THYERJA E FUNDIT (3)

| Nga PRANVERA NEVZADI |

– E tëra filloi atë ditë të mallkuar kur isha te vajza e axhës duke i ndihmuar ta përgatiste pajën e saj për martesë, – filloi rrëfimin e saj Sylba. Kurse Safija e Nermini ishin ulur pranë asaj. Nermini herë shikonte Sylbën, herë Safijen, duke i kërkuar me sy t’i tregonte se çfarë po thoshte ajo. Por ajo kishte lëshuar tërë vëmendjen nga Sylba, kurse Sylba duke i ndrydhur gishtat e duke sjellur në gisht unazën e vetme që i kishte dhënë e ëma e saj për herë të fundit kur u ndanë si dhuratë martese, vazhdoi rrëfimin e saj. – Mbesa ime erdhi tek une duke vrapuar – vazhdoi Sylba, – dhe më tha: “Hallë, hallë, eja në shtëpi, po të thërrasin.” – Përse? – e pyeta. “- Disa burra ishin tek ne, pastaj gjyshi erdhi tek nëna dhe i tha diçka për ty, dhe ajo filloi të qante, unë nuk e kuptova”. – Më lëshoi trupi atë çast. Unë dhe vajza e axhës e kuptuam shumë mirë. Domethënë, më kishin fejuar. Nuk dija se çfarë të bëja në atë moment. Të gjitha u përplasën mbi kokën time. Ëndrra për të shkuar në shkollë e të bëhem një mësuese, sapo më braktisi. “Tash mund të jesh e lumtur nënë” – thashë me veten, sepse sa herë i tregoja asaj dëshirën për të shkuar në shkollë të mësoj shkrim-lexim, ajo mjerohej se nuk kishte vajzë dhe shpesh i thoshte hallës sime, “kjo vajzë nuk i ka mendtë në kokë. Do të na mbesë në derë po ta dëgjojnë hallku se çka flet.” “Ta dërgojmë diku e t’i fryejmë” – i propozonte halla. Kurse unë qeshja ndër vete me to. Si mund të mos i kem mendtë në kokë, kur doja të mësoja e të shkollohesha. Edhe pse e dija se ishte e vështirë, pasi armiku e kishte bërë të veten dhe i kishte mbyllur të gjitha shkollat, prapë shpresoja. Por tani, mori fund. Nuk iu kundërvihesha dot babait e vëllezërve. Nuk kisha fuqi. Isha në shok. Kur papritur dëgjova zërin e gruas së axhës tek thoshte: “Hajrli koftë bijë, kohën e ke edhe ti”.

– Pa i dhënë përgjigje u qova dhe erdha në shtëpi, ashtu siç e donte rendi. Kur hyra në dhomë, pashë nënën të qante. Qante për mua. Brenda vetes më erdhi një ndjenjë e përzier me dhimbje dhe urrejtje. Nuk e kuptoja. Deri dje frikësohej se do t’i mbesja në derë, e sot qan. Unë nuk e kuptoja zemrën e saj, ashtu siç ndoshta edhe ajo thoshte: “Kur të bëhesh nënë, do të më kuptosh.”

–  Çfarë ke? – e pyeta si me inat.

– Të kemi fejuar, – tha duke qarë.

– E përse qan? – e pyeta unë përsëri me zë më të ashpër. Ajo u ndal në çast, më shikoi në sy e habitur, rrudhi ballin në shenjë nervoze dhe ma ktheu duke rregulluar shaminë e saj:

– S’ke faj, përse të mërzitem për një vajzë si ti?

– Po pra. Shyqyr Zotit tash do të rehatohesh nga unë. Më s’do të kesh frikë që do të të mbes në derë.

Nuk ishin fjalë që duhej t’ia thosha nënës, sidomos nënës. Por isha në në gjendje të vështirë dhe as vetë nuk kuptoja se çfarë po bëja. Shkova në dhomën tjetër, u mbylla, rashë në shtratin tim dhe nuk u ngrita atë natë, qava deri në mëngjes. Në mëngjes, pasi më kishte zënë gjumi, pashë një dorë tek ma largonte jorganin nga fytyra. Ishte motra ime, më e madhe se unë e cila ishte martuar pesë vite më parë. Kishte ardhur pasi kishte dëgjuar për mua.

– E si more vesh ti kaq shpejt? – e pyeta duke picëlluar sytë që nuk më shihnin qartë nga vaji e pagjumësia.

