| Nga HAMDİ NUHIJU |
Në Rahovec të Kosovës edhe përskaj rrethanave shtrënguese të jetës, luftë, varfëri, skamje, nuk janë ndalur rrëfimet për vreshtat. Vreshtat janë mbjell dhe rrushi është pjekur. Vreshtat kanë qenë pikëtakimi midis njerëzve të dijes, të padijes, të rrugëve të mira dhe të këqija. Në vreshtat e Rahovecit është marr vendimi i mbrojtjes së Krushës së Madhe. Teqeja e madhe mevlevite ka gjetur frymëzim në formën e vreshtave dhe mënyrës së vaditjes së rrushit. Është mënyrë specifike, e cila dallon prej krejt vreshtave në Republikën e Kosovës.
Thuhet se Sheh Mala, pjesët më interesante të Divanit të tij i ka shkruar në vreshtat e rrushit. Është struktur prapa rrushit, ka ngrënë një kalavesh me rrush dhe është frymëzuar për t`i shkruar Zotit, Pejgamberit, fesë! Kokërrat e kalaveshit të rrushit i ka shndërruar në tesbih dhe ka filluar falënderimin ndaj Zotit.
Të gjithë në Rahovec i njohin dhe i dinë vreshtat e Xha Halimit. Sikur vreshtat e tij nuk ka askund në Rahovec. Xha Halimi, baba i tetë vajzave dhe një djali, punë kryesore të tij e ka pasur kultivimin dhe shitjen e rrushit. Elegant në veshje dhe sjellje, Xha Halimi me elegancë ka rregulluar edhe vreshtat. Sytë e lodhur nga jetesa kanë gjetur rehatinë e shpirtit kur i kanë parë vreshtat e tij dhe kujdesin për secilën kokërr rrushi.
Kur ndodhi lufta, Xha Halimi bashkë me vajzat, gruan dhe djalin e tij vazhdonin kujdesin për vreshtat. Edhe pse të gjithë i flisnin duke i sugjeruar që të largohet. Agresori nuk pyet për nder e për fe, ti ke shumë vajza, kujdes, por Xha Halimi nuk bindej dot. Nuk mund t`i lë vet vreshtat, ata kanë nevojë për kujdesin tim.
Ata i shërbenin me rrush të gjithë banorët. Në mungesë të bukës dhe ushqimeve elementare, banorët e Rahovecit dhe refugjatët nga rrethinat patën gjetur prehje dhe ngrohje shpirtërore tek vreshtat dhe fisnikëria e Xha Halimit. Një ditë, doli zani se në Krushë të Madhe armiku është duke kryer masakër. Nuk po pyet për gra, pleq e fëmijë. Xha Halimi merr pushkën, dhe i mbledh vajzat dhe djalin e tij për të marr një vendim të rëndësishëm:
– Do të shkojmë në Krushë të Madhe. Merrni armët, medikamentet mjekësore dhe sa të mundni ushqim. Grua ti kujdesu për vreshtat. Të nesërmen me të falur namazin e sabahut do të nisemi për në Krushë.
Xha Halimi, tetë vajzat e tij dhe djali bien dëshmor në mbrojtjen e Krushës së Madhe, ndërsa vreshtat e tij shndërrohen në vakuf për të varfërit.