| Nga HAMDI NUHIJU |
Ahmedi i vogël ishte një fëmijë i tërhequr. E interesonin sendet dhe figurat e ndryshme. Bënte mrekulli me lodra, dhe mjete rrethanore pune. Bënte skica dhe punime që ndonjëherë habisnin edhe nënën e tij. Tentoi që të ndërtoj Kullën e Ajfelit. E kishte parë në një film vizatimor! Ndërtonte kulla shumëkatëshe me kartona si dhe rrokaqiej. Sa vinte e rritej, Ahmedit nuk i dilte nga dëshira vullneti i tij kreativ për të ndërtuar. Të gjithë e mendonin Ahmedin si një mësues në të ardhme, pasi që fliste rrjedhshëm, por askush nuk e shihte me sy pasionin e tij prej ndërtimtari.
Erdhi koha për t`u regjistruar në shkollë të mesme dhe para Ahmedit nuk kishte shumë opsione, gjimnaz, ekonomi ose teknikë. Zemra i fle të regjistrohet në teknikë, por si të regjistrohet në atë shkollë që politika ia ka humbur vlerën, ndërsa ky ishte nxënësi më i mirë në shkollë? Vendos dhe regjistrohet në gjimnaz, në një shkollë elitare të qytetit. Paragjykimet e njerëzve e orientojnë Ahmedin tek një shkollë që bie ndesh me pasionin e tij.
Në vetvete, Ahmedit i dukej shkuarja në shkollë si humbje kohe. Më shumë ndjente kënaqësi në orën e artit figurativ dhe në lëndët filozofike. Logjikën e Hegelit, ai e pikturonte në mendje dhe e nxirrte në forma të ndryshme gjeometrike. U fut thellë në të. Në këtë mënyrë befasoi Sarën, një vajzë e pasionuar pas letërsisë dhe fjalës së bukur. Kalojnë ditë, muaj e vite, Ahmedi me Sarën fillojnë të shoqërohen. Njëherë si shok dhe dikur i lindin shkëndija dashurie. Dy vitet e fundit, Ahmed lëshon dorë nga mësimi, në mendje i rri Sara. Vijat e flokëve, ajo buzëqeshje, syzet dhe debatet për letërsinë. Habitshëm Ahmedi fillon të interesohet për letërsinë. Merr guxim dhe i shkruan një letër: Sara, të dua!
Të nesërmen nga frika dhe ndrotja Ahmedi nuk shkon në shkollë. Letra ka ndryshuar rrjedhën e shoqërisë. Tashmë Ahmedi me Sarën nuk flasin, jo pse nuk duhen, por kanë frikë t`i kapërcejnë kufinjtë familjar. Ëndërrojnë për njëri-tjetrin, por asnjëri nuk thellohet në guxim. Ahmedi digjet për përgjigjen e Sarës, ndërsa kjo e fundit ende nuk i ka kthyer përgjigje. Përfundon shkolla dhe ndryshojnë fatet e njerëzve, por caktimi është i habitshëm.
Sara regjistrohet në Fakultetin e Letërsisë në Kajro, ndërsa Ahmedi shkon për studime të Arkitekturës në Shën Petersburg. Pas vitit të parë të studimeve, me shkollën Ahmedi niset për në shëtitje në Sahara, po ashtu në anën tjetër, në programin e njëjtë argëtues gjendet edhe Sara. Është i habitshëm takimi i Ahmedit dhe Sarës në Sahara. Dhe përgjigja e Sarës të cilën Ahmedi e kishte pritur me vite: – Edhe unë të dua Ahmed!