– Unë e dija para teje, – më tha ajo, – dhe lëshoi një të qeshur që më çau zemrën mes për mes. E kuptova se këtë e kishte bërë burri i saj.

– Si munde të ma bësh këtë? – i thashë asaj dhe ngreha jorganin dhe e mbulova përsëri kokën.

– Hajde mos bëj naze, asgjë s’të kam bërë unë. Si gjithë dynjaja.

– Unë nuk dua si gjithë dynjaja, – i thashë me nervozë.

– Pse, si do ti? Zgjohu tash se mjaft vajtove. Shiko, Vehbiu thotë se djali është shumë i bukur, – mundohej të më jepte zemër ajo. Ajo kujtonte se unë po qaja siç bëjnë vajzat për zakon, por unë qaja sepse vërtetë nuk doja. Kisha ëndrra. Ëndrra për të cilat nuk më pyeti askush. Ëndrra me të cilat ata talleshin dhe më shihnin si jo normale. Kësisoj, kalonin ditët e koha e martesës sime afrohej. Unë përgatitesha dhe tashmë isha pajtuar me kaderin. Shihja se si nëna dhe motra nguteshin të rregullonin pajën time. Vëllezërve as që u interesonte ajo se çka mendoja unë. Kurse nganjëherë për të më frikësuar, nëna më thoshte se po të dëgjonte babai se çfarë flas do të më rrihte. Meqë e dija se nuk ishte e  vërtetë, sa herë që m’u jepte rasti u tregoja se sa shumë e doja shkollën. Kurse një herë daja Ahmet i cili e mbante veten më “besimtar” se të tjerët, më pati thënë kinse për të më hequr merakun: “Mos të të mbetet merak bijë, sepse edhe feja nuk lejon që femra të shkollohet.”

– Sa e hapa gojën e t’i them “mos gënje dajë”, nëna m’i zgurdulloi sytë dhe fjala më mbeti në fyt. ”E cila fe qenka ajo, dajë?” prapë nuk u durova. “ Se me Kuranin të cilin e dëgjoj unë nga hoxhonica e lagjes më urdhëron që të shkollohem”. “Ku di unë bijë, ashtu e di.” U mundua ta mbyllte temën daja i shkretë. Çfarë të bëja? Nuk mund të hidhërohesha me askënd. Unë isha vetëm edhe një tjetër viktimë e traditës dhe injorancës që e kishte kapluar popullin tonë vetëm njëzet vjet pas copëtimit dhe robërimit serbo -malazez.

Sidoqoftë, koha e martesës afrohej kurse nëna vazhdimisht shpejtonte të përfundonte gjithçka, kuptohet, duke më akuzuar mua se nuk interesohesha fare për punët e mia. Nganjëherë mundohesha ta paraftyroja të fejuarin tim ashtu siç ma përshkruante motra, dhe lutesha që së paku jeta më të, të më shkonte për së mbari, por pastaj më kaplonte një inat dhe zhytesha në një boshllëk që as vetë nuk e kuptoja.

– A nuk e doje të fejuarin? – e ndërpreu Safija.

– Në fakt nuk ndieja asgjë, as e doja as s’e doja, meqë edhe nuk e kisha parë kurrë, por nganjëherë e mendoja. Unë as që kisha forcë të merrja ndonjë vendim, vetëm heshta dhe prita, derisa erdhi dita kur mallkova veten pse linda.

– Medet, mos ke ikur nga shtëpia për të mos u martuar? – u ngrit e trishtuar Safija, kurse Nermini e cila vetëm shikonte e hutuar pa kuptuar asgjë lëvizi vendit plot kureshtje dhe sa hapi gojën të pyeste Safijen se çfarë po ndodh, e ndërpreu Sylba.

– Jo çfarë thua?! Nuk ka ndodhur diçka e tillë. Sikur të ndodhte ashtu së paku do të dija se si të veproja.

– Por çfarë ka ndodhur? –  pyeti Safija

– Do të të tregoj gjithsesi. Ditën kur filloi gjithçka, ishim duke u përgatitur për dimër me nënën. Vazhdimisht më rri parasysh ajo dhomë e vogël ku i bënim turshitë dhe gjërat tjera që rezervonim, – uli kokën Sylba, lëshoi shikimin e ngrirë në tokë, dhe buzëqeshi plot dhimbje me buzën e bërë prush nga ethet. “Mësohu bijë, se do të duhet t’i bësh vetë te burri këto gjëra,” – më thoshte nëna kurse mua më dukej e rëndë çdo fjalë që e thoshte. “Ja, këtë do ta bësh kështu,” – dhe rregullonte kapakun e kovës me sa fuqi kishte. Në ato çaste erdhi babai dhe dukej i lodhur e i mërzitur.

