VIRUSI I FYTYRËS SË ZEZË

| Nga ALBIN MEHMETI |

Pranverë.

Kujë në dhomën numër një.

Vajtim në dhomën numër dy.

Dënesje në dhomën numër tre.

Kuja, vajtimi e dënesja shpuan muret e dhomave e kaluan një korridor, dhe po sikurse një kor i përgatitur u dëgjuan edhe në oborrin e Spitalit të Madh të Dashamirit.

Dikush kishte vdekur.

Apo më mirë të themi, disa kishin vdekur.

***

Kishin kaluar disa ditë që kur në Spitalin e Madh të Dashamirit ishin shtrirë shumë pacientë me simptoma të njëjta njëri me tjetrin, të tilla që s’ishin parë e s’ishte dëgjuar më herët në Dashamir. U mblodhën mjekë e specialistë për ta gjetur shkakun e për t’ia gjetur shtrofkën armikun që po i shtrinte për tokë fëmijët e pleqtë dhe burrat e gratë. Pacientët nxiheshin në fytyrë dhe iu humbiste vetëdija, duke kaluar në komë. Çdo ditë shtoheshin pacientët. Çdo ditë vdisnin fëmijë e pleq dhe gra e burra.

Specialistët, pas shumë e shumë verifikimeve, arritën të zbulojnë se virusi që sëmurte e vriste gjendej në ajër.

***

NJOFTIM

Njoftohen qytetarët e Dashamirit, që të hënën nga ora shtatë e deri në ora dhjetë të qëndrojnë të mbyllur në shtëpi, për shkak të dezinfektimit të ambientit në kuadër të luftës ndaj virusit.

Apelojmë që të zbatoni urdhrin!

***

Potere e sharje. Në Spitalin e Madh të Dashamirit u ndal energjia elektrike. Errësirë në dhoma. Errësirë në korridor. Errësirë në oborr. Errësirë kudo. Punëtori teknik, me njërin sy hapur e tjetrin mbyllur mundohej të ndizte gjeneratorin. Kot.

Sharjet e britmave iu shtuan kuja, vajtime e dënesje të reja. Kujë, vajtim e dënesje u dëgjuan në dhomën numër një, dy, tre, katër, pesë e deri tek e njëzeteshtata. Për një natë vdiqën njëzet e shtatë fëmijë e pleq, burra e gra, si shkak i mos funksionimit të aparateve që i mbanin në jetë pas ndërprerjes së energjisë elektrike.   

***

URDHËRESË

Urdhërohen familjarët që ta zbatojnë urdhëresën për ceremoni mortore e miratuar nga Kuvendi i Dashamirit. Sipas kësaj urdhërese, familjarët obligohen që t’i varrosin të afërmit brenda tetë ore dhe me arkivole të mbyllura.

Moszbatimi i kësaj urdhërese llogaritet vepër penale sipas ligjeve në fuqi.

***

Verë. Korrik.

Kishin kaluar dy javë që kur u shërua edhe pacienti i fundit me virusin e fytyrës së zezë. Vdiqën njëqind e tridhjetë e shtatë persona, fëmije e pleq dhe burra e gra. Triumfi ndaj sëmundjes bëri që të krekosen kryetari i Dashamirit, drejtori i Spitalit të Madh, specialistët, kryemjeku, mjekët, kryeinfermieri dhe infermierët. U krekosën të gjithë. U krekosa edhe unë, që aq sa zgjati sëmundja punova si gazetar dhe reporter nga Spitali i Madh i Dashamirit.

Përsëri po rikthehem të rrëfej, aty ku e lashë. T’i lëmë anash krekosjet e të tjerëve. T’i lëmë anash edhe krekosjet e mia. Ndoshta, s’do të bezdisi nëse do t’i përsëriti fjalët e mëhershme. Ashtu-kështu, nuk janë shumë, vetëm dy.

Verë. Korrik.

Është koha kur për bujqit fillon epoka e korrje-shirjeve. E quaj epokë, pasi për bujqit është epoka e suksesit, pas një epoke disamujore të lodhjes. Por, ky korrik nuk ishte epokë e storie suksesi. Siç  duke, spërkatja me kimikate për ta luftuar virusin, kishte dëmtuar edhe grurin. Shumë pak grurë korrën. Edhe ata që ishte në hambarë nuk ishte i sigurt. Ishte më shumë helm sesa ushqim.

Tani, filloi një luftë e re. Filluan akuzat e kundërakuzat. Kryetari i Dashamirit akuzonte drejtorin e Spitalit. Drejtori akuzonte specialistët. Specialistët akuzonin kryemjekun. Kryemjeku akuzonte mjekët. Mjekët akuzonin kryeinfermierin. Kryeinfermieri akuzonte infermierin. Infermierët duke mos pasur kë ta akuzonin më akuzuan mua, që nuk inkuadrova personazhe të tjera që ata do të mund t’i akuzonin. Dhe, unë, narratori i këtij tregimi s’më mbeti gjë tjetër pos ta akuzoj autorin, i cili e bëri gjithë këtë lëmsh. Autori, edhe ai le ta gjejë dikë për ta akuzuar.

