dejt të papriturës. Kështu, fillon e ndihesh i huaj, si në udhëtim, akoma dhe më i huaj në shtëpinë tënde. Duke përmbushur kështu profetësinë se në këtë botë jemi thjesht kalimtarë. Dhe në fakt esenca udhëtimit është pikërisht kjo!