– Na bëj diçka për darkë grua, se sonte do të kemi mysafirë, – i tha nënës dhe shikonte kovat me turshi.

– E bëj, por kush do të vijë?- e pyeti ajo.

– Miqtë e rinj, – tha dhe doli nga dhoma e vogël së cilës edhe sot mund t’ia nuhas erën aq mirë.

– Hajrli koftë, – tha nëna dhe u ngrit të bëhej gati. Dera e shtëpisë sonë ishte gjithmonë e hapur dhe ajo e dinte shumë mirë se si do t’i priste më së miri mysafirët. Kur ra nata, darka ishte e gatshme, poashtu edhe oda ishte gati. Llamba me gaz ishte ndezur më herët se zakonisht. Edhe zjarrin atë natë e kishim ndezur edhe pse nuk ishta akoma aq ftohtë. Të gjithë po prisnin dhe e dinin të gjithë se përse po vinin miqtë e rinj, vetëm nuk e kuptonim pse në këtë kohë. Zakonisht vadet liheshin për stinën e verës. Nuk flisnim me asnjërin dhe asnjëri nuk e shprehte mendimin e vet, kurse mua po më mbyste kureshtja. Prandaj vendosa të dëgjoja prapa odës kur të vinin mysafirët. Aty kishte një dritare të vogël të cilën babai e kishte hapur për shërbim më të shpejtë kur vinte puna te ushqimi.

****

Babai rrinte në krye të oxhakut dhe nuk e largonte llullën nga goja. Vërehej qartë se diçka nuk shkonte. Ishte i mërzitur. Kurse vëllai im Nevzadi qëndronte afër tij. Edhe ai dukej i shqetësuar.

– Unë them të mos ua japim babë, ta prishim këtë miqësi.

– Nuk kemi të drejtë bir, ky nuk është kurrfarë sebepi për të  prishur një miqësi.

– Por, as motër nuk kemi për të humbur – tha Nevzadi i vendosur.

– Nuk humb jo, me burrin e vet është. – thoshte babai poashtu i vendosur në fjalën e vet. I dëgjoja tek flisja ashtu dhe edhe më shumë më shtohej kureshtja. A thua për çfarë ështe fjala, për çfarë do të humbem, çka po flet Nevadi? Nevzadi nuk ishte si vëllezërit tjerë, ai ishte më i hapur me mua dhe më i afërt. Edhe pse vëllezërit tjerë shpesh e ngacmonin dhe i thonin se nuk është fare burrë për shkakun se rrinte shumë me ne, në fakt ai ishte shumë më burrë se ata. Prandaj shqetësimi i tij, më shqetësonte me të vërtetë. Ishte e rëndë për mua kur merrnin vendime në emrin tim e as nuk pyesnin as nuk nuk me vinin në dijeni se përse është fjala. Nganjëherë më dukej vetja si Larukja, të cilën babai herë e shiste herë e blinte.

– Çfarë bën aty moj vajzë? – më erdhi zëri i nënës në befasi. – Ik nga aty se po të pa babai të vret. Qesha me të madhe, thua se unë isha gjallë e po më vritka.

– Zoti të dhashtë mend, se ti ke shkalluar me të vërtetë, – më tha nëna me nervozë dhe iku. Kurse unë u ktheva kah dritarja të përgjoja se çfarë po ndodhte me mua dhe me fatin tim.

– Erdhën, – tha Shabiu, vëllai im më i madh, dhe u ngritën të gjithë të prisnin mysafirët përveç babait. Në odë hynë dy burra që unë nuk i njihja, dhe burri i motrës që nganjëherë e kisha vërtet inat.

– Mirë se erdhët, – u tha babai

– Mirë se ju gjejmë, – tha burri më i vjetër prej tyre. Pasi u ulën, Nevzadi i shërbeu me duhan, kurse bira e vogël e dorezës së dritares nuk më lejonte ta shoh pamjen e plotë aty, por isha e kënaqur që mund të dëgjoja qartë. Pas disa bisedave të zakonshme që bëheshin, burri i vjetër tha:

– Ne erdhëm pak pa rend ndoshta, por kushëriri ynë ka vendosur të largohet nga vendi. Do të ikë në Anadoll.