***

URDHËRESË

Urdhërohen qytetarët e Dashamirit, që sa më shpejt t’i hapin puset për ujë, pasi që uji në digën e Dashamirit është kontaminuar.

***

Vjeshtë.

Zija e urisë përfshiu Dashamirin. Kishin filluar të harxhoheshin rezervat e fundit të ushqimit.

Fëmijët qanin e kërkonin ushqim

Të rriturit qanin e heshtnin.

***

Në shtëpinë e parë kujë.

Në shtëpinë e dytë vajtim.

Në shtëpinë e tretë dënesje.

Kështu, vazhdoi kori i dhimbjeve në pothuajse çdo sokak, rrugicë, rrugë e lagje të Dashamirit.

Shumë burra u gjetën të varur në litar nga presioni për të gjetur një kafshatë bukë për fëmijët.

***

Dimër.

Forca të shumta të policisë u panë pranë shtëpive të kryetarit të Dashamirit, drejtorit të Korporatës Elektrike të Dashamirit, kryetarit të Shoqatës së Kimistëve të Dashamirit dhe tregtarit të konopëve.

***

PROCESVERBAL I VERDIKTIT TË SEANCËS GJYQËSORE 20/21-C

Të pandehurit A.N- ish kryetar i Dashamirit, I.J- ish drejtor i Korporatës Elektrike të Dashamirit, V.L- ish kryetar i Shoqatës së Kimistëve të Dashamirit dhe N.N- tregtar, dënohen me burgim të përjetshëm në akuzat për vrasje kolektive dhe nxitje të vrasjeve kolektive.

***

Për të mos ju ngarkuar me terminologji juridike dhe procesverbale gjyqësore, po jua tregoj ngjarjen se si ka ndodhur:

Kryetari, elektricisti dhe kimisti, duke e pasur shok fëmijërie tregtarin e konopëve, vendosnin që ta ndihmojnë, pasi që biznesi i tij ishte buzë falimentimit.

Kimisti krijoi një pluhur, i cili do të shkaktonte probleme të mëdha shëndetësore për njerëzit, dhe ata me shëndet më të ligë edhe mund të vdesin. Por, të gjithë e kishin të siguruar komën. Në rast se pacientët do të jetonin falë aparateve, atëherë do të intervenonte elektricisti, i cili do të urdhërojë të ndalet rryma në Spitalin e Madh të Dashamirit, dhe si pasojë aparatet nuk do të funksionojnë, dhe pacientët do të mbesnin pa oksigjen. Pasi ata të vdesin, kryetari do të urdhërojë Kuvendin e Dashamirit që të miratojë urdhëresën për ceremonitë mortore, ku njerëzit duhet t’i varrosin të afërmit e tyre me arkivole të mbyllura, dhe për t’i lëshuar ato arkivole në varr nevojiteshin litar, të cilët duhet t’i blinin doemos në adresën e vetme në Dashamir, tek tregtari i konopëve.

Kimisti do të luajë rol edhe në krijimit e helmit që do ta helmojë ujin në Ujësjellësin e Dashamirit, dhe kështu qytetarët do të urdhërohen që të hapen puse. Kështu, për ta nxjerrë ujin nevojiteshin kove me konop, dhe qytetarët doemos duhet ta blinin atë në adresën e vetme në Dashamir, tek tregtari i konopëve.

Gjithashtu, me helm ishin infektuar edhe arat me grurë që e solli të zinë e urisë dhe solli pasoja të mëdha psikike të njerëzit. Shpëtimi i tyre i vetëm ishte vetëvrasja. Kryetari urdhëroi që të bastisen të gjitha shtëpitë dhe t’iu merren armët me arsyetimin për ta ruajtur popullin nga vetëvrasja. Urdhëroi policët që të vendoseshin në ura, kodra e ndërtesat e larta të Dashamirit, në mënyrë që t’i parandalonte vetëvrasjet. Zgjidhja e vetme për t’u vetëvrarë mbeti konopi, të cilin doemos duhet ta blinin në adresën e vetme në Dashamir, tek tregtari i konopëve.

***

Pranverë.

Një dërgesë për tregtarin nga familja e tij në Burgun e Dashamirit.

Të nesërmen, kryetari vetëvritet.

***

Verë.

Një dërgesë për tregtarin nga familja e tij në Burgun e Dashamirit.

Të nesërmen, elektricisti vetëvritet.

***

Vjeshtë.

Një dërgesë për tregtarin nga familja e tij në Burgun e Dashamirit.

Të nesërmen, kimisti vetëvritet.

***

Dimër.

Një dërgesë për tregtarin nga familja e tij në Burgun e Dashamirit.

Të nesërmen, tregtari vetëvritet.

LËRE NJË KOMENT

Your email address will not be published. Required fields are marked *