| Nga HAMDİ NUHIJU |
Për çdo ditë, në oborrin e shkollës, tregtari Selman shiste rrush të bardh dhe të zi. Në këtë mënyrë ëmbëlsonte qindra e mijëra fëmijë. Selmani para se të nisej në treg për të blerë dhe shitur rrush, gatuante për nënën e tij të sëmurë, lante enët, përgatiste ushqimin e mëngjesit, ushqente nënën si një fëmijë, i jepte barnat, kërkonte bekimin e saj dhe nisej për në treg. Ky ritual i përditshëm, Selmanit iu është bërë zakon qëkur i ka vdekur babai. U bënë vite të tëra, për çdo ditë, Selmani kujdesej për nënën e tij të sëmurë dhe në mbrëmje gatuante ushqime të ndryshme të shijshme për të dhe nënën e tij. Në Ramazan, Selmani ndryshonte menynë e syfyrit dhe iftarit, si dhe gostiste edhe plaka tjera të lagjes.
Zani i tregtar Selmanit mori jehonë në lagje, jo vetëm për bukët e shijshme që gatuante, por edhe për librat dhe kujdesin e veçantë që kishte ndaj tyre. Ai kishte përgatitur disa rafte me libra dhe në to mund të gjeje literaturë që nga Orienti i Largët e deri në Oksidetin e Afërm. Imami i lagjes, librat që i duheshin për ta përgatitur ligjëratën e të premtes i gjente te Selmani. Madje në një ligjëratë të së premtes, Imami e përmend një libër dhe Selmanin. Thotë tek libri që e huazova te tregtar Selmani, thuhet se në kohë krize të manipulosh me çmimin e bukëve është rreptësisht e ndaluar. Tregtarët që fshehin mallin për ta shitur në kohë krize me çmime më të shtrenjta, në Ditën e Llogarisë do të përballen me hidhërimin e Krijuesit. Dënimi i tyre do të jetë i rëndë!
Te vendshitja e improvizuar e tregtar Selmanit, Selma bukuroshe për çdo ditë blente dy kilogram rrush. Përziente rrushin e bardhë me rrushin e zi. Selmani çuditej e përpëlitej në mendime për këtë blerës të habitshëm, si është e mundur një njeri të konsumoj dy kilogram rrush? Zemra i dridhej dhe i kujtoheshin buzëqeshjet e Selmës. Buzëqesh në vete edhe Selmani!
Selmani një ditë ndalon mësues Naserin për ta lutur:
– I dashur mësues, i drejtohet Selmani, të lutem merri këto të holla dhe blej fletore, libra dhe çanta për nxënësin jetim në klasën tënde.
Mësuesit Naser i rrjedhin lot gëzimi. Merr të hollat, bekon Selmanin dhe ikë me vrap për ta kryer emanetin ndaj jetimit.