Babai kruante mjekrrën dhe hidhte shikimin herë në fytyrën e burrit të vjetër, herë tek vëllezërit e mi, e herë e lëshonte përtokë sikur po mendohej dhe nxirrte tymin e duhanit nga goja e hunda.

– Por, – vazhdoi burri, – nuk po dinë si t’ia bëjnë me fejesën e djalit. Ka shitur tokën e shtëpinë, edhe një pjesë të bagëtisë, javën e ardhshme mendon të largohet. Më dërgoi mua që të merremi vesh.

– Po pse po largohet? – e pyeti babai.

– Si të gjithë. Jeta vështirë, për një kafshatë bukë e për një jetë më të mirë. Nuk po i lënë rehat as këta të mallkuarit. Kërkojnë armë nga ta. Djalin e vogël ka dy herë që e rrahin për vdekje.

– Po, po, kam dëgjua, – pohonte babai me llullën në gojë që nuk e largonte fare.

– Ata kërkojnë që edhe nusen ta marrin me vete. As ata nuk deshën të bëhet kështu. Askush nuk dëshiron të largohet nga vendi i vet ashtu, – thoshte burri që mundohej të dukej i mërzitur.

– Po ashtu është, por nuk e dinim se do të shkonin aq larg. Ne e dhamë vajzën për këtu, – i tha babai.

– As ata nuk po largohen nga qejfi as nuk e dinin se do të largoheshin. Por, as nuk do ta marrin vajzen me zor. Shpaguaje dëmin nëse nuk pajtohesh dhe secilit Zoti ia dhashtë hajrin, – tha burri i vjetër të cilin aq shumë e urreva në atë moment.

– Dëmi më i madh po më bëhet mua. Vajza po më bëhet me shenjë, e ju po kërkoni të paguaj edhe dëm, – iu kundërvua babai me një ton paksa më të ashpër.

– Ti e di se kështu shkon kjo punë or mik,- i tha burri i qetë sikur e kishte zënë në grackë babain.

– Në më dëgjofsh mua nuk ia japim babë, – tha Nevzadi. – Ia paguajmë si e do rendi, vetëm mos ta humbim motrën aq larg.

– Çka po thua mor djalë, – iu drejtua burri hijerëndë Nevzadit. – Askush nuk po shkon të humbë. Kthehen dashtë Zoti.

-Ne e dimë shumë mirë këtë punë or mik. Ku janë ata që kanë shkuar më herët? Kush u kthye?, – pastaj u kthye nga babai, – mos ua jep babë.

– Nuk dua ta lë vajzën me emër të keq, bir. – pastaj i tha burrit që i kishte fjalët si thika:

– Selam mikut, e përhajr i qoftë. Le të ketë kujdes për vajzën time atje larg.

– Mos ke merak për këtë punë. Ata janë shtëpi me nder e me emër, – ia ktheu ai babait disi me krenari, si një triumfator i një lufte.

– Silleni darkën, – urdhëroi babai dhe të gjithë u vunë në lëvizje, kurse unë ngriva aty në vend. Nuk dija se çfarë të mendoja. Deri sot qaja e rënkoja se do të shkoja në një fshat tjetër, por, se do të largohem krejtësisht në një vend tjetër kurrë nuk e kisha menduar.

Atë natë më ra tërë bota mbi kokë. Nuk hëngra, nuk fjeta, por as nuk ndejta zgjuar. Vetëm dëgjoja nënën tek qante vazhdimisht, dëgjoja edhe Nevzadin që bërtiste dhe ankohej se nuk e dëgjonte askush, por unë nuk dija se çfarë të ndjeja. Isha e mpirë.

***

– Para shtëpisë kishim një dyqan me të cilin më shumë merrej Nevzadi. Aty mbante ca misër, kripë dhe gaz me të cilin i ndiznim llampat – vazhdoi tregimin e saj Sylba. Në mëngjes shkova aty. E dija se po aty do ta gjeja. Kur hyra brenda ai u step. Nuk ishte në zakonin tonë që femrat të silleshin nga dyqani. Në raste tjera, sigurisht që do të haja një bërtimë të madhe, por ato momente ishin të vështira edhe për të. E dija se do të më mëshironte.

