TRUNGU I MOLLËS SË KALBUR

| Nga HAMDI NUHIJU |

Në Jabollçicë të Epërme gjen molla të kalbura dhe jo të kalbura. Gjen dashnor që kanë humbur dashurinë rrugës dhe pikëtakimin midis Lindjes dhe Perëndimit. Atje, në majat e egra mbi Velesin e hershëm, aty në rrugicat që dëshmojnë për rrënjët dhe historinë e një populli të lashtë krijon panoramën e një pikture rrëfimesh.

Një ditë, gjyshi Iljasa merr me vete nipin Adem dhe mbesën Ajshe për t`i shëtitur në sheshin e fshatit Jabollçicë të Epërme. Shëtitën, blenë ëmbëlsira në shitoren e fshatit dhe ndalen në trungun e një molle. Aty kërkojnë hijen, flladin, jetën, por nuk mund t`i ikin ngrohtësisë së lotëve në fytyrën e gjyshit të cilat rrjedhin pa bërë zë. Qyshi qan në heshtje, si fëmijë dhe futet në kujtimet e të kaluarës, historisë së fshatit dhe popullit të tij.

Simfoninë e lotëve e ndal kurreshtja e Ademit dhe çapkanllëku i Ajshes. Dytë njëzëri pyesin: – O gjysh pse po qan?

– Të dashurit e mi, fillon rrëfimin gjyshi, në trungun e kësaj peme për herë të parë jam njoftuar me gjyshen tuaj tashmë të ndjerë Fatime. Ishin kohëra tjera! Bëhej thuajse e pamundur secili kontakt midis të riut dhe të resë, pasi që traditat, doket dhe zakonet tona nuk na lejonin që lirshëm të flasim për tema zemre. Por, edhe ne kishim zemër, kishim dashuri. Patëm bërë një dasëm të madhe që u mbajt mend në tërë fshatin. Mysafirët e shumtë vinin e përcilleshin të gjithë të tërhequr pas zurleve dhe daireve të vajzave lozonjare. Nuk ngeli fshatar pa u gostitur. Tupana, valle e hare gjithandej.

Në trungun e kësaj peme, fshehurazi nga sistemi komunist u takuam unë, hoxha dhe mësuesi i fshatit. Filluam që të shpërndajmë abetare shtëpi më shtëpi. Me vdekë po, por jo të tjetërsuar, ky ishte slogani ynë!

Këtu u takuan edhe vullnetarët e fshatit në luftën kundër Bullgarisë Cariste. Atë vit ka qenë vit zie në fshatin tonë. Gra, nëna, e vajza duke qarë. Ikën burrat dhe të rinjtë më të mirë të fshatit. Nuk dihej fati i tyre!

Këtu, në këtë trung, në pabesi u vra edhe vëllai im i madh Shabani. Nga një shpirtzi, bashkëpunëtor i regjimit, mollë e kalbur e fshatit. U mashtrua, u la në pritë e u ekzekutua nga komunistët e kuq.

LËRE NJË KOMENT

Your email address will not be published. Required fields are marked *