– Puna e mbarë, – i thashë. Nuk më foli. Vazhdoi të merrte misrin nga thesi dhe ta shpërndante në thasë më të vegjël për ta shitur pjesë – pjesë. As unë nuk fola për një kohë. Vetëm e vështroja atë dyqan të vogël, që, edhe pse mund të duket e çuditshme, ishte hera e parë që e shikoja për së afërmi. Aromën e misrit që e ndante pjesë-pjesë Nevzadi, edhe sot e nuhas. Më shikonte herë pas here derisa sillesha dhe shikoja brenda atyre mureve prej të cilave varej idareja jonë gjatë dimrit.

– Do të shkoj deri në hambar të marr edhe ca misër, – tha Nevzadi.

– Shko tani në shtëpi.

Buzëqesha, por vajin e kisha në fyt. Buzëqesha sepse e dija që ishte një arsye për të më larguar nga aty.

– Nuk do të shihemi më kurrë, apo? – i thashë, kurse ai po i paloste thasët mbi tavolinën ku e mbante edhe peshoren.

– Pse po thua ashtu, sigurisht që do të shihemi, – tha ai dhe mundohej ta fshihte shikimin. E dija se i dhimbesha, siç edhe kam thënë, ai ishte më i mëshirshmi, më i ndjeshmi ndër vëllezërit tjerë dhe babai. Po mundohej të përmbahej.

– Do të vi unë atje dhe do të të shoh, – tha ai dhe filloi ta lëshonte veten. Sytë iu skuqën.

– E di, ti do të vish, por si do të më gjesh?

– Do të të gjej. Mos e ke atë dert. Disi do të të gjej. Do të vish edhe ti këtu, – tha ai, por e dija që nuk ishte fare i sigurt në atë që e thoshte. Qesha, dhe e kuptova se e qeshura ime i ra si thikë në zemër. Por edhe mua m’u këput shpirti. Ai ishte vëllai im, doja të isha aty kur ai të martohej, t’i mbaja në krahë fëmijët e tij. Kur kujtoja se çdo gjë tashmë kishte mbetur vetëm ëndërr, më molisej trupi dhe mendja më errësohej. Ishte sikur të kisha vdekur, vetëm se nuk vdisja, por e jetoja agoninë e vdekjes në çdo çast. Zoti e di sa dëshirova që të isha vetëm një grusht në atë moment, edhe sikur të më shkelnin tërë qentë e lagjes, lagjen që po e lija e që nuk do ta shihja më kurrë.

– Ndoshta do ta realizosh ëndrrën tënde atje, – më ndërpreu nga mendimet Nevzadi, i cili edhë më tej vazhdonte t’i rregullonte thasët.

– Cilën ëndërr? – pyeta sikur  nuk po e kuptoja. Edhe unë edhe ai e dinim shumë mirë se cilën ëndërr. Nuk duhej të ndodhte, por kur martoheshe këtej, të gjitha ëndrrat merrnin fund. E pashë se u ndie keq nga pyetja ime. Një e mërdhezur e ashpër iu shfaq në fytyrë. Nuk doja ta bëja të ndihej fajtor, aq më pak atë që ishte i vetmi që kishte ngritur zërin për mua. Por jeta është një armike e tmerrshme nganjëherë. Na ndodh që t’i lëndojmë shpesh ata që duam më së shumti.

– A do të shkosh në hambar? – e pyeta.

Heshti! Hodhi thesin me misër në peshore dhe la mbi të një shënim me gacat e thëngjillit. Pastaj shkundi duart dhe u kthye kah unë dhe më tha me plot siguri.

– Do të shihemi patjetër, – dhe dolëm të dy nga dyqani. Ikëm në shtëpi, unë hyra brenda ndërsa ai vazhdoi punët e veta. Kur hapa derën, një qetësi vrastare më goditi brenda në gjoks. Ishte një atmosferë vdekjeje, dhe unë isha kufoma e cila ecte andej vërdallë dhe shihte furneralin e saj.

– Nuk duhet të sillesh kështu, – ma priti vajza e axhës sapo më pa, e që kishte ardhur për të më uruar, – të gjithë jemi martuar, çfarë është kjo punë që as nuk ha e as nuk pi.

– Po, po. Ashtu është, – u mundova t’i jepja fund kësaj bisede që sa herë përflitej ma gërryente shpirtin. Ata nuk e kuptonin se unë nuk ndihesha sikur po martohesha. Unë isha humbur në një shpellë të errësuar dhe një shkëmb kishtë zënë hyrjen. Tani, si mund ta quanim këtë njeri në këtë situatë?!

***

LËRE NJË KOMENT

Your email address will not be published. Required fields